Konflikt shijesh, jo tregtar!

29/04/2013 3:56 PM 0 komente

Çfarë u bisedua gjatë dy orëve në takimin me dyer të mbyllura mes krerëve të doganave të të dyja vendeve, “faji i mediave”, monopolet dhe mungesa e bashkëpunimit tek informacioni

Nuk ka pasur ndonjëherë konflikt tregtar mes dy vendeve, por thjesht raste sporadike, por që kanë marrë përmasa të mëdha për shkak të mediave. Kështu mundohet të argumentojë drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica. Këtë vlerësim mbështet edhe homologu i tij, ai i Tiranës, Flamur Gjymishka. Pasi qëndruan më shumë se dy orë në takimin e zhvilluar javën e kaluar në një nga ambientet e Ambasadës së Kosovës në Tiranë, krerët e doganave, përfaqësues të ministrive përkatëse të Financave dhe Ministrisë sonë të Jashtme, etj., dolën në një deklaratë të përbashkët për shtyp, përmbajtja në thelb e së cilës ishte prezantimi i një panorame të qetë dhe larg asaj çfarë është pasqyruar deri më tani.

Ambasadori i Kosovës, Sylejman Selimi, u përpoq të bashkonte dy krerët e doganave me synim shuarjen e kontradiktave. “Urojmë të mos ketë më probleme”, shtoi ai, por shefat e doganave të të dyja vendeve ngulnin këmbë se nuk ka pasur asgjë serioze, thjesht probleme teknike, normale, në kuadër të veprimtarisë doganore dhe procedurale. Megjithatë, ata pranojnë se duhet bërë më shumë, në mënyrë që vendet të jenë më bashkëpunuese në shmangien e përplasjeve.

“Çështjet e mosmarrëveshjeve nuk janë qëllim në vetvete, por situata sporadike, teknike, për të cilat mendoj sa pas takimit të sotëm (e enjte, 11 prill 2013) do të sheshohen”, u shpreh Naim Huruglica. Për palën shqiptare, Gjymishka mendon se vendosja e një sistemi të përbashkët elektronik në pikat doganore do të ishte shumë eficient në shmangien e radhëve dhe mosmarrëveshjeve sa u takon tarifave, etj.

Me pak fjalë, ajo çfarë u tha në publik kishte për qëllim amortizimin e konfliktit dhe krijimit të idesë se mes dy vendeve nuk ka asnjë problem, që nuk është se po ndodh ndonjë komplot apo interesash të ngushta tregtare të niveleve të larta qeverisë, e gjetkë.

Megjithatë, pyetja që shtrohet lidhet me faktin se beteja dyvjeçare mes dy vendeve duhet të ketë ndonjë shpjegim nga se shkaktohet? Në fakt, bisedat e realizuara me dyer të mbyllura dëshmojnë se situata është më komplekse se kaq.

“Monitor” ka ndjekur nga afër dhe me vëmendje raportet ekonomike mes dy vendeve, duke analizuar tendencat e shkëmbimeve tregtare, sikurse edhe në takimin e fundit, të një niveli tejet teknik, ka mësuar se çfarë realisht e pengon zhvillimin normal mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Nga bisedat, më i sinqertë në vlerësimet e dhëna duket se është treguar kreu i doganave të Kosovës, sipas të cilit, çështja e penetrimit të mallrave në vendet respektive lidhet me shijet e konsumatorëve. Sipas tij, kosovarët kanë konsumuar prej shumë dekadash produkte të Serbisë dhe se futja në treg e mallrave “made in Albania” është diçka e vështirë t’ua ndryshosh shijet. Të njëjtën logjikë shpjegimi ka dhënë edhe pala shqiptare, sipas të cilës, ne jemi ambientuar me produktet italiane pas vitit ‘91 dhe është e vështirë të ndryshosh mentalitetin e shijeve. Kjo lidhet me gustot dhe ndjesinë e konsumit të një produkti, që konsumatorët e të dyja vendeve e kanë të brumosur në mendje. E thënë ndryshe, edhe nëse qeveritë e të dyja vendeve do të stimulonin tregtinë për volum më të madh shkëmbimesh, sërish kjo mbetet zgjidhje e konsumatorit.

