Pajaj: Garanton vazhdimin e aktivitetit të biznesit. Rekomandohet, krijimi i burimeve nga kompanitë dhe ndërveprimi mes punonjësve
Kompanitë në Kinë, fillimisht për shkak të gjendjes nga koronavirusi, nisën të zbatonin modelin e të punuarit në shtëpi, apo siç njihet ndryshe puna e zgjuar. Pas Kinës, ky model nisi të zbatohet edhe në vendet e Europës që u prekën nga virusi. Puna në distancë po zbatohet edhe në Shqipëri.
Roden Pajaj, drejtor i burimeve njerëzore në kompaninë “Deloitte”, në intervistën për “Monitor ekonomi” u shpreh se avantazhi i këtij modeli ndryshe të të punuari është se garanton vazhdimin e aktivitetit të biznesit. Zoti Pajaj rekomandon, si mjaft të rëndësishme për realizimin e punës të zgjuar, krijimin e resurseve nga kompanitë, ndërsa punonjësit duhet të zbatojnë ndërveprimin mes tyre mes videokonferencave apo telefonatave.
Zoti Pajaj, si po zbatohet nga kompanitë puna e zgjuar, apo siç njihet ndryshe puna në distancë për shkak të situatës nga koronavirus?
Në situatën emergjente, në të cilën ndodhemi, të punuarit në shtëpi nuk është nevojë, por domosdoshmëri. Nuk është më një politikë, lehtësuese, motivuese për punonjësit që kanë nevojë të punojnë nga shtëpia por është e domosdoshme.
Sigurisht që të punuarit në shtëpi duhet të jetë e inkorporuar në kulturën e kompanive. Kjo është një praktikë që po zbatohet në vende të ndryshme të botës, por megjithatë, rezulton që kompanitë ende nuk janë gati. Ndryshimi i modelit të të punuarit në distancë ka rrëzuar shumë paradigma.
Së pari, të qenët në punë është baras me produktivitet. Kjo nuk është e vërtetë, pasi është treguar që të punuarit në distancë nuk cenon produktivitetin, nëse zbatohen disa parametra.
Prezenca dhe ndërveprimi social mes punonjësve është shumë i rëndësishëm në punë, por në kushte të tilla duhet gjetur mënyra për të vazhduar aktiviteti i biznesit.
Për realizimin e punës në distancë, çfarë rekomandohet për kompanitë dhe punonjësit?
Për t’u mundësuar puna në distancë, kompania duhet të ketë të gjitha resorset. Punonjësit duhet të jenë të qetë për t’u ndërlidhur me të gjitha platformat, si dhe për t’u ndërgjegjësuar për çështje pune. Është shumë e rëndësishme edhe realizimi i videokonferencave, për të ruajtur ndërveprimin, pasi 70% e komunikimit bëhet me gjuhën e trupit.
Ajo që do të rekomandonim në të tilla raste është se, pavarësisht frikës për mbrojtjen e të dhënave personale, të përdoret videokonferenca dhe kamerat të mbyllen kur përfundon takimi. Po ashtu, nevojitet të ekzistojë besimi brenda kompanisë për t’u mbrojtur të dhënat personale, të sekretit tregtar dhe ato të klientëve.
Të punuarit në distancë nuk është e përshtatshme për çdo lloj biznesi, sepse varet nga industria. Nëse kemi të bëjmë me industrinë e prodhimit, ku nevoja dhe kontributi i punonjësit është shumë i rëndësishëm, kjo do të jetë e pamundur.
Ajo që i takon kompanive të bëjnë, me qëllim që të mos ndërpresin aktivitetin, është e nevojshme të kryhet një analizë se cilat punë dhe punonjës mund të punojnë në distancë. Po ashtu, duhet të mundësohet edhe infrastruktura e nevojshme për të punuar. Nga pikëpamja e punonjësve për të pasur eficencë në punën në distancë, janë disa rekomandime.
Së pari, familjarëve duhet t’u shpjegohet që kjo është punë, ku ndryshon vetëm distanca, dhe nuk ndodhemi në shtëpi për pushim, por jemi duke punuar.
Së dyti duhet të krijohet një rutinë e përditshme. Puna të nisë herët në mëngjes.
Së treti, brenda mundësive të gjithsecilit të krijohet një ambient i veçantë që shkakton sa më pak shkëputje nga puna. Komunikimi nuk duhet të jetë vetëm nëpërmjet postës elektronike apo aplikacioneve smart, por edhe nëpërmjet videove dhe telefonatave.
Këto janë masa të përkohshme. Në këtë situatë emergjence, këto politika quhen politikat e kohës të punës fleksibël. Ka disa forma të të punuarit në distancë. Fatmirësisht legjislacioni ynë, edhe me ndryshimet që janë bërë në Kodin e Punës e njeh telepunën. Shumë kompani kamë investuar dhe krijuar kushtet e duhura për të zhvilluar punën në distancë.
Cilat janë anët pozitive dhe ato negative të të punuarit në shtëpi?
