Projekti i rrugës Porti i Jahteve- Bypass Orikum-Dukat Ura e Shën Elizës që do të ndërtohet përmes një partneriteti publik-privat (PPP) duket se do të nisë zbatimin këtë vit çka ka bërë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të nisë kërkimet për shërbimet inxhinierike të pavarura.
Në një procedurë të hapur nga kjo ministri thuhet se Inxhinieri i Pavarur (IP) do të mbikëqyrë dhe monitorojë zbatimin Kontratës së Koncesionit/PPP, miratuar me Ligjin nr.51/2019 , datë 18.07.2019.
Inxhinieri i pavarur do të ketë funksione të lidhura ngushtë me kontratën e koncesionit që nisin nga kryerja e kontrolleve të përgjithshme, auditimit dhe asiston në prova ose hetime në lidhje me Punimet ose Shërbimet, duke pasur në çdo moment liri të pakufizuar për të hyrë në çdo territor ose punishte ku prodhohen materiale, në varësi të ndjekjes së të gjitha procedurave përkatëse të sigurisë.
Po kështu mbikëqyr plotësimin nga Koncesionari të dispozitave të Kontratës së Koncesionit, me përshtatjet përkatëse që lejon Kontrata, dhe informon menjëherë Autoritetin Kontraktues dhe Koncesionarin nëse konstatohet mosplotësim.
Një tjetër e drejtë e inxhinierit të pavarur është hyrja me liri të plotë në Territorin e Projektit në çdo moment të arsyeshëm gjatë të gjithë Periudhës së Kontratës në mënyrë që të kryejë funksionet e tij.
Po kështu ka të drejtë të hyjë në çdo pronë që përdor Koncesionari për realizimin e Punimeve dhe Shërbimeve, për të kontrolluar ndërtimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e Projektit dhe për të ndjekur plotësimin e detyrimeve nga Koncesionari.
I jep raporte ose informacione autoritetit kontraktor që në këtë rast është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndër të tjera jep vlerësim mos pranues për raportet që janë mbështetur në informacione ose të dhëna të gabuara ose që nuk janë në përputhje me këtë Kontratë si dhe ka të drejtë të shikojë, auditojë dhe marrë kopje të evidencave të Koncesionarit në çdo moment.
Rruga Orikum -Dukat dhënë me PPP përmes një gare ku fitues u shpall kompania Gjikuria e cila më herët kishte bërë ofertë të pa kërkuar për vitin 2021 nuk parashikohet që të financohet nga buxheti i shtetit. Vlera e projektit në total llogaritet 9.9 miliardë lekë ndërkohë që për vitin 2021 kompanisë (GJIKURIA) do t’i duhet që të kryejë investimet fillestare me fondet e saj dhe më pas në vitet 2022 dhe 2023 të marrë respektivisht 1 miliardë lekë dhe 959 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.