Edhe nëse qeveritë e të dyja vendeve do të stimulonin tregtinë për volum më të madh shkëmbimesh, sërish kjo mbetet zgjidhje e konsumatorit

 

Shkëmbim informacioni dhe stafi

Zyrtarë të doganave të të dyjave vendeve mendojnë se çështja e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë ndikohet edhe nga sjelljet e tregut, përqendrimi i tij, e deri në rastet e monopolit për artikuj të ndryshëm.

Qëllimi i këtij takimi ishte trajtimi i marrëdhënieve ekonomike tregtare sot dhe nesër, me theks të veçantë problemet që kanë dalë në doganat reciproke me rrushin, pataten, çimenton, qumështin dhe miellin dhe rrugëzgjidhja afatgjatë me qëllim të mospërsëritjes në të ardhmen.

Ndërtimi i Rrugës së Kombit, për të cilën qeveria shqiptare shpenzoi 1 miliard dollarë mund t’i ketë afruar në kohë dy vendet, por jo ekonomikisht. Në takimin me dyer të mbyllura, përfaqësuesit e doganave nuk e kanë fshehur merakun për monopolet e krijuara apo për pozicionet që kanë kompanitë për artikuj të caktuar, gjë që e bën paksa të vështirë liberalizimin e tregut mes dy vendeve, pavarësisht dëshirës.

Drejtori ynë i doganave, Flamur Gjymyshka thotë se vendosja e sistemeve të përbashkëta elektronike dhe shkëmbimi i informacionit do të shmangin problemet në të ardhmen.

Diskutime ka pasur edhe për tarifat doganore, duke analizuar me detaje sipas rastit konfliktet e ndodhura. Nëse çfarë është bërë, tashmë i takon së shkuarës, palët po shikojnë mundësinë e ngritjes së një infrastrukture të përbashkët monitorimi. Sa u takon administratave tatimore, zv/drejtoresha e Tatimeve në Shqipëri, Mimoza Kalia, tha se, shkalla tatimore e TVSH ndërmjet dy vendeve është e ndryshme, ndaj është paksa e vështirë realizimi i projekteve të përbashkëta, lidhur me këtë çështje.

Ambasadori i Kosovës, Selimi, kërkoi rishikimin e të gjithë atyre memorandumeve dhe marrëveshjeve që Kosova ka bërë në kohën e UNMIK-ut me Republikën e Shqipërisë, ndërsa shtroi vizionin e zgjidhjes afatgjatë të këtyre rasteve sporadike.

Në takim u diskutua për krijimin e grupeve të punës analoge, të cilat do të merren me vlerësimet e mallrave për eksport në vendin e gjenezës në mënyrë që në doganë të mos ketë asnjë lloj problemi.

Huruglica ofroi mundësinë e këmbimit të doganierëve (ashtu siç bëjnë policitë e të dy vendeve tona), në mënyrë që doganierët shqiptarë të kenë mundësi monitorimi në doganën e Merdares ose e kundërta, doganierët kosovarë në doganat e Portit të Durrësit.

 

Referencat

Urdhri i kryeministrit

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Shqipërisë, Flamur Gjymyshka, deklaron se “kemi marrë urdhër nga kryeministri Berisha që të hiqen përfundimisht referencat për mallrat e Kosovës”. Më herët, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e kishte cilësuar konfliktin tregtar mes dy vendeve, si pjesë e interesave të ngushta ekonomike. “Agresioni që u bë ndaj prodhimeve të disa fabrikave të qumështit këtu, e quaj jashtëzakonisht të nxituar. Unë jam mjek dhe nuk do ta imagjinoja kurrë të pranoja edhe gjënë më të vogël që do të dëmtonte shëndetin e të tjerëve. Por e vërteta është që kemi të bëjmë në rastin konkret, me një betejë transatlantike tregtare”, deklaroi kryeministri.

