Bizneset vendase që kanë konflikte mes njëri-tjetrit detyrohen sot që të drejtën e tyre ta kërkojnë pranë gjykatave, një problematikë kjo që u kushton atyre kohë dhe burime të shumta financiare. Prej shumë vitesh kuadri ligjor në vend nuk ofron pjesën e arbitrazhit të brendshëm që synon zgjidhjen me marrëveshje të konfliktit mes palëve. Pjesa që rregullonte këtë proces në Kodin e Procedurës Civile përkatësisht nenet 400-441 është shfuqizuar duke lënë vakum prej vitit 2013. Ndaj së fundmi Ministria e Drejtësisë është angazhuar me një projektligj të veçantë “Për arbitrazhin në Republikën e Shqipërisë” i nxjerrë tashmë për konsultim dhe që synon që të zgjidhë këtë ngërç.
“Qëllimi i këtij projektligji është të përcaktojë parime për rregullimin e arbitrazhit kombëtar dhe ndërkombëtar, duke krijuar një bazë ligjore të nevojshme dhe të domosdoshme, për ushtrimin e profesionit të arbitrit, rregullat e procedurat e zhvillimit të procedimeve të arbitrazhit, të cilat janë të përcaktuara sipas vullnetit të palëve dhe mjetet juridike me anë të cilit shpreh qëndrimin e saj gjykata e arbitrazhit dhe kriteret e pamundësisë së njohjes apo ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit” thuhet në relacionin e draftligjit.
I njëjti sanksionon se kjo do t’ju krijojë më shumë besim investitorëve dhe komunitetit të biznesit për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë paqësore.
Draft ligji me 55 nene ndalet në detaje që nga shpjegimi i termave të veçantë deri tek dispozitat kalimtare ku nënvizohet se marrëveshjet që janë nënshkruar para këtij ligji do të respektojnë legjislacionin që ka qenë në fuqi në kohën kur janë nënshkruar.
Lidhur me trupën e arbitrazhit draft ligji sanksionon se palët që kanë nënshkruar një marrëveshje paraprake kanë të drejtën të zgjedhin një anëtar secili ndërkohë që dy të përzgjedhurit bien dakord për të tretin.
Në pjesën për juridiksionin e arbitrazhit projektligji përcakton kompetencat e gjykatës së arbitrazhit për të vendosur mbi juridiksionin e saj, për të dhënë masat e sigurimit të padisë/masat e përkohshme, rregullat për ekzekutimin e masave të përkohshme, kushtet për dhënien e masave të përkohshme, kërkesat për lëshimin e urdhrave paraprakë dhe kushtet për pranimin e tyre, regjimin specifik për urdhrat paraprakë, ndryshimin, pezullimin ose përfundimin e një masë paraprake ose një urdhri të përkohshëm, garancinë, detyrimin për paraqitjen e rrethanave dhe fakteve të mosmarrëveshjes, kostot dhe dëmet, njohjen dhe zbatimin, arsyet për refuzimin e njohjes ose zbatimit si dhe masat e sigurimit të padisë të lëshuara nga gjykata.
Po kështu në një nen të veçantë specifikohen detajet se palët trajtohen në mënyrë të barabartë dhe secilës palë i jepet mundësia e plotë për të paraqitur mjetet, shpjegimet, faktet, dokumentet dhe provat mbi të cilat mbështesin pretendimet e tyre në mënyrë që të bëhet e mundur për secilën palë mbrojtja e interesave të tyre në gjykim.
Projektligji nënvizon edhe njohjen dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave të arbitrazhit jo vetëm vendas por edhe të huaj ndërkohë që përcaktohet gjithashtu se vendimi i arbitrazhit i dhënë nga një gjykatë arbitrazhi të një shteti të huaj ose nga një gjykatë e arbitrazhit ndërkombëtar me vendndodhje jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mund të vihet në ekzekutim në momentin kur njihet me vendim të Gjykatës së Apelit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.