Kompanitë me kapital austriak rimarrin kryesimin e tregut të sigurimeve

24/06/2021 10:00 AM 0 komente

Kompanitë me kapital austriak kanë rritur pjesën e tyre në tregun e sigurimeve të jo-jetës në muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për katërmujorin 2020, kompanitë me kapital mbizotërues austriak zotëronin afërsisht 51% të tregut sipas primeve të shkruara bruto, nga rreth 49.4% që zinin një vit më parë. Rritja e tyre ka bërë që kompanitë me kapital shqiptar, të marra së bashku, të bien në rreth 49% të tregut për katër muajt e parë të këtij viti.

Sipas kompanive, Sigal Uniqa Group Austria ngelet e para edhe këtë vit, me 28.7% të primeve të shkruara bruto, në rritje me 1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

E dyta renditet kompania me kapital shqiptar Albsig, që zotëron 17.7% të tregut, nga 19.2% që mbante në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vijon në vendin e tretë Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group, me 12.7%, në rritje nga niveli 12.3% i vitit të kaluar, ndërsa e katërta është Eurosig, me 12.1%, nga 12.2% që zotëronte gjatë katërmujorit të parë 2020.

Ndër kompanitë e tjera, rritja ka shënuar edhe Intersig Vienna Insurance Group, që e ka shtuar pjesën e tregut me 0.1 pikë përqindje në 9.5% dhe Insig, me rreth 0.3 pikë përqindje, duke arritur në 7% të primeve të shkruara bruto. Dy kompanitë e tjera, Ansig dhe Atlantik, kanë pësuar një rënie të lehtë në pjesën e tregut.

Tregu shqiptar i sigurimeve u zhvillua fillimisht nga sipërmarrës vendas, megjithatë pas vitit 2007 në treg u shfaq një interes në rritje nga grupet ausitriake të sigurimeve, Uniqa Group Austria, që bleu kompaninë Sigal dhe Vienna Insurance Group, që bleu me radhë kompanitë Sigma, Interalbanian dhe Intersig. Në të njëjtën periudhë, në Shqipëri hyri edhe kompania sllovene Triglav, që bleu një paketë pakice aksionesh të shoqërisë Albsig, me synimin për të marrë gradualisht kontrollin e plotë të kompanisë.

Por, sllovenët nuk e vazhduan më tej dhe vendosën t’i shisnin përsëri aksionet e tyre te ortakët shqiptarë të kompanisë. Largimi i Triglav e la tregun të ndarë mes kapitalit austriak dhe shqiptar, ndarje që vazhdon edhe sot. E vetmja tentativë e investitorëve të huaj për të hyrë në tregun e sigurimeve erdhi katër vjet më parë, nga shoqëria e Kosovës, Dukagjini. Por, aplikimi i tyre për licencë u refuzua nga Bordi Drejtues i AMF./ E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of