 

Ambasada e Kosovës:

Kurrë më gjëra të tilla në të ardhmen!

Të gjithë të pranishmit në këtë takim, qoftë ata të administratave tatimore, të agjencive të veterinarisë dhe ushqimeve, të aleancave të bizneseve, të departamenteve përgjegjëse të ministrive të punëve të jashtme të të dy vendeve, vlerësuan nevojën e intensifikimit të eksport-importeve, rishikimin e politikave fiskale dhe vetëdijesimin e qytetarëve për të konsumuar prodhime vendore. “Njëkohësisht, nga të pranishmit u vlerësua së marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, janë në fazën më të mirë të zhvillimit të tyre dhe se problemet çfarë ishin me rrushin, pataten, çimenton, qumështin dhe miellin, nuk guxojnë të përsëriten në të ardhmen. Takimi nxori konkluzionet të cilat do t’u adresohen institucioneve përgjegjëse”, thotë Ambasada e Kosovës në Tiranë.

 

Tregtia

“Historia” e konfliktit dyvjeçar

Edhe pse mes dy vendeve janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, si në nivel të lartë qeveritar, ashtu edhe në atë të biznesit, mes dhomave të tregtisë dhe shoqatave të ndryshme, duhet thënë se përplasjet kanë qenë të shpeshta.

Nisi me pataten, rrushin dhe produktet e bulmetit në vitin 2010, dhe u rëndua në verën e vitit 2011, me akuzën e palës kosovare se shteti shqiptar kishte aplikuar referenca për disa artikuj. “Nëse situata nuk ndryshon, Kosova do të jetë e detyruar të vendosë referenca edhe për mallrat që vijnë nga Shqipëria”, deklaronte zonja Kusari-Lila. Problemi qëndronte te produktet kosovare, siç janë patatja, qumështi, vera, etj. Debati lidhej me referencën për afro 30 lekë të patates së Kosovës.

Ish-zëvendësministri i Financave, deputeti i PD-së, dhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Florion Mima, aktualisht ministër i Ekonomisë dhe njohës i sistemit fiskal të Kosovës, luante rolin e negociatorit për zgjidhjen e krizës tregtare mes dy vendeve. Vizitat e tij të shpeshta në Kosovë komentoheshin nga Ministria e Financave si “normale”, ndërsa sa u takon konflikteve, po kjo ministri i mohonte ato.

Pas konfliktit të ndezur në verën e vitit 2011 për çështjen e artikujve të konsumit, bujqësorë dhe blegtoralë, duket se Kosova na kthen reston, një vit më pas me çimenton, duke vendosur një taksë 30 për qind të vlerës për importin. Ministria e Ekonomisë së Prishtinës e komentoi në atë kohë veprimin si vendim që kishte për qëllim vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e tjera, si masë mbrojtëse e prodhimit vendas në Kosovë. Në fakt e vërteta, sipas takimit të zhvilluar pak ditë më parë mes krerëve të doganave lidhej me faktin se “çimento shqiptare, e cila mbulonte rreth 50 për qind të tregut në Kosovë nuk ishte në të vërtetë prodhim ‘made in Albania’, por vinte transit nga Italia, e cila futej nga kompanitë shqiptare si gjoja të prodhimit tonë, duke cenuar kështu marrëveshjen dhe konkurrencën”.

