Konfliktet më të shpeshta të shqiptarëve, që po zgjidhen me ndërmjetësim

21/12/2019 10:03 PM 0 komente

Një koncept i ri në praktikë për shoqërinë shqiptare, i cili duket se po gjen gjithnjë e më shumë terren për t’u zhvilluar është zgjidhja e mosmarrëveshjeve përmes ndërmjetësimit. Sipas Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, ky skenar kursen kohë dhe kosto për individët, bizneset që kanë çështje civile, ndërsa ekspertët e fushës ligjore theksojnë se jo çdo rast mund të zgjidhet përmes ndërmjetësimit…

Nga Deada Hyka

Mosmarrëveshjet e shumta me natyrë familjare, civile apo tregtare, që vihen re në jetën e përditshme, prej kohësh kanë vënë në vështirësi institucionet e drejtësisë. Përballë numrit gjithnjë në rritje dhe pamundësisë së zgjidhjes në kohë të tyre, lind nevoja e zgjidhjeve alternative ndaj gjyqit, i cili sjell kosto të larta.

Nga një konflikt, jo domosdoshmërisht palët mund të dalin humbëse ose fitimtare. Ekziston edhe mundësia që gjithçka të përkthehet në avantazh dhe kjo falë procesit të ndërmjetësimit. Një koncept i ri në praktikë për shoqërinë shqiptare, por që duket se po gjen më shumë terren për t’u zhvilluar.

Largimi i mosmarrëveshjeve të vogla nga sallat e gjykatave është një prej synimeve themelore të Reformës në Drejtësi. Ligji për ndërmjetësimin ligjor ka për qëllim që këto përplasje të vogla gjyqësore, deri 1 milion lekë të zgjidhen në zyrat e ndërmjetësuesve dhe jo më në gjykata. Kreu i Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve Ligjorë, Drita Avdyli, thotë se me ndryshimet ligjore synohet që të largohen nga sallat e gjykatave 70% e volumit të çështjeve. Kjo, jo vetëm do të ulë korrupsionin në gjykata, por edhe mbingarkesën e punës së gjyqtarëve.

Znj. Drita Avdyli thotë se ndërmjetësimi në konceptin modern është trajtimi i konflikteve ose mosmarrëveshjeve me natyra të ndryshme, si familjare, kontraktuale e penale, duke gjetur zgjidhje përmes komunikimit të palëve në konflikt me praninë e një ndërmjetësi që është i licencuar, i akredituar, dhe që ka aftësinë për të gjetur zgjidhje, pra me pak fjalë, është një formë alternative jashtë rrugëve gjyqësore. “Është një formë që ofron disa avantazhe në krahasim me trajtimin gjyqësor apo me arbitrazh, sepse kursen shumë kohë. Nëse një çështje në arbitrazh trajtohet për shumë muaj apo edhe vite, por nëse palët shkojnë në ndërmjetësim, çështja zgjidhet brenda disa seancave, që do të duan jo më shumë se një muaj kohë. Një tjetër epërsi ka të bëjë edhe me kursimin e parave, sepse në rastet e konflikteve pronësore apo kontraktuale, nuk kërkohet që të ndërpritet biznesi (siç ndodh nëse rasti shkon në gjykatë), asetet të ngrijnë e si rrjedhim, biznesi përballet me humbje të konsiderueshme” – thotë znj. Avdyli.

Për të dhënë disa detaje më tepër rreth punës së institucionit që drejton, znj. Avdyli thotë për “Monitor” se, ndërmjetësimi ofron zgjidhje shumë të shpejtë, deri në 5 seanca, të dy palët kanë një ndërmjetës dhe kohën që përfitojnë nga zgjidhja e shpejtë. Po ta konvertojmë në para ky është shumë domethënës.

