Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmoi se ka shtyrë deri në fund të vitit 2020 afatin e koncesionit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve. Në një njoftim të këtij institucioni bëhet me dije se shtyja e afatit është bërë me kusht që do të thotë se në kuadër të liberalizmit nëse ka një marrëveshje të re me një subjekt tjetër SGS (konceisonari) njoftohet tre muaj para dhe heq dorë nga çdo pretendim.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e autoritetit kontraktues, ka nënshkruar një shtesë afati të kontratës me shoqërinë “SGS Automotive Albania”, si pjesë përbërëse e Kontratës së Koncensionit “Për dhënien me koncension të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë”.
Bazuar në legjislacionin në fuqi, parashikimet e Kontratës bazë të Koncensionit si dhe kërkesën e shoqërisë “SGS Automotive Albania”, përfaqësuesit e MIE kanë zhvilluar disa takime negociuese me përfaqësuesit e kompanisë koncensionare, në lidhje me shtyrjen e afatit të kontratës.
Në përfundim të këtyre takimeve u vendos të nënshkruhej kontrata shtesë e Koncensionit, në të cilët palët kanë rënë dakord për ndryshimin e përfundimit të kontratës duke vendosur afatin e ri deri më datën 31.12 2020.
Në kontratën shtesë përcaktohet se përgjatë periudhës koncensionare Autoriteti Kontraktues, në kuadër të liberalizimit të tregut të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, mund të kryejë procedurat për lidhjen e një kontratë/marrëveshjeje me subjekte të tjerë për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, e cila do të nënshkruhet pasi të zgjidhet kontrata koncensionare.
Në këtë rast Autoriteti Kontraktues duhet të njoftojë koncensionarin 3 muaj para nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje me subjekte të tjerë për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik. Me përfundimin e afatit 3 mujor të njoftimit, kjo kontratë koncensionare konsiderohet e zgjidhur dhe koncensionari heq dorë nga çdo pretendim për këtë zgjidhje të kontratës” thuhet në njoftimin e MIE.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.