Kompanitë shumëkombëshe; Kush fiton nga investimet e huaja?

14/09/2019 10:03 PM 0 komente

Një studim i ri tregon se fitimet janë të pabarabarta

 

Shawnea Rosser fitonte mbi 29 dollarë amerikanë në orë kur punonte për General Motors në Dejton, Ohio. Në vitin 2008, fabrika u mbyll. Vite më vonë, ndërtesa u ble nga Grupi Fuyao, një kompani kineze shumëkombëshe që prodhon produkte qelqi, shkruan The Economist.

Drejtuesit e rinj amerikanë premtuan se ky projekt “historik” do të krijonte vende të reja pune për vendasit, duke siguruar të ardhmen e tyre. Por, pasi filloi punën e re, znj. Rosser, paguhej vetëm 12.84 dollarë amerikanë në orë. Vështirësia me të cilën u përball znj. Rosser dhe shumë nga kolegët e saj u shpjegua edhe në “Fabrika Amerikane”, një dokumentar që u shfaq në Netflix më 21 gusht ku tregohen të gjitha tensionet që lindën nga marrja e pronësisë në dorë nga të huajt.

Ka pakënaqësi në mesin e punëtorëve amerikanë, por burimi i kësaj pakënaqësie është i paqartë. Situata mund të reflektojë thjesht realitetin pas krizës në fabrikat prodhuese amerikane ose ajo mund të jetë shkaktuar si pasojë e praktikave të ndryshme të punësimit të ndjekura nga kinezët. Një studim i ri, i kryer së fundmi, shpjegon edhe se kush janë ata që përfitojnë më shumë kur investitorët e huaj hapin fabrika apo kompani në shtete të tjera, jo ato të origjinës së tyre. Në fakt, kompanitë e huaja i paguajnë rreth 25% më shumë punëtorët në krahasim me kompanitë amerikane.
Kjo mund të ndodhë sepse ata punësojnë punëtorë relativisht të kualifikuar.

Bradley Setzler dhe Felix Tintelnot nga Universiteti i Çikagos kanë kryer një kërkim studimor për të parë sesa është paga e vërtetë e punonjësve. Ekonomistët analizuan se çfarë ndodh kur punëtorët amerikanë lëvizin nga një kompani te një tjetër. Ata zbuluan se kur një punonjës lëviz midis dy kompanive me pronësi amerikane, paga e tij nuk ka pothuajse asnjë ndryshim, ose ndryshimi është i papërfillshëm. Ndërsa kur ata zhvendosen nga një kompani me pronësi amerikane te një kompani me pronësi të huaj, pagat e tyre rriten me 7%.

Dhe kur ata lëvizin nga një kompani me pronësi të huaj tek një kompani me pronësi amerikane, pagat e tyre bien. Z. Setzler dhe z. Tintelnot zbuluan se nga rritja e pagave kur punonjësit lëviznin nga një kompani me pronësi amerikane te një kompani me pronësi të huaj ishin veçanërisht punonjësit e kualifikuar. Ndërsa ata që nuk ishin të kualifikuar nuk është se e kishin vënë re një ndryshim në pagën e tyre kur lëviznin nga një kompani me pronësi amerikane te një tjetër me pronësi të huaj.

Studiuesit hetuan mbi faktin nëse vendi i origjinës së një firme mund të ketë rëndësi në nivelin e pagës që pastaj ajo mund të ofrojë për punonjësit e tyre. Sigurisht që vendet më të pasura kanë tendencë që të ofrojnë paga më të larta për punonjësit. Kështu për shembull, kompanitë nga Norvegjia dhe Zelanda e Re ofrojnë paga më të larta për punonjësit e tyre në krahasim me firmat nga Meksika dhe Tajvani.

Dy ekonomistët llogaritin mesatarisht se midis periudhës 2010 dhe 2015, firmat në pronësi kineze i paguan punonjësit rreth 4% më pak se ato në pronësi amerikane, për të njëjtat pozicione pune. Sigurisht që ky nuk është një hendek i madh nëse do ta krahasonim me rënien e pagës në orë të znj. Rosser kur punonte për GM dhe më pas për Fuyao Group. Kur niveli i pagës bie në nivele si ai i znj. Rosser, atëherë vështirësitë me të cilat duhet të përballesh janë të mëdha.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of