“Avantazh tjetër është se nëse palët me Kontratë apo Marrëveshje me shkrim kanë parashikuar kushtin se Ndërmjetësimi do të jetë alternativa parë e zgjidhjes së Konfliktit, para asaj gjyqësore, gjykata nuk e merr në shqyrtim çështjen pa u zbatuar ky kusht, pra ti nuk i hyn kalvarit të gjatë të procesit gjyqësor. Duhet theksuar se, për komunitetin në nevojë, ndërmjetësimi është falas” – thotë znj. Avdyli.

 

Ekspertja: Ndërmjetësimi nuk zgjidh gjithçka

Msa. Av. Denisa Daka dhe anëtare e Këshillit të Dhomës së Avokatëve, thotë për “Monitor” se, në Shqipëri konfliktet janë të mprehta e të egra e kultura e dialogut e mirëkuptimit është në nivele të pakonsiderueshme e për këtë arsye e dhjetëra të tjera në radhë, qytetarët shohin si mundësi reale, të sigurt dhe efikase zgjidhjen e çështjeve në rrugë gjyqësore.

Megjithatë, sipas saj, Ligji “Për ndërmjetësimin e zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve”, ishte një risi për sa u përket mundësive dhe alternativave për zgjidhjen e konflikteve jashtë gjyqësisht ndërmjet palëve.

“Nëpërmjet një personi të tretë, palët kanë të drejtë të kërkojnë zgjidhje për konfliktin, duke shprehur vullnetin e tyre në marrëveshjet përkatëse, me kusht që ky i fundit të mos bjerë ndesh me ligjin. Ndërmjetësit janë të paanshëm dhe neutralë në raport me palët, ndërsa ndryshe nga gjykata nuk kanë të drejtën e vendimmarrjes apo autoritetin për t’iu imponuar zgjidhjen e ofruar prej tyre subjekteve përkatëse” – thotë Msa.Av. Daka.

Detyra e ndërmjetësit, shton më tej ekspertja – nuk është të marrë vendime, por të asistojë dhe të ofrojë mundësi për zgjidhjen e konfliktit, ndërsa kjo e fundit është në dorë të palëve në çdo rast.

“Ndërmjetësi nuk mund të luajë kësisoj rolin e gjykatësit apo të japë drejtësi, por ka kompetencë për të ndërtuar një proces komunikimi, dialogu dhe negocimi, duke i orientuar në çdo rast palët drejt zgjidhjes më të mirë. E në çdo rast kur nuk ka dakordësi mes palëve apo marrëveshja mes tyre është e pamundur për t’u arritur, zgjidhja e vetme mbetet rruga gjyqësore” – përfundon ekspertja ligjore.

 

SHIFRA

Gjatë katër viteve, rreth 10 mijë persona kanë preferuar të mos u drejtohen gjykatave për të zgjidhur konfliktet e tyre, por t’i zgjidhin përmes ndërmjetësimit.

Bëhet fjalë për mosmarrëveshje të tilla që nga mosrespektimi i kontratave të punës, për markat tregtare, deri te çështjet me të dëmtuar akuzues, kryesisht për veprën e shpifjes dhe rrahjes.

“Janë të pronave që janë më shumicë, pastaj për çështje tregtare, pune dhe civile. Ne jemi pjesë e Kodit të Procedurës Civile dhe gjykatat duhet t’i orientojnë palët te ndërmjetësimi para se të nisë procesi” – thotë Drita Avdyli, kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit.

 

