Kompania Dia Vita sh.p.k , që ka aktualisht koncesionin e hemodializës me një afat 10 vjeçar, është shitur tek një kompani suedeze. Kompanitë e përfshira në këtë transaksion Evita sh.p.k dhe Amerikan Hospital që kanë krijuar që në fillesa Dia Vita kanë kërkuar miratim të përqendrimit nga ana e Autoritetit të Konkurrencës. Ky i fundit në një njoftim të këtyre ditëve bëri me dije se pranë institucionit është depozituar njoftimi në lidhje me transaksionin e përftimit të kontrollit të shoqërisë DiaVita SHPK nga shoqëria Diaverum International AB.
“Veprimtaria e palëve pjesëmarrëse: Blerësi: Diaverum International AB, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e krijuar sipas legjislacionit të Suedisë, me aktivitet pronësinë dhe administrimin e aksioneve dhe letrave me vlerë dhe aktivitete të tjera të ngjashme me to. Diaverum International AB është pjesë e grupit Diaverum S.a.r.l, e cila ofron shërbime në kujdesin e veshkave dhe shërbimeve të lidhura me to, duke mos prodhuar apo tregtuar vetë pajisjet e dializës ose mjetet një përdorimesh mjekësore. Diaverum nuk e ushtron aktivitetin e saj në Shqipëri.
Shitësit: Evita SHPK, është një shoqëria me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Shqipërisë me NIPT L31714005J. Evita SHPK zotëron 85% të aksioneve të shoqërisë target Dia Vita SHPK. American Hospital SHA, është një shoqëria me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Shqipërisë me NIPT K61821002C. American Hospital SHA zotëron 15% të aksioneve të shoqërisë target Dia Vita SHPK.
Target: DiaVita SHPK, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Shqipërisë. Objekt i aktivitetit të kësaj shoqërie është zbatimi i kontratës së koncesionit/PPP “Për shërbimin e hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhe, Korçe, Vlore dhe Elbasan”.
Transaksioni:
Më datë 25 Qershor 2019, është nënshkruar “Marrëveshja për shitblerjen e aksioneve”, midis palës blerëse Diaverum International AB dhe shitësve American Hospital SHA e cila zotëron 15% të kapitalit dhe Evita SHPK e cila zotëron 85% të kapitalit të shoqërisë DiaVita SHPK. Transaksioni do të sjellë përfitimin nga Diaverum International AB të 100% të kuotave të DiaVita SHPK, një shoqëri që ofron shërbimet e hemodializës për pacientët me sëmundje të veshkave në Shqipëri nëpërmjet pesë qendrave të kujdesit të shëndetit” detajohet në njoftimin e Konkurrencës. Kjo e fundit nënvizon se nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar sipas kërkesave të ligjit dhe për këtë arsye ky transaksion i është nënshtruar procedurës së njoftimit të përqendrimit duke plotësuar Formularin e Njoftimit të Përqendrimit. Si pasojë ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Ofrimi i Shërbimit të Dializës
Shërbimi i Dializës u dha me koncesion në fillim të vitit 2016, për 10 vjet. Fituesi ishte DiaVita me vlerë 8.6 miliardë lekë. Sipas kontratës me qeverinë DiaVita do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan.
Buxheti ka për t’i paguar kompanisë edhe 5.4 miliardë lekë deri në 2025-n.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.