Koncesionet e porteve turistike me hapa breshke, ende duke mbledhur lejet

30/07/2019 11:30 AM 0 komente

Në vitet 2014-2016 u rrit vëmendja për portet turistike të dedikuar posaçërisht për jahte.

Në ato vite nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por edhe Ministria përgjegjëse për Transportet do të miratoheshin disa koncesione portesh, por sot asnjë prej tyre nuk ka përfunduar. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tregojnë se nga katër porte të dhëna me koncesion, vetëm njëri është përfunduar, por ai nuk ka orientim si port jahtesh.

I pari është porti me koncesion i formës BOT në zonën e Spillesë Kalaja e Turrës në Kavajë. Koncesioni ka një kontratë të nënshkruar. Operatori ka përfunduar marrjen e gjithë licencave dhe lejeve. Punimet civile kanë filluar duke parashikuar që të mbyllen në vitin 2020. Ky port parashikohet të ketë një investim 20 milionë euro dhe është menduar si një projekt i integruar edhe me resorte turistike.

Porti i dytë është ai i jahteve në Durrës, marrëveshja e koncesionit e të cilit u nënshkrua në shtator të vitit 2015. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, nga të dhënat e fundit që janë të qershorit të këtij viti, operatori ndodhet në fazën e mbledhjes së lejeve dhe licencave. Punimet pritet që të nisin pas përfundimit të këtyre hapave. Porti i Jahteve në Durrës parashikohet të ketë një kosto 15 milionë dollarë dhe synon që sipas projektit origjinal të ndërtojë objekte të tjera në funksion të kësaj marine, si dhe të investojë në infrastrukturën që do t’i shërbejë këtij porti.

Porti i tretë, ai i Shëngjinit, është i treti në radhën e porteve të jahteve të dhëna me koncesion. Kontrata me kompaninë fituese u nënshkrua në vitin 2016 duke parashikuar një kapacitet ankorimi për 200 jahte, ndërkohë që vlera e investimit parashikohej në 7 milionë dollarë. Edhe pse kanë kaluar disa vite edhe ky port është në fazën e dokumenteve pra mbledhjes së lejeve dhe licencave dhe pritet që punimet të përfundojnë pas sigurimit të tyre sipas raportimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

I fundit në listë është MBM (Multy Buoy Mooring) Port në Porto Romano që sipas ministrisë pas nënshkrimit të kontratës operatori, ka mbaruar gjithë pjesën e lejeve dhe licencave, si dhe punimet e fazës së parë. Ky port është miratuar për transportin ndërkombëtar.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of