6 VITE NË TREG

Pas një periudhe të gjatë procedurash ka nisur nga puna Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, komisioni i licencimit ka dhënë licenca për 143 persona si ndërmjetës nga të cilët 141 persona fizikë dhe 2 persona juridikë. Ndërkohë që pjesa tjetër e ndërmjetësve që kanë kaluar fazën e licencimit nga Komisioni, duhet të vijojnë me përmbushjen e kritereve të tjera të vendosura nga ligji, me qëllim që të ushtrojnë veprimtarinë e ndërmjetësit dhe për pasojë, të jenë anëtarë të Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve. Neni 4 i këtij ligji ka specifikuar në mënyrë të qartë se Komisioni i Licencimit të Ndërmjetësve licencon subjektet e interesuara për ushtrimin e veprimtarisë së ndërmjetësimit, të cilat regjistrohen, si persona fizikë ose juridikë, në organet kompetente dhe në organet tatimore, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Mbledhja e parë e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve zgjodhi si kryetare znj. Drita Avdyli. Me këtë institucion, qytetarët kanë një alternativë të re të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, atë të ndërmjetësimit jashtëgjyqësor, nga një ekip profesionistësh.

Në Shqipëri, tregu i ndërmjetësve nuk është shumë i zhvilluar, por megjithatë numri i operatorëve në të është rritur, po ashtu edhe interesi i tyre. Masat e marra për funksionimin e këtij institucioni tregojnë se ka më shumë siguri për të vepruar në këtë treg dhe për ta përdorur atë në funksion dhe në mbështetje të ekonomisë.

Instituti i Ndërmjetësimit, i krijuar në vitin 1999, nuk ka pasur një traditë të konsoliduar, që të garantonte profesionalizmin dhe efektivitetin e procesit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve jashtë dyerve të gjykatave. Sot palët kanë një mundësi tjetër, mundësinë që me vullnetin e tyre të lirë të zgjedhin një prej jush, për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet tyre.

 

Ligji 

Më 17 maj 2018, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi Ligjin nr. 26/2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10385, datë 24.02.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve” (“Ligji”). Ligji u publikua në Fletoren Zyrtare nr. 85, datë 12.06.2018 dhe ka hyrë në fuqi 15 ditë pas publikimit. Ligjvënësi ka parashikuar disa risi në Ligj, më të rëndësishmet ndër to janë paraqitur më poshtë. Struktura e Ligjit ka ndryshuar duke shtuar dy nene të reja, përkatësisht një nen të dedikuar për “Objektin e ligjit” dhe tjetri lidhur më “Përkufizimet”. Procesi i licencimit është ndryshuar thellësisht dhe nenet 4 e 5 janë të tërësisht të rishkruara. Sipas ndryshimeve të fundit të këtyre neneve, ndërmjetësi i cili duhet të jetë shtetas shqiptar të paktën 28 vjeç, duhet të përmbushë kushtet e mëposhtme për të aplikuar për licencë: Organi përgjegjës për licencimin është Ministria e Drejtësisë, e cila, brenda 45 ditëve nga data e aplikimit lëshon licencën për personin e interesuar. Pas marrjes së licencës dhe regjistrimit në Regjistrin e Ndërmjetësve, ndërmjetësi mund të ushtrojë aktivitetin e tij si person fizik, ose si person juridik. Në rast se ndërmjetësi nuk e ushtron aktivitetin për 2 vite të njëpasnjëshme, licenca përkatëse do të hiqet dhe ndërmjetësi do të çregjistrohet nga Regjistri i Ndërmjetësve. Në mënyrë që të vlerësohet ushtrimi i aktivitetit, do të merren në konsideratë të dhëna nga autoritetet tatimore, ekzistenca e çështjeve të trajtuara, si dhe trajnimet e vazhdueshme. Një risi e këtij Ligji është neni 6/1, i quajtur “Ankimi”, i cili u jep të drejtën ndërmjetësve të ankimojnë në gjykatën kompetente të çështjeve administrative brenda 45 ditëve vendimin mbi refuzimin e licencës, ose urdhrin e ministrit të Drejtësisë për vendosjen e masës disiplinore për heqjen e licencës. Masat disiplinore ndaj ndërmjetësuesve jepen nga Bordi Disiplinor, i cili është i përbërë nga 5 anëtarë, 4 prej të cilëve janë të zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Ndërmjetësve dhe 1 nga Ministria e Drejtësisë, me afat 5-vjeçar. Bordi Disiplinor, në mënyrë proporcionale me llojin dhe seriozitetin e shkeljes, vendos mbi masat disiplinore, të cilat mund të jenë si më poshtë: Vërejtje me shkrim; Urdhëron ndërmjetësit për të kryer trajnim vazhdues shtesë, përfshirë trajnim në etikë dhe/ose trajnim në një fushë të veçantë të ndërmjetësimit; Vendos gjobë nga 50.000 lekë deri në 300.000 lekë; Pezullon përkohësisht aktivitetin për një periudhë deri në një vit; Në raste të posaçme të parashikuara nga Ligji, Bordi Disiplinor ka të drejtë t’i propozojë Ministrisë së Drejtësisë heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit. Dispozita të tjera të Ligjit kanë të bëjnë me detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Drejtësisë, Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit, Mbledhjes së Përgjithshme të Ndërmjetësve, kriteret e përzgjedhjes dhe detyrat e Kryetarit të Dhomës, si dhe shpenzimet e procedurës së ndërmjetësimit, të cilat, në rast se nuk parashikohet ndryshe me marrëveshje, do të paguhen në mënyrë proporcionale nga palët.

