Qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar 311 milionë euro pagesa për katër koncesione për 10 vitet në vijim. Por nëse kjo shumë do të investohej në shërbimet e sektorit publik, padyshim që Shqipëria do të kishte shërbimet mjekësore më të mira në rajon dhe njësoj si në vendet e zhvilluara. Një ish-ministër shëndetësie, në kushtet e anonimatit, tha se me këtë shumë, vendi do të kishte të paktën 5 qendra të mëdha spitalore dhe do të plotësonte të gjitha nevojat e shërbimit parësor me pajisje mjekësore si laboratorë, eko, skanerë etj.
Sektori i Shëndetësisë, historikisht ka qenë i nënfinancuar në Shqipëri, duke u vërtitur në mes 2-2.5% të PBB-së ndër vite. Me këto financime, shëndetësia shqiptare është më pak e financuar se në të gjitha vendet e Europës. Për rrjedhojë, shqiptarët paguajnë nga xhepi 50% të kostove të shërbimeve shëndetësore që sipas Bankës Botërore, që ka bërë këtë matje, është niveli më i lartë në Europë.
Nisur nga kjo situatë, Ministria e Shëndetësisë ka autorizuar rritjen e financimeve për sektorin gjatë viteve në vijim në mbi 3,5% të PBB-së nëpërmjet politikës së koncesioneve. Por analiza e çmimeve tregon se kostoja (pa analizuar cilësinë e shërbimit) është shumë e lartë. Koncesioni i Check Up, që nisi punë në shkurt të vitit 2015, në të cilin ka bërë edhe të gjitha investimet, arriti të realizojë një fitim vjetor prej 46 milionë lekësh, ose rreth 300 mijë eurosh. Kompania ndërkohë mori dyfishin e pagesave për kontrollin e 475 mijë personave, pavarësisht se realisht ishin drejtuar për kontroll tek check up vetëm 240 mijë persona. Qeveria e paguan kompaninë me 12 euro për çdo kontroll, teksa pjesa më e madhe e analizave kushtojnë në laboratorët privatë jo më shumë se 3 euro.
Koncesioni i shërbimit të sterilizimit të sallave është një tjetër shpenzim nga arka e shtetit me kosto të larta – vlerësojnë specialistët. Kompania Saniservis, e cila ka fituar koncesionin 12,3 miliardë lekë për periudhën 2016-2025, u regjistrua në QKB në korrik të 2015, duke raportuar vetëm detyrime rreth 35 milionë lekë në bilancin dhe asnjë të ardhur. Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, Saniservis paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët dhe 266 lekë për ndërhyrjet dhe 266 lekë për paketimet.
Për rrjedhojë, kostoja e sterilizimit të sallës në një operacion normal është 275 euro. Burimet në spitalin Hygea pohuan se kosto e sterilizimit në spitalin e tyre është disafish më e ulët, teksa infeksioni spitalor është zero.
Për shkak të kësaj skeme në spitalet publike kushton më shumë sterilizimi i veglave se sa operacioni, po të marrim në konsideratë pagesat e punonjësve të shëndetësisë në një muaj.
Gjithashtu është vënë në funksion shërbimi i dializës për periudhën 2016-2025, me vlerë 9.47 miliardë lekë (70 mln euro), por Gazmend Koduzi pohon se, kjo vlerë është e lartë në krahasim me skemën që ishte në fuqi për këtë shërbim. Koduzi tha se QSUT kishte kontratë me spitalet private dhe paguante një tarifë fikse për çdo të sëmurë me dializë që merrte shërbim nga spitalet private dhe në këtë mënyrë, tha ai, kostot kanë qenë më të ulëta se aktualisht.
Koncesioni i laboratorëve është i katërti që po aplikohet në sektorin e shëndetësisë dhe për të njëjtin shërbim ofron shpenzime nga buxheti tre herë më të larta se aktualisht.
