Që prej vitit 2014, aplikimet për marka nga bizneset kanë shënuar rritje të ndjeshme. Në vitin 2018, aplikimet për marka tregtare arritën në 1294. Edhe aplikimet për patenta për shpikje dhe modele përdorimi kanë arritur rekord. Sakaq, konfliktet kanë vijuar të jenë të pranishme. Ekspertët ligjorë sugjerojnë se duhet një skemë e mirëfilltë monitorimi të rasteve, përpara se të përfundojnë në dyert e gjykatave…
Nga Deada Hyka
Në periudhën e industrializimit të shoqërisë, zhvillimit me hapa të shpejtë të shkencës e teknologjisë së informacionit dhe krijimit të tregut të përbashkët global, regjistrimi i markës tregtare ka tashmë një rëndësi të veçantë. Pothuajse çdo biznes apo shoqëri zotëron një markë tregtare duke gëzuar njëkohësisht të drejtat që rrjedhin prej saj.
Marka tregtare përfaqëson elementin kryesor që shërben për identifikimin e biznesit apo shoqërisë në radhën e konsumatorëve apo publikut përkatës. Çdo person fizik apo juridik që prodhon mallra ose ofron shërbime të caktuara, ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi të drejtat e tij të pronësisë industriale dhe regjistrimin e markës së tij.
Në këtë kontekst, shoqëri apo subjekte tregtare të veçanta shpeshherë nënvlerësojnë ose nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale duke mos regjistruar si markë tregtare shenjat dalluese që ato përdorin gjatë veprimtarisë së tyre tregtare.
Kjo pakujdesi e tyre çon shumë herë në shkelje të të drejtave të tyre nga palë të treta dhe më pas në konflikte gjyqësore të vazhdueshme e afatgjata. Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale dhe zhvillimi i çështjeve gjyqësore në lidhje me to sjell në mënyrë të paevitueshme kosto monetare dhe në kohë për çdo person fizik apo juridik.
Ekspertët e fushës ligjore pohojnë se, me rritjen e rasteve të regjistirmit të markave, kanë pësuar rritje edhe rastet e shkeljeve. Të gjendur në këto kushte, dëmtimi i reputacionit të biznesit dhe konfuzioni që mund të krijohet në radhët e konsumatorëve përbën një rrezik konkret e serioz në rast se nuk ndërmerren masa ligjore të shpejta, të efektshme e të menjëhershme në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë industriale.
Janë të shumta konfliktet mes subjekteve, personave fizikë apo juridikë, të cilat shqyrtohen çdo ditë pranë gjykatave të të gjitha niveleve. Kështu pohon për “Monitor”, avokate Denisa Daka, e cila është Përfaqësuese e Autorizuar e Zyrës së Patentave.
“Duke iu referuar veprimeve që përbëjnë shkelje të të drejtave të patentës, pasi kam ndjekur procese të tilla gjatë punës sime, sqaroj në këtë rast, se çdo pronar i patentës ose aplikanti për patentë ka të drejtë të ngrejë padi në gjykatë, kundër çdo personi që shkel ose rrezikon të shkelë të drejtat për patentën, e në të gjitha rastet kur provohet se shkelja ka ndodhur ose është duke ndodhur, Gjykata kompetente, përveç gjykimit të çështjes në themel, vendos edhe për kompensimin përkatës në këtë rast, si dhe merr masa për parandalimin e shkeljeve të mëtejshme”, tregon znj. Daka, e cila shton se me shtimin e numrit të rasteve të konflikteve, lind nevoja e menaxhimit më të drejtë të kësaj situate.
Mbrojtja, ja te cilët sektorë më tepër
Nga një studim i bërë nga DPPI, gjatë hartimit të Strategjisë Kombëtare të PI 2016-2020, u konstatua që numri i madh i aplikimeve për marka në DPPI, është nga produktet dhe kryesisht ato ushqimore dhe blegtorale. Për marka shërbimesh, numri më i madh është nga shërbimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të ndryshme.
Sipas DPPI, është prioritet që të rritet numrin i aplikimeve edhe nga biznese që ofrojnë shërbime të tjera në tregun vendas, pasi këto shërbime nuk janë të pakta. Sipas tyre, duhet vetëm ndërgjegjësim më i lartë që mbrojtja e objekteve të PI është shumë e rëndësishme dhe një vlerë e shtuar për cilindo që e ka krijuar. Sa u takon aplikimeve për patenta, ato kryesisht janë nga individë. Aktualisht nuk ka asnjë aplikim për patentë nga universitetet vendase apo nga kompani, pohojnë burime pranë DPPI.