Çështja e çimentos kaloi pas dy-tre muajsh konflikti, por u rikthyen në muajt e parë të vitit 2013 përplasjet për qumështin dhe më pas për miellin. Sipas analizave të kryera nga Autoriteti kosovar i Veterinarisë, disa produkte të qumështit kishin përmbajtje mbi normat e lejuara të aflatoksinës. Njoftimi u publikua vetëm nga ky autoritet, duke njoftuar mediat dhe publikun e Kosovës, ndërsa pala shqiptare e mësoi lajmin shumë vonë. “Ky është defekt që nuk duhet të ndodhte”, u shpreh në takim ambasadori i Kosovës në Tiranë. Pala kosovare e pranoi gabimin, atë të njoftimit, por problemi i shkaktuar po krijonte efekte të pariparueshme në tregun shqiptar të qumështit. Vetëm shoqërisë “Primalat” iu shkaktua një dëm prej 1 milion eurosh.

Mungesa e certifikatës së analizës së aflatoksinës u pa më pas si argument për bllokimin e një sasie prej 135 tonësh miell që vinte nga Kosova në Shqipëri. Ngjarja u regjistrua pak ditë pas skandalit të qumështit (bllokimi i 23 tonë), por sipas palës shqiptare, ishte thjesht një urdhër i ministrit të Bujqësisë për verifikimin e sasisë së mallit në dy maune, e cila më pas u shtri në 130 subjektet, të cilat ishin në radhë për të kaluar mallrat e ndryshme. Edhe këtu u vu re mungesë koordinimi mes dy vendeve.

Kamionët me miell i përkasin kompanisë kosovare “M-Sillos”. Sasia e miellit që eksportohet në Shqipëri çdo muaj nga kjo kompani, sipas tyre, është afro 2 mijë tonë. Vendi i origjinës së miellit që vjen në tregun kosovar e më pas në atë shqiptar, është Serbia.

Nisi me pataten dhe rrushin e Kosovës, pastaj me çimenton shqiptar dhe më vonë u intensifikua si konflikt në mars 2013 me qumështin dhe miellin

 

Bilanci

Raporti tregtar, 3.5-1 në favor të Shqipërisë

“Në tregtinë midis dy vendeve ka pasur mjaft raste problematike. Produkte të caktuara në Shqipëri kanë edhe taksë doganore edhe TVSH, në Kosovë nuk kanë taksë doganore, as referencë dhe TVSH-ja është 16. Në këtë rast importohet malli, zhdoganohet, por duke qenë se diferenca nga taksat është 10% më e ulët, tregtarët e rifusin kontrabandë në Shqipëri”, thotë Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve dhe njohës i sistemit tatimor i vendeve nga ku ai dërgon mall.

Përtej problemeve me interpretime nga më të ndryshmet, shifrat janë ato që flasin më qartë rreth raportit të tregtisë me jashtë të të dyja vendeve. Në bilancin tregtar me Kosovën, Shqipëria ka një raport shumë pozitiv, ku eksport-importet kanë një raport 3.5:1. Eksportet drejt Kosovës janë rritur në mënyrë të pandalshme gjatë vitit të fundit, duke arritur në mbi 17 miliardë lekë në fund të vitit 2012. Rritjen më dinamike, eksportet tona e regjistruan pikërisht në 2010-2011, ku një efekt të madh dha vendosja e masave të reciprocitetit të Kosovës me Serbinë. Këtë moment e shfrytëzuan shumë firma shqiptare, kur shumë prej të cilave e “preknin” për herë të parë tregun kosovar. Peshën më të madhe të eksporteve shqiptare drejt këtij shteti e zënë materialet e ndërtimit dhe metalet, me mbi 45 për qind të tyre. Kompanitë e naftës dhe të gazit kanë qenë gjithashtu shumë dinamike në eksporte, duke i rritur me shpejtësi dhe duke zënë 26 për qind të totalit.

Sipas INSTAT-it, importet nga Kosova arritën në mbi 5.6 miliardë lekë në 2012-n, me një rritje prej 13 për qind kundrejt një viti më parë. Peshën më të madhe të importeve kosovare e zënë metalet, me mbi 46 për qind të totalit. Ndërkohë që në vendin e dytë janë produktet vegjetale me 28 për qind. Rritjen më të madhe e kanë regjistruar pikërisht plastika e goma, metalet si dhe produktet vegjetale.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of