———————–

“Ndërmjetësimi shkurton kohë dhe kosto. Më shumë raste familjare dhe tregtare”

 

Flet kryetarja e Dhoma Kombëtare të Ndërmjetësve, znj. Drita Avdyli

Çfarë roli ka Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve dhe cilat kanë qenë sfidat tuaja në vitet që keni nisur funksionimin?

Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve (DHKN) është Ent Publik Juridik që ushtron veprimtarinë e saj të pavarur nga shteti, bazuar në Ligjin nr. 10385, datë 24.02.2011 “Për Ndërmjetësimin në Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve”, i ndryshuar dhe akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Roli i Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, është t’u sigurojë qytetarëve shqiptarë, një alternativë të re për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të tyre, pa iu drejtuar procesit gjyqësor, ligjor, me një kosto shumë të ulët, për një kohë të shumë të shkurtër, transparente, konfidenciale, me anë të një personi të licencuar, ku janë vetë palët që vendosin në marrjen e këtij vendimi. DHKN merr masa për rregullimin dhe kontrollin e veprimtarisë së ndërmjetësimit, mbron interesat e Ndërmjetësve, si dhe organizon çdo vit trajnim të vazhduar, për të pasur në treg ndërmjetës sa më efektiv. Jo çdo mosmarrëveshje duhet detyrimisht të zgjidhet në Gjykatë.

Një tjetër sfidë është futja e procedurës së ndërmjetësimit, në Kodin e Procedurës Civile, ku detyrimisht Gjyqtarët dhe Prokurorët, në çdo seancë njoftojnë palët dhe i udhëzojnë ato drejt zgjidhjes së konflikteve me ndërmjetësim, brenda 30 ditëve, dhe kur arrihet marrëveshja, gjykimi pushohet.

Ndërmjetësimi është një nga format për të ulur ngarkesat e larta në gjithë shkallët e gjyqësorit dhe sfida më kryesore është se ai ul në një shkallë të lartë korrupsionin në gjyqësor.

Ndërmjetësimi është ajo mënyrë zgjidhjeje, vullnet i lirë i palëve, në të cilën palët nuk kanë mundësi të humbin, nuk ka një gjyqtar apo një prokuror që të vendosë për ta, por janë ata që vendosin për kushtet e Marrëveshjes dhe të dy palët përherë fitojnë. Ndërmjetësi është personi, por jo këshilluesi ligjor, që marrëveshjen e dy a më shumë palëve i jep fuqinë e titullit ekzekutiv, ose e thënë ndryshe, bën të mundur që marrëveshja e palëve, të jetë e barabartë me një vendim gjyqësor të formës së prerë. Ajo:

– Harton dhe zbaton politikat për forcimin dhe zhvillimin e aktivitetit të ndërmjetësimit;

