Koncesionet e pakërkuara, debate pro dhe kundër ligjit ndalues

24/01/2019 10:11 AM 0 komente

Nisma e qeverisë, për ndalimin e koncesioneve të pakërkuara në infrastrukturë duke filluar që nga 1 korriku i këtij viti, shihet si pozitive nga Sekretari i Komisionit të Ekonomisë, Anastas Angjeli.

Ai thotë se janë 3 elementë kryesorë: data e hyrjes në fuqi, monitorimi i investimeve të kryera, si dhe vendosja e rregullave të forta për përdorimin e financave publike.

“Ky kontroll nuk është thjesht për përdorimin e këtyre fondeve, por është edhe në anën tjetër. Ana tjetër presupozon ndikimin që kanë këto investime në menaxhimin e financave publike, po me efektivitet nga pikëpamja e ruajtjes së kufirit të borxhit publik”, shprehet Angjeli.

Nga ana tjetër, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku thotë se asgjë nuk e ka penguar deri më tani qeverinë, që të mos jepte kontratat e partneritetit publik-privat në infrastrukturë, të cilat do ta rrisin sipas saj me 2.2 miliardë euro borxhin publik.

“Qeveria e ka pasur të gjithë mundësinë, brenda hapësirës ligjore dhe brenda ligjit aktual, që të mos ta bënte këtë për infrastrukturën dhe për akset rrugore, sepse projekti ‘Një miliard’, ashtu siç është konceptuar dhe siç po zbatohet, duke shkuar në 2.2 miliardë tashmë, është rreziku që i kanoset boxhit publik, duke e rritur atë me 12%”, tha Tabaku.

Anastas Angjeli shprehet se, ndryshimet vijnë pas një përvoje të re për Shqipërinë.

“Padyshim që mund të themi se një ndryshim i tillë ishte i domosdoshëm dhe vjen në kohën e duhur”, shtoi më tej Angjeli.

Por, Jorida Tabaku ngre pikëpytje sesa efektiv mund të jetë tashmë ligji.

“Qeveria nuk na ka kthyer ende përgjigje, se përse e nis nga një korriku dhe nuk e nis tani. A ka mbetur ende ndonjë aks rrugor pa u tenderuar dhe pa pasur ofertë të pakërkuar që e shtynë në kohë?”, tha Tabaku.

Top Channel

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of