Bum aplikimesh
Duket se shqiptarët janë ndërgjegjësuar më tepër për regjistrimin e markave të tyre industriale, sidomos me rastet në rritje të konflikteve, që kanë përfshirë gjykatat. Nëse flasim për aplikime për marka të depozituara, që në vitin 1994, kur është krijuar institucioni i Pronësisë Industriale, kanë pasur luhatje “një vit rritje – një vit rënie”, duke treguar se nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë si të synohej rritje e vazhdueshme.
Që prej vitit 2014, aplikimet për marka kanë shënuar rritje nga viti në vit dhe konkretisht në vitin 2014 u depozituan 905 aplikime nga 775 që ishin në vitin 2013, në 2015 u depozituan 937 të tilla dhe në vitin 2016 u depozituan 1055 aplikime për marka duke shënuar për herë të parë që nga krijimi i DPPI, një shifër rekord aplikimesh.
Sipas të dhënave më të fundit të DPPI, aplikimet për patenta ndërkombëtare, bëhet fjalë për përdorimin e patentave në fazë kombëtare, që janë të huaja, kanë pasur një rritje me 120% në 4 vite (2014-2018).
Sakaq, rritja e aplikimeve për marka tregtare ka pësuar rritje të konsiderueshme gjithashtu. Në 2014 ka pasur 904 regjistrime në total, numri duket se ka pësuar një dyfishim në 2018, duke arritur 1294 (rritje 43%).
Tarifat për regjistrimin e objekteve të pronësisë industriale në bazë të vendimit numër 883, datë 13.05.2009 “Për miratimin e tarifave për regjistrimin e objekteve të pronësisë industriale”, kanë pësuar ndryshime me kalimin e viteve.
Sipas të dhënave nga DPPI, një individi apo biznesi i kushton 7000 lekë aplikimi për markë individuale. Ndërkohë, kjo tarifë bëhet 8000 lekë për aplikime për marka kolektive apo certifikuese, duke i shtuar 2500 lekë për çdo markim klase shtesë. Tarifa sakaq për kufizimin e listës së mallrave është 5000 lekë, ndërsa regjistrimi i markës autentike është 8000 lekë. Tarifa për kundërshtimin e regjistrimit të një marke në dhomën e kundërshtimeve është 7000 lekë, ndërsa tarifa për shfuqizimin/ zhvlerësimin e një marke në dhomën për shfuqizim /zhvlerësim është 7000 lekë.
Tarifa për apelimin në Bordin e Apelit të vendimit të marrë në lidhje me kërkesën për shfuqizim/zhvlëresim nga dhoma për shfuqizimin/ zhvlerësim është 10 mijë lekë, ndërsa për ripërtëritjen e markës një biznesi i duhet të paguajë 8000 lekë. Sipas DPPI, ka edhe disa lehtësi apo reduktim kostosh në disa raste. Konkretisht, nëse është depozituar kërkesë për regjistrim ndërkombëtar të markës së aplikuar, tarifa për ekzaminim jashtë numrit rendor do të reduktohet në masën 50%.
Tarifa për ripërtëritjen e markës sipas pikës 5.16, do të rritet në masën 50% të vlerës së dhënë në pasqyrë, në rastet kur pagesa e saj kryhet brenda periudhës gjashtëmujore nga data e përfundimit të periudhës së mbrojtjes.
Tarifa për lëshimin e certifikatës së markës në formë elektronike do të reduktohet në masën 20% të vlerës së tarifës së regjistrimit.
Pronësia intelektuale dhe industriale
Pronësia intelektuale kryesisht përfshin krijimet e mendjes në fusha të tilla si në muzikë, letërsi, punë artistike; shpikje, simbole, emra, imazhe dhe dizajnime, të përdorura në biznes, duke përfshirë të drejtat e autorit, markat tregtare, patentat dhe të drejta të tjera të lidhura me to. Nën legjislacionet e ndryshme të pronësisë intelektuale, mbajtësi i kësaj prone “abstrakte” ka të drejta ekskluzive të punës krijuese, simboleve tregtare ose shpikjeve që ai ka regjistruar.
Të drejtat e pronësisë intelektuale janë të drejta ekskluzive dhe mbrohen nga ligji “Për të drejtat e autorit” si pune krijuese, si p.sh. librat, filmat, muzika, pikturat, fotografitë, programet, dhe i japin mbajtësit të tyre të drejta ekskluzive për kontrollin e riprodhimit për periudha të caktuara kohe. Ndërsa një kategori tjetër të drejtash ekskluzive përfshin “pronësinë industriale”, kur krijimet janë krijuar dhe përdorur për qëllime industriale dhe tregtare.