Fondet për check up, si u ulën rrogat për personelin shtetëror
Disa muaj para se koncesioni i check up të niste nga puna, qeveria Rama vendosi që të ulë rrogat në shërbimin parësor, duke hequr dy shpërblime në vit që punonjësit në këtë nivel merrnin si pagesë për performancë.
Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë dhe si rrjedhojë, stafet mjekësore në sektorin publik kryejnë vizita shpesh sa dhjetëfishi i kolegëve të tyre në vendet e zhvilluara. Për këtë ngarkesë, qeveria në vitin 2007 vendosi të motivonte shërbimin parësor në shëndetësi me dy rroga shpërblim në vit, të cilat i hoqi po me VKM në vitin 2014. Gazmend Koduzi thotë se duke hequr shpërblimin për personelin e parësorit, qeveria Rama kurseu rreth 5 milionë euro në vit, të cilat siç u pa një vit më pas, shkuan si financim për check up.
Koncesioni i check up bën analizat e gjakut komplet dhe të urinës, vizitë kardiologu, por sipas Koduzit këto janë të pamjaftueshme për të parandaluar sëmundshmërinë. Mjekët thonë se parandalimi i sëmundjeve kërkon akses në eko abdominale falas, në mamografi falas, në grafi të mushkërive falas për të gjithë dhe në ekzaminimin e qafës së mitrës, si mënyrat më efikase për evidentimin e sëmundjeve vdekjeprurëse në faza të hershme.
Plani për koncesione të tjera në shëndetësi
Koncesionet me Partneritet Publik-Privat janë vënë në themel të politikave shëndetësore edhe për këtë vit.
Koncesionet e monitorimit online të barnave, monitorimit online të recetave dhe regjistri elektronik i rekordeve shëndetësore do të nisin punë këtë vit.
Lajmi u njoftua në Strategjinë e Shëndetësisë 2017-2020, ku bëhet e ditur se përveç implementimit të check-up-ëve për popullatën e grupmoshës 40-65 vjeç, Partneriteti Publik-Privat do të shtrihet drejt programeve dhe shërbimeve madhore shëndetësore, si për shembull instrumenteve kirurgjikalë; dializa; paketa e trajtimit të SJT; shërbimeve laboratorike; mbetjeve spitalore, etj. Gjithashtu Partneriteti Publik-Privat do të përfshijë edhe monitorimin online të barnave dhe të dhënave shëndetësore.
Përveç koncesionit të shërbimeve laboratorike që tashmë është në finalizim, edhe katër koncesione të tjera janë planifikuar të nisin këtë vit.
Koncesioni i trajtimeve të mbetjeve spitalore është në fazën e përgatitjes. Një kompani private do të licencohet për të trajtuar posaçërisht mbetjet spitalore.
Koncesioni i dytë është për monitorimin “online” të lëvizjeve të barnave në depot e kontraktuara. Ky koncesion ka për qëllim realizimin e regjistrimit online të aktivitetit të distributorëve farmaceutikë. Autoriteti kontraktor do të jetë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Koncesioni i tretë është Regjistri Elektronik i Rekordeve Shëndetësore (Electronic Health Record (EHR) që do të funksionojë nga ky vit e në vazhdim. Ky regjistër do të jetë një portal mbi historikun e pacientit nga informacioni i sistemeve që Fondi disponon. Do të krijohet një databazë shëndetësore për çdo pacient.
Koncesioni i katërt është “Receta Elektronike” (e-Prescription) që ka në themel përshkrimin online të barnave të rimbursuara. Autoriteti kontraktor është Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ky projekt me Partneritet Publik-Privat ka nisur të aplikohet që në disa qytete pilot dhe më pas do të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë.
Kufiri i koncesioneve
Ministria e Financave vlerëson dhe miraton, paraprakisht, të gjitha projektet koncesionare dhe të Partneritetit Publik-Privat (PPP), si dhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve, individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale.
Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.
Kufiri i lejuar prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës, pra i vitit 2016, është rreth 18.7 miliardë lekë.
