Kur mbështetësi privat i altFINS u tërhoq nga një marrëveshje financimi në mars, për shkak të pandemisë së koronavirus, kompania startup sllovake kishte një mundësi tjetër – firmën sipërmarrëse të financuar publikisht, Crowdberry.
Pasi humbi marrëveshjen fillestare në nëntor, Crowdberry arriti të sigurojë kushte më të mira herën e dytë, ndërsa altFINS mori paratë e nevojshme. “Kjo ishte rruga e rezistencës më të vogël dhe Crowdberry ishin një partner strategjik shumë i mirë”, tha themeluesi i altFINS, Richard Fetyko, kompania e të cilit po zhvillon një platformë në internet për të tregtuar asete dixhitale.
Marrëveshja është një shembull se si disa firma sipërmarrjeje të mbështetura nga publiku po dalin garant për të siguruar likuiditet për kompanitë e vogla në vendet ish-komuniste si Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria, ndërsa investitorët privatë tërhiqen nga skena.
“Një numër i kompanive në zhvillim nuk do të kenë zgjidhje tjetër përveçse t’i përdorin këto fonde sepse investitorët privatë do të jenë shumë të kujdesshëm për shkak të pandemisë”, tha për Reuters, partneri i Crowdberry, Michal Nespor.
Para pandemisë, shumë kompani startup në Europën Qendrore dhe Lindore (EQL) zgjodhën investitorët privatë, të cilët shpesh ofrojnë vlerësime dhe lidhje më të mira për investitorët globalë, në vende si Silicon Valley, për raunde më të mëdha fondesh më vonë, thonë themeluesit e ndërmarrjeve dhe firmat e sipërmarrjeve.
Por me shterimin e parave private, ato po i drejtohen gjithnjë e më shumë opsioneve të financuara nga publiku, ndërsa kërkojnë të krijojnë “njëbrirëshin” e ardhshëm të rajonit prej 1 miliard dollarësh, duke ndjekur gjurmët e tregut online polak Allegro, firmës rumune të softuerit UiPath, dhe anëtarit të ri të FTSE 100, Avast.
Martin Bodocky, partneri i përgjithshëm i firmës çeke të sipërmarrjeve të financuar nga publiku, Nation 1, tha se kompanitë si ajo e tij, ofruan stabilitet më të madh se investitorët privatë, dhe partnerët e tyre të kufizuar kanë më shumë të ngjarë të vazhdojnë të sigurojnë para gjatë një krize.
“Financimi publik ofron mbrojtje dhe avantazh. Ne nuk presim që ndonjë firmë kapitali të falimentojë”, tha ai.
Pjesa më e madhe e parave që derdhen në fondet e kapitalit të sipërmarrjes në EQL, vijnë nga Fondi Europian i Investimeve (FEI), tha Michal Kosina, menaxheri i FEI, përgjegjës për disa programe investimesh të përqendruara në EQL.
Megjithëse FEI financon firmat në të gjithë Europën, ai mund të marrë masa të veçanta për fondet e EQL, duke pasur parasysh mungesën e përgjithshme të investitorëve privatë – sidomos institucionalë, në këtë rajon, shtoi ai.
“Në kohë krize, partnerë të kufizuar mund të mos kenë të njëjtën dëshirë për këtë kategori asetesh dhe në disa raste mund të përpiqen të rinegociojnë angazhimet e tyre ekzistuese”, tha ai. “Pra, në këtë kuptim, kapitali publik në rajon është i mirë për fillestarët, sepse me burimet publike, paratë mbeten atje”.
Vendet e EQL ofrojnë një mori avantazhesh për bizneset e reja, duke përfshirë një traditë të gjatë të të diplomuarve që janë mjaft të aftë në matematikë dhe shkenca kompjuterike dhe një bazë me kosto të ulët, e cila i lejon sipërmarrësit të bëjnë më shumë me më pak shpenzime teksa kompanitë rriten.
Në vitin 2019, fondet e sipërmarrjes së EQL arritën afro 1.4 miliardë euro (1.6 miliardë dollarë), duke u rritur nga 223 milionë euro në vitin 2013, sipas të dhënave nga firma kërkimore e financimit Dealroom.co. Rajoni ka prodhuar 12 kompani të suksesshme, me një vlerë të kombinuar, prej 30 miliardë eurosh, dhe ofron një mjedis premtues për kompanitë startup.