Konfindustria: Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk shërbejnë prej disa javësh

08/11/2017 12:54 PM 0 komente

Konfindustria ka shprehur shqetësimin lidhur me mungesën e plotë të aktivitetit prej një kohe të gjatë të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sipas informacionit të ardhur pranë Konfindustrisë nga bizneset, thuhet në njoftim, rezulton se në shumë rrethe, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme nuk shërbejnë prej disa javësh. “Kulmin e paraqet Zyra e Regjistrimit të Rrethit të Përmetit, ku ka afërsisht 3 muaj, që praktikisht është e mbyllur dhe nuk shërbehet për bizneset dhe qytetarët. Të prekur janë edhe investitorë të huaj të pranishëm në vend.”-deklarohet nga Konfindustria.

Konfindustria vlerëson më tej se procesi i rifreskimit të stafeve drejtues të zyrave të regjistrimit në asnjë mënyrë nuk mund të justifikojë mbylljen e shërbesës se tyre për bizneset dhe qytetarët. “Pasojat janë të rënda të përllogaritura në kosto të humbjes së kohës dhe drejtpërdrejt në shpenzime financiare shtesë. Proceseve burokratike të garave përzgjedhëse të personelit duhet t’u ishte domosdoshmërisht paraprirë, qoftë edhe me komandime të përkohshme me qëllim që puna të vazhdonte pa u ndërprerë, qoftë edhe një orë të vetme”.

Konfindustria bën me dije në fund se do të kërkojë zyrtarisht nga Kryeministri z. Rama, por edhe vendimmarrja politike në përgjithësi, të ndërhyjnë në një kohë sa më të shpejtë pranë Ministrisë së Drejtësisë për t’i dhënë fund një fenomeni të tillë krejtësisht të paarsyeshëm dhe të papranueshëm, që prodhon pasojat të rënda për bizneset dhe qytetarët, por njëkohësisht edhe ul seriozitetin e institucioneve të shtetit shqiptar para investitorëve të huaj.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of