Kësisoj, kufizimi ligjor i sipërcituar rezulton i respektuar, pasi rezulton se pagesat vjetore neto për kontratat koncesionare apo PPP për vitin 2017 të parashikuara në masën 7.4 miliardë lekë përbëjnë rreth 2% të totalit të të ardhurave tatimore faktike për vitin 2016.
—————
Koncesionet, si u rritën çmimet për qytetarët
Teksa Shqipëria është në kulmin e lëshimit me koncesion të shërbimeve publike ndaj privatëve, praktikat shqiptare të këtyre investimeve janë të frikshme. Bizneset dhe qytetarët shqiptarë po paguajnë edhe për shërbime që nuk u ofrohen kurrë.
Vetëm te nafta, konsumatorët paguajnë 2 lekë për litër ose rreth 15 milionë euro në vit, që shkojnë të ardhura për koncesionet e skanimit dhe markimit të karburanteve. Shoqata e Hidrokarbureve pohoi se, edhe pse nafta as nuk markohet dhe as nuk skanohet, biznesi paguan tarifat të cilat janë përfshirë në çmime 2 lekë për litër. Ministria e Financave e ka një dosje me prova se koncesionari i markimit, GFI Albania, nuk ka kryer asnjë investim dhe është në shkelje të plotë të marrëveshjes, por nuk po ndërhyn, duke e lënë kompaninë të operojë në vullnetin e saj.
Grosistët e cigareve pohuan se kosto e pullës fiskale është rritur me tre herë me dhënien e saj me koncesion ndaj kompanisë SICPA. Vitin që shkoi llogariten 3.2 milionë euro pagesa vetëm për pullën fiskale nga grosistët e cigareve, të cilat janë transferuar në çmimet për konsumatorët fundorë, me më shumë se 2 lekë për paketë, ndërkohë që importi i cigareve është në rënie pikiatë dy vitet e fundit, çka tregon se ky shërbim nuk ka kryer funksionin e tij, atë të uljes së informalitetit.
Bizneset në Portin e Durrësit paguajnë një tarifë 50 lekë për paletë, e cila nuk është në librin e tarifave që ushtrohen në port, por vilet nga koncesionari Albanian Ferry Terminal dhe qeveria nuk ndërhyn. Sapo ka nisur nga puna koncesioni i skanimit në dogana Rapiscan dhe për shkak të një gabimi në rinegocimin e kontratës, biznesi e pagoi fillimisht dy herë tarifën 22 euro për çdo deklaratë doganore, ndërsa financat u detyruan ta rishikojnë marrëveshjen, me koston që tani do ta mbajë vetë buxheti.
Tarifa është çmimet e mallrave të importit rrezikon ta bëjë Shqipërinë më pak konkurruese në tranzitimin e mallrave në rajon. Absurditeti qëndron në faktin se këtë tarifë e paguajnë edhe importuesit që nuk e marrin këtë shërbim dhe se një praktikë e tillë nuk aplikohet në asnjë vend europian.
Për shkak të koncesionit në Aeroportin Nënë Tereza, Shqipëria ka çmimet e biletave të avionëve të paktën 30% më të shtrenjta se në rajon.
Britanikët e Crown Agents, të cilët dështuan në përmbushjen e detyrimeve për të rritur të ardhurat doganore me 100 milionë dollarë në vit, kanë përfituar ndërkohë pagesat 8.5 milionë euro në këto dy vite nga taksapaguesit shqiptarë.
Por të gjitha këto disfata nuk po shërbejnë si mësim për më shumë maturi në kontrata të tilla në të ardhmen. Përkundrazi si kurrë më parë, institucionet shqiptare janë përfshirë në valë të ethshme koncesionesh, bilanci i të cilave lajmëron pasoja. Vetëm Ministria e Shëndetësisë dha vitin e fundit katër koncesione, Check UP, kontrollin bazë mjekësor, shërbimin e hemodializës, sterilizimin dhe përpunimin e mbetjeve spitalore, ndërsa është në proces dhënia me koncesion e shërbimit laboratorik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.