NE PERDITESIM-Sot në Bruksel po zhvillohet konferenca ndërkombëtare e donatorëve, e thirrur nga Presidentja Komisionit Europian znj. Ursula von der Leyen. Konferenca ndërkombëtare e donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” mbahet pas ngjarjes së tërmetit të 26 nëntorit, ku u prekën rreth 200 mijë qytetarë dhe 51 të tjerë gjetën vdekjen.
Para nisjes së konferencës së donatorëve, mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u nënshkrua marrëveshja për dhënien e grantit prej 15 milionë euro. Marrëveshja parashikon që këto fonde do të përdoren për rikonstruksionin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti.
Konferenca e donatorëve, u hap me fjalën e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Ajo theksoi se Komisioni Europian do të japë 100 milionë euro për rindërtimin.
“I gjithë Bashkimi Europian u mobilizua për vendin që është në zemër të Europës, dhe një ditë do të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Pjesëmarrja mbresëlënëse tregon reagimin e komitetit europian ndaj Shqipërisë. Nevojat e Shqipërisë janë të mëdha dhe duhen adresuar menjëherë. Kostoja e rindërtimit është vlerësuar 1 miliardë dollarë, dhe kjo është arsyeja pse jemi mbledhur këtu, pasi Shqipëria e vetme nuk e përballon dot. Ne do të solidarizohemi me Shqipërinë për rindërtimin e shkollave, spitaleve. Kjo konferencë shënon fillimin e bashkëpunimit për rindërtimin e Shqipërisë. Komisioni Europian angazhon 100 milionë euro për rindërtimin e Shqipërisë, përveç 15 milionë eurove me marrëveshjen për dhënien e grantit”, tha Presidentja e Komisionit Europian.
Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, tha se shtetet anëtare kanë treguar vullnetin e tyre për të ndihmuar Shqipërinë. “Ndihma jonë ka qenë konkrete, dhe këtë po e bëjmë për fqinjët tanë. Ne jemi të vendosur të intensifikojmë marrëdhëniet tona me rajonin. Ne ndajmë interesa në spektrin politik dhe ekonomik”, u shpreh Presidenti Michel.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi si mjaft të rëndësishme rindërtimin e vendit pas ngjarjes së tërmetit.
“Prania e të gjithëve ju më ngroh zemrën. Çdo jetë e humbur ishte tragjedi. E ardhmja është sfiduese, 17 mijë familje kanë mbetur pa strehë. Raporti pas katastrofës tregon se na duhen 1 miliardë euro fonde për riparuar dëmet. Pra duhet të përballemi me dëme, sa 6,4 për qind e PBB-së, tonë. Na ndihmoni me grante, pasi kjo shumë është e papërballueshme për ne. Ajo çka ndodhi në nëntor erdhi nga Zoti, natyra. Ju lutem kuptoni dhe vlerësoni thellësinë e këtyre ndjenjave. Ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama në konferencën e donatorëve, foli edhe për vendimin e liderëve të Bashkimit Europian për moshapjen e negociatave në tetor të 2019-s.
“Tërmeti politik që ne vuajtëm një muaj para tërmetit të nëntorit vinte nga njeriu, dhe ishte si mallkim i historisë që na ndiqte edhe njëherë. Nuk jam këtu për t’i drejtuar gishtin ndokujt. E di që procesi i zgjerimit është një prej çështjeve që keni në diskutim në familjen e BE-së.
Nuk janë kohët më të lehta për të jetuar në union. Por për ne që kemi bërë kaq shumë për të ecur përpara në këto bisedime, mohimi i kësaj lëvizje ishte vërtet një goditje madhe. U tronditëm sikur na ishte marrë fryma. Ne kemi bërë gjithçka që mundëm dhe na u kërkua, dhe sërish përgjigjja ishte “Jo”. Ishin dy goditje të forta, njëra pas tjetrës, por sërish qëndrojmë të fortë dhe plot shpresë, se do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama mbështetjen e Komisionit Europian, siç u shpreh ai për dy tërmetet, politikun dhe fizikun. “Jam i inkurajuar qoftë nga metodologjia e re, ku Franca ka paraqitur për t’u diskutuar dhe gjithashtu, edhe reagimin e Komisionit Europian për të bërë më të mirën. Fundi i vitit 2019 solli dy ditë të këqija për Shqipërinë, por le të shpresojmë që viti 2020 të sjellë të kundërtën”, tha Rama.