Të rëndësishme janë dhe konceptet e markës dhe patentës në këtë fushë. Një patentë është e garantuar për një shpikje të re të përdorshme dhe e pazbuluar më parë, çka i jep mbajtësit të saj të drejtën të pengojë praktikimin e shpikjes pa një leje të shpikësit për një periudhë të caktuar kohe. Ndërsa një markë tregtare është një shenjë dalluese, që përdoret për të shmangur konfuzionin midis produkteve të ngjashme në një treg përkatës. Një sekret tregtar është një informacion jopublik rreth praktikave tregtare ose pronësisë së dijeve të biznesit.
Indeksi i Pronësisë Industriale, Shqipëria çdo vit zbret shkallë
Indeksi Ndërkombëtar për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale, në raportin e vitit të shkuar e rendit Shqipërinë në vendin e 118-të, nga 129 të ekzaminuara, për çdo vit që nga 2015-a, kur u përfshi për herë të parë në raport, me zbritje shkallësh sipas analizës së “Alliance”.
Me një rezultat prej 3.8 pikësh, Shqipëria renditet në 15 vendet e fundit në listë dhe e 23-ta në rajonin e Europës Juglindore. E krahasuar me vendet e Ballkanit, ndodhet sërish në fund. Serbia renditet në vendin e 110-të, Mali i Zi në vendin e 105-të, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina e 116-ta. Ky indeks, i përpiluar nga Organizata Property Rights Alliance, bazohet në disa kategori me disa nënindikatorë: mjedisi ligjor dhe politikat, të drejtat e pronave fizike, të drejtat e pronësisë intelektuale.
Shqipëria ka marrë rezultatin më të lartë në nënkategorinë e rregullave ligjore dhe stabilitetit politik dhe rezultatin më të ulët në piraterinë dhe pavarësinë gjyqësore. Raporti tregon se Shqipëria ka ende mungesa në të drejtën e autorit, pasi niveli i piraterisë është i lartë. “Duhen bërë ende më tepër politika për Mbrojtjen e Patentave”, thuhet në raport, fjali të cilën e gjen në raportet e tre viteve të fundit.
Konflikti i markave, 27 çështje në gjykatë vitin e shkuar, dominon konkurrenca e pandershme
Gjatë vitit të shkuar, çështjet e çuara në Gjykatë për shkak të problematikave që lidhen me të drejtën e pronësisë, kanë qenë në total 27.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Patentave dhe Markave, e cila ka qenë palë e përfshirë në çështje, ky numër ka qenë në rënie krahasuar me vitin 2017.
DPPI përfaqësohet në gjykatë në rastet kur ankimohen vendimet e Bordit të Apelit, në të cilat merr pjesë në gjykim si palë e paditur dhe bën mbrojtjen e vendimeve të saj me anë të prapësimeve, shpjegimeve dhe provave që paraqet në gjykatë.
Gjithashtu, DPPI merr pjesë në proceset gjyqësore si person i tretë edhe në çështje me objekt zhvlerësimin, shfuqizimin e markave, konkurrencën e pandershme etj.
Gjatë vitit 2018, PPI ka ndjekur 27 çështje në gjykatë:
– 8 (tetë) çështje në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë
– 17 (shtatëmbëdhjetë) çështje në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë,
– 1 (një) çështje në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë,
– 1(një) çështje në Gjykatën e Apelit, Tiranë.
Në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka marrë pjesë për një çështje si palë e paditur me
objekt “shfuqizim vendim bordi”, 2 çështje e paditur me objekt “Shfuqizim marke” dhe pesë çështje si person i tretë, me objekt “Konkurrencë e pandershme”.
Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë ka marrë pjesë si palë e paditur, ku 16 çështje me objekt “shfuqizim vendim i Bordit e Apelimit” dhe një çështje me objekt “Pavlefshmëri absolute e aktit administrativ të DPPI-së”.
Në gjykatën Administrative të Apelit, DPPI ka ndjekur 1 (një) çështje me objekt “Shfuqizimin e vendimit të Bordit të Apelit”, si palë e paditur. Në Gjykatën e Apelit është ndjekur 1 (një) çështje me objekt “Konstatim konkurrencë e pandershme”, ku DPPI ka qenë palë e paditur.
Sipas të dhënave, bëhet e ditur se rastet gjyqësore në fushën e markave e patentave janë në rënie, pasi në 2017-n pati rreth 54 procese gjyqësore në këtë fushë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.