Kompanitë me norma më të larta fitimi në vend

04/01/2020 10:04 PM 0 komente

Të bësh biznes fitimprurës në Shqipëri, sa vjen e po bëhet më e vështirë, me konkurrencën që shtohet, sektorët që maturohen, konsumin që është i tkurrur, ndërsa rritja e pagave ka qenë minimale vitet e fundit.

Shërbimet rezultojnë sektori më fitimprurës në ekonomi, ku 14% e të ardhurave mbetet në fund si fitim neto. Ndërtimi renditet në vend të dytë, me normë kthimi prej 9.3%, edhe ky me rënie në raport me një vit më parë. Industria përpunuese kthen si fitime 8.1% të të ardhurave. Pas humbjeve të vazhdueshme, industria nxjerrëse raportoi normë fitimi prej gati 8%, duke qenë sektori me ecurinë më të mirë të përfitueshmërisë në 2017-n.

Nga tregtia, nga e cila e sigurojnë jetesën pjesa më e madhe e shqiptarëve, normat e fitimit kanë rënë në 6.8%.

Baret dhe restorantet (akomodimi dhe shërbimi ushqimor) nuk po rezultojnë më aq fitimprurës. Për çdo 100 lekë të gjeneruara, në 2017-n fitohej vetëm 6.6 lekë.

Por përtej ftimeve të mundimshme, ka disa biznese që u gëzohen normave të larta të fitimit, mbi 50%. “Monitor” ka renditur 10 kompanitë VIP me norma më të larta ë fitimit në vend (fitimi para taksave/ardhurave), përpunuar nga renditja e 200 kompanive me fitime më të larta në vend.

https://www.monitor.al/200-kompanite-me-fitime-me-te-larta-joshja-e-tendereve-dhe-koncesioneve-2

“BFI Trade”, pjesë e grupit Balfin, ka rezultuar si kompani më fitimprurëse në vend, me një normë prej 97% në vitin 2018. Burime nga grupi “Balfin” pohuan se shoqëria operon si agjente në shitblerje në tregun e mineraleve, prandaj e ka të pastër komisionin që përfiton si xhiro/fitim. Pra, vlera që pasqyrohet si xhiro është vlera e pastër e komisionit. Shpenzimet operative janë të ulëta në këtë lloj biznesi.

“Alb-Energy”, në pronësi të kompanisë së ndërtimit “Alb-Building” dhe aktivitet në prodhimin e energjisë, renditet e dyta ndër subjektet me normë më të lartë përfitueshmërie, me 77% dhe ndodhet në këtë listë për të dytin vit radhazi. Aktorët e tregut pohojnë se në përgjithësi, në biznesin e hidrocentraleve, norma e fitimit arrin në maksimumi 30%, për shkak të kostove të administrimit të biznesit. Për më tepër, ky lloj biznesi është i varur nga kapriçiot e natyrës, ku viti 2018 p.sh., rezultoi i mbarë, ndërsa 2019 është krejt i kundërt.

Moti me reshje ka favorizuar dhe “ENERGJI ASHTA” dhe “Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare” (Sh.a. KESH), që kanë raportuar norma përkatësisht prej 65 dhe 56%.

“EKMA Albania”, me aktivitet shitje, blerje, dhënie/marrje me qira të pronave të paluajtshme, është renditur këtë vit e treta si kompania me normë më të lartë fitimi në vend, prej 72%, nga 76.1%, vitin e mëparshëm. Në vlerë absolute, fitimet ishin 367 milionë lekë, me një rënie të lehtë në raport me vitin e kaluar. “EKMA Albania” administron tregun agroushqimor në hyrje të kryeqytetit të vendit. Autoriteti i Konkurrencës e ka gjobitur “EKMA Albania” për abuzim me konkurrencën në këtë treg, pasi çmimet e qirasë janë disa herë më të larta se ato që aplikohen në këtë zonë dhe, nga ana tjetër, tregtarët nuk kanë alternativa të tjera për të marrë mjedise me qira.

Qendra tregtare “Tirana East Gate”, pjesë e grupit “Balfin”, është për të dytin vit në listën e më fitimprurësve. Me një kthim prej 59%, nga 49% që ishte vitin e mëparshëm. Në vlerë absolute, fitimet ishin 686 milionë lekë, me rritje 33% me bazë vjetore, ndonëse konkurrenca mes qendrave tregtare është shtuar ndjeshëm vitet e fundit.

“Port Construction”, e krijuar në vitin 2010, me aktivitet shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike të objekteve publike e private, raportoi një normë fitimi prej 52% për vitin 2018, duke raportuar fitime prej 258 milionë lekësh, me një rritje të ndjeshme në raport me vitin e mëparshëm.

Koncesioni i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, “Tirana International Airport”, vijon të renditet edhe në këtë listë, me një normë prej 49%.

“PEGASUS”, me aktivitet në tregtimin e produkteve farmaceutike, ka hyrë në dhjetëshen e më fitimprurësve, pasi raportoi një normë prej rreth 49%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of