Në aspektin e situatës ku gjendemi, lind pyetja se nëse kemi zgjidhje tjetër për të mbajtur biznesin në këmbë? Patjetër që nuk është e njësoj të punuarit në distancë me të punuarit në ndërveprim. Kjo pasi siç e përmenda duhet të jemi të përgatitur mendërisht, duhet të ngrihen kushtet për të punuar në një formë ndryshe, siç është kjo.
Ana pozitive është se biznesi vazhdon aktivitetin, si dhe njerëzit vazhdojnë të jenë të angazhuar në detyrat e tyre. Kjo situatë, gjithashtu do të sjellë në të ardhmen, ndryshimin e sjelljeve në kompani, çka përkthehet në burim të reduktimit të kostove të tyre, sidomos tek ato biznese që duhet të zhvillojnë takimet në vende të ndryshme dhe duhet të mbledhin punonjësit. Mund të jetë edhe një reduktim i kostove edhe për atë që quhet segment alternativ i forcave të punës, që jo dosmosdoshmërisht mund të jenë prezent në kompani. Të gjitha këto kalkulohen në koston e një kompanie për punën.
Pra, e thënë ndryshe, nëse do të duhet që për 200 punonjës një sipërfaqe 1000 m2, në një të ardhme nëse kjo bëhet pjesë e punës, nuk do të nevojitet kjo sipërfaqe. Pra mund të jetë një mundësi për të ardhmen për përmirësimin e kostove të kompanive.
“Lufthansa Industry Solutions” zgjedh të punojë nga shtëpia
Rreth 210 punonjës të kompanisë “Lufthansa Industry Solutions” do të punojnë nga shtëpia për 3 javë, për shkak të karantinimit të vendit nga koronavirusi. Përfaqësues të kompanisë thanë për “Monitor” se janë marrë masat e nevojshme paraprake për të garantuar vijueshmërinë e punës. Kompania thotë se janë kryer investimet e duhura për të zhvilluar punën në distancë.
“Në një situatë si kjo që po përjetojmë, e duke ndjekur të gjithë udhëzimet përkatëse të dhëna nga Qeveria dhe institucionet e shëndetit publik, LHIND e ka përqafuar idenë e të punuarit remote edhe një herë më tepër, duke u dhënë kështu mundësinë të gjithë punonjësve tanë të punojnë të sigurt në kushtet e shtëpisë.
Aktualisht në selinë tonë në Tiranë janë 210 punonjës, të cilët duke nisur prej datës 13 mars e deri më 3 prill do të punojnë nga shtëpia. Ekipi ynë i inxhinierëve ka bërë të gjitha testimet e nevojshme paraprake për të siguruar që asgjë nuk do të cenojë vazhdimësinë dhe cilësinë e punës. Infrastruktura e nevojshme për të punuar në këtë mënyrë u mundësohet të gjithë punonjësve, që në ditët e tyre të para në LHIND.
Atyre duhet vetëm të kenë lidhje interneti në shtëpi dhe të marrin nga zyra të gjitha pajisjet e nevojshme të punës, si laptop, adaptor, monitor e çdo gjë që atyre do t’ua lehtësonte punën”, sipas deklaratës të kompanisë.
Për ndërveprimin e punës mes punonjësve, “Lufthansa Industry Solutions” shprehet se ka ngritur edhe një strukturë të posaçme komunikimi të përditshëm, nëpërmjet disa platformave online, si Skype for Business apo Microsoft Teams, në mënyrë që të bëhet një ndjekje e vazhdueshme e ecurisë së punës dhe çdo problematike që mund të haset gjatë rrugës.
Kompania thekson se të punuarit nga shtëpia është një ndër politikat e saj dhe punonjësit janë të familjarizuar me këtë model të punuari. “Kjo do të thotë, se të gjithë punonjësit tanë, kanë të drejtë të punojnë të paktën dy herë në muaj remote në kushte normale. Ndër të tjera, duke qenë se baza e kompanisë sonë është në Gjermani, punonjësit e LHIND tashmë janë mjaft të familjarizuar me idenë e të punuarit remote dhe çdo gjë funksionon më së miri. Jemi të bindur se kështu do të jetë edhe gjatë këtyre tre javëve në vazhdim”, shprehet kompania “Lufthansa Industry Solutions”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Aman se na vdiqen keta te BIG4 me smart work-un e tyre. Kultura e dhunes e aplikuar ne nje model pune te stilit fasonist, ditet e sotme shitet si must vetem per faktin qe je pjese e nje korporate. Te nxjerrin foto ca njerez te bere peshk nga mengjesi ne darke nga eproret e tyre, te cilet pavaresisht se nga fytyra nuk shfaqin as ndonje inteligjence te spikatur as ndonje aftesi socializuese dalluese, sikur jane njerezit me te lumtur ne bote vetem per faktin qe punojne ne nje BIG4. Nejse, marketingu i tepruar i tyre kohet e fundjt, te ben… Read more »