– Promovon nismat dhe veprimtaritë që nxisin zhvillimin e shërbimit të ndërmjetësimit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kuadrit ligjor e rregullativ;

– Promovon ndërmjetësimin nëpërmjet realizimit të takimeve, seminareve, konferencave dhe publikimeve;

– Bashkëpunon me institucione publike dhe/ose subjekte private, vendase dhe/ose të huaja;

– Siguron dhe përpunon të dhëna statistikore mbi shërbimin e ndërmjetësimit; si dhe

– Monitoron çdo subjekt që ofron shërbimin e ndërmjetësimit sipas parimeve të Ligjit nr. 10385, datë 24.02.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, i ndryshuar, Statutit, Rregulloreve dhe Kodit të Etikës së saj.

Menjëherë nga krijimi i DHKN, 7 korrik 2013, lindi domosdoshmëria e rregullimit të këtij profesioni të ri, duke krijuar kuadrin ligjor, por dhe ndërgjegjësimin dhe informimin e publikut me këtë alternativë të re zgjidhjeje me Ndërmjetësim, ku një rol të rëndësishëm kanë luajtur mbështetja e BE dhe USAID, duke sjellë në Shqipëri ekspertë të huaj.

Rritja e rasteve të zgjidhura me ndërmjetësim, nga viti në vit, dhënia e një shërbimi sa më cilësor, ka sjellë jo vetëm zgjidhje të konflikteve por dhe rregullim të marrëdhënieve midis palëve në një shoqëri kaq me probleme, futja e Ndërmjetësit për konflikte në Administratën Publike apo midis Biznesit dhe Administratës Shtetërore, shmangia e burgimit të të miturve deri 21 vjeç, për shkeljet penale, këto janë një ndër sfidat kryesore tonat deri tani. Nëse Komuniteti zgjedh Ndërmjetësimin për konflikte të ndryshme, kjo sjell shmangie të burgimeve, pra nuk ke një Vërtetim të Gjendjes Gjyqësore Negative, e cila të ndjek gjithë jetën e Individit që mua është Perla e sfidës sonë.

 

Çfarë përfitimesh ka zgjidhja e çështjeve me ndërmjetësim? Si ndodh konkretisht?

Kryesorja është që ndërmjetësimi ofron zgjidhje shumë të shpejtë, deri në pesë seanca, të dy palët kanë një ndërmjetës dhe kohën që përfitojnë nga zgjidhja e shpejtë po ta konvertojmë në para, është shumë domethënës

Meqenëse, marrëveshja e arritur me ndërmjetësim, ai është titull ekzekutiv, ai është një vendim restaurues pasi në këtë proces, të dy palët në konflikt fitojnë pasi vendosin vetë për modalitetet, kushtet dhe procedurën.

Ndërmjetësimi nuk zgjidh vetëm konfliktin, por normalizon, përmirëson dhe rregullon marrëdhëniet midis palëve në konflikt dhe krijon premisa për vazhdimin e tyre në të ardhmen, duke pasur kështu fytyra të gëzuara dhe duar të shtrënguara, duke ndryshuar rrënjësisht nga një vendim gjykate, i cili është vendim ndëshkues, pasi një palë fiton dhe pala tjetër humb.

Arsye tjetër, ndërmjetësimi kryhet nëpërmjet një procesi civil, tolerant, jo stresues, nuk ka të humbur, nuk ka të paditur dhe paditës, por palë të barabartë në zgjidhjen e konfliktit tyre me mirëkuptim

Avantazh tjetër është se nëse palët me kontratë apo marrëveshje me shkrim kanë parashikuar kushtin se ndërmjetësimi do të jetë alternativa e parë e zgjidhjes së Konfliktit, para asaj gjyqësore, gjykata nuk e merr në shqyrtim çështjen pa u zbatuar ky kusht, pra ti nuk i hyn kalvarit të gjatë të procesit gjyqësor.