Gjermania jep 11 mln euro
Gjermania do të angazhojë 11 milionë euro ndihmë financiare për rindërtimin në Shqipëri. Këtë e bëri të ditur sot Ministri i Jashtëm Federal Heiko Maas në Konferencën e Donatorëve në Bruksel:
“Tërmeti i rëndë i nëntorit, që goditi Shqipërinë, mori 51 jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme serioze. Gjermania ofroi menjëherë ndihmën e saj nëpërmjet ekspertëve të Agjencisë të Asistencës Teknike. Por tani bëhet fjalë për rindërtimin. Qytetarët në zonat e prekura kanë nevojë për banesa, shkolla dhe kopshte. Gjermania vë në dispozicion për këtë 11 milionë euro. Është një dëshmi e fortë e solidaritetit të BE-së me Shqipërinë fakti që Komisioni Evropian po koordinon asistencën ndërkombëtare të emergjencës dhe ka thirrur për këtë qëllim konferencën e sotme të donatorëve”, deklaroi Ministri i Jashtëm Federal Heiko Maas.
Suedia jep 5.6 milionë euro
Suedia do të kontribuojë me 5,6 milionë euro fonde për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit. Shumën që do të jepet u njoftua në konferencën e donatorëve, ministri për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Zhvillim, z. Peter Erikssonmp.
“Suedia po e mbështet Shqipërinë me 5.6 milion euro pas tërmetit. Sot Ministri ynë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim @petererikssonmp është në Bruksel, pjesëmarrës në Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë”, njoftoi ambasada suedeze në vendin tonë.
Italia identifikon 65 mln euro burime financiare
Kryeministri italian Maio: “Ne ishim të parët që ndërhymë në Shqipëri. Që në orët e para aktivizuam njërësit tanë, ne kemi dhuruar tenda, gjeneratorë. I dhamë solidaritetin tonë qytetarëve shqiptarë. Krijuam një task force për t’iu ardhura në ndihmë institucioneve në mbrojtje të monumenteve kulturore. Ne jemi në anën e Shqipërisë. Kemi identifikuar burime financiare për 65 milionë euro, do të përdorim edhe 21 milionë euro të tjera.”
Franca, 160 mln euro projekte
Mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze u nënshkrua marrëveshja për “Themelimin dhe ushtrimin e aktivitetit të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, të Proparco dhe të Expertise France në Shqipëri”. Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Francës z. Jean-Vyes Le Drian. Projektet do të jenë me vlerë 100 milionë euro. Do të japim një hua prej 60 milionë euro për rindërtimin e kanalizimeve të ujit të pijshëm dhe 1 milionë euro do të jetë për ndihmë humanitare.
Hua 160 mln euro nga Banka Botërore
Banka Botërore ofron 160 milionë lekë hua me fokus në sektorin e strehimit. Në të njëjtin projekt janë 6 milionë euro nga BERZH për blerjen e pajisjeve për spitalet.
Banka Botërore aktualisht po jep asistencë teknike për ligjin e fatkeqësive natyrore dhe rimëkëmbjen.
Banka Europiane e Investimeve do të japë 2,5 milionë euro grante për asistencë teknike për rimëkëmbjen.
Të tjerët
Hollanda është angazhuar për të mbështetur popullin shqiptar dhe do të dhurojë 3 milionë euro.
Danimarka do të japë 2 milionë euro në mbështetje të popullit shqiptar.
Polonia mbështet prespektivën europiane e Ballkanit perëndimor. Polonia shpreh solidaritetin për Shqipërinë, si dhe ofron ndihmë financiare 2,7 milionë euro.
Greqia do të angazhojë 2,5 milionë euro për Shqipërinë.
Sllovenia jep 250 mijë euro për rikonstruksionin e shkollave.
Finlanda do të angazhojë 300 mijë euro për rindërtimin e Shqipërisë.
Luksemburgu menjëherë pas tërmetit ofroi 100 mijë euro me Kryqin e Kuq. Do të ofrojnë edhe 150 mijë euro nëpërmjet projekteve të UNICEF në mbështetje të fëmijëve.
Bullgaria do të ofrojë një ndihmë prej 100 mijë për rindërtimin e vendit.
Hungaria do të ofrojë 250 mijë euro për rindërtimin e kishave të dëmtuara.
Mali i Zi do të japë 250 mijë euro.
Serbia do të japë 2 milionë euro grante, në mbështetje të Shqipërisë.
Kosova do të ofrojë një mbështetje shtesë prej 200 mijë euro në formë grante.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.