Përfitime të tjera:

-Shmangia e dënimeve të të miturve etj.

-Në ndërmjetësim flitet për formësimin (dizajnimin) dhe rregullimin e së ardhmes

-Nëse nuk e zgjidh konfliktin me ndërmjetësim, u drejtohesh Gjykatave

-Për komunitetin në nevojë, ndërmjetësimi është falas.

Pra pse duhet të shkoni në ndërmjetësim?

*Është procedurë më e shpejtë krahasuar me procedurën gjyqësore;

*Të gjitha palët fitojnë;

*Palët vendosin vetë për çështjen e kontestuar;

*Është më e lirë;

*Të gjitha informatat mbesin fshehtësi;

*Palët bien dakord për marrëveshjen e tyre;

*Marrëveshja është e vlefshme dhe raportet mbesin të mira;

*Vlerat personale, kultura, zakonet dhe traditat respektohen

 

Çfarë çështjesh keni ndërmjetësuar më tepër ndër vite? (tregtare, familjare etj.)

Ndërmjetësimi përdoret në të gjithë fushat: civile, familjare, të pronës, tregtare, të punës, pronësisë intelektuale, të drejtën e autorit, në mbrojtjen e konsumatorit, në çështjet penale sipas nenit 59 dhe 284 të Kodit Procedurës Civile, por një përdorim prej një viti, në momentin e daljes së Kodit për të Miturit, po përdoret në shmangien e burgimit të të rinjve, duke dhënë dënime alternative.

Më të suksesshme janë më shumë çështjet familjare, tregtare dhe çështjen e pronave që me Marrëveshje ndërmjetësimi, këto ndryshime pronash regjistrohen direkt në Kadastër, madje në Kartelën e Pronës bëhet shënimi ‘Marrëveshje Ndërmjetësimi.’

 

Cilët janë kushtet e ushtrimit të këtij profesioni?

Për të ushtruar profesionin e Ndërmjetësit, duhet të marrësh Licencën e Ndërmjetësimit, kur:

 

– të kesh mbushur moshën 28 vjeç

– të kesh mbaruar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë, jo detyrimisht juridik

– të kesh jo më pak se 3 vjet përvojë

– të mos jetë i dënuar

– të ketë dhënë me sukses provimin pas trajnimit fillestar të organizuar nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve

A është tregu i ndërmjetësve i zhvilluar në Shqipëri?

Ky treg ka pasur vetëm kurbë rritje, pasi janë vetë palët që po e kërkojnë ndërmjetësimin, falë avantazheve që ka ky proces, ka shumë raste që vetë avokatët e palëve vijnë për t’i zgjidhur konfliktet me ndërmjetësim për shpejtësinë e shërbimit tonë. Numri i rasteve të zgjidhura me ndërmjetësim ka arritur në mijëra, vetëm gjatë vitit 2018 janë zgjidhur 4780 raste.

 

Ndryshime ligjore

Plani 2018-2021 parashikon ngritjen e dhomave vendore dhe ofrimi i shërbimit të ndërmjetësimit. Hapja e dhomave pritet të bëhet pas procesit të organizmit dhe trajnimit në vitin 2020.

Cilat janë të mirat e ndërmjetësimit?

Efikasiteti — Informaliteti e shmang paefektshmërinë, i cili shkakton vonesa në procedurat gjyqësore. Shumica e rasteve zgjidhen me vetëm disa seanca.

Fleksibiliteti — Qendra e Ndërmjetësimit do të përshtasë orarin tuaj. Kontrolli i palëve, ndërmjetësimi është vullnetar dhe rezultati i tij përcaktohet nga palët.

Konfidencialiteti — Palët dhe ndërmjetësuesi duhet ta ruajnë konfidencialitetin e procesit. I suksesshëm—ndërmjetësimi është i suksesshëm në mbi 80% të rasteve dhe në mbi 90% të rasteve palët i përmbushin obligimet e tyre

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of