Një konflikt mes dy kompanive, “Albanian Duty Free Distribution” (ADFD), me kapital shqiptar dhe asaj amerikane ICDF, ku kjo e fundit nuk po arrin të marrë në administrim zonën e tregtisë pa taksa në Aeroportin e Rinasit, edhe pse ka fituar tenderin përkatës, ka ngjallur reagimin e ashpër të Ambasadës Amerikane.
Ambasada Amerikane ka reaguar sot, pasi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë të Tiranës, ka pranuar kërkesën e kompanisë Albania Duty Free Distribution, për shfuqizimin e vendimit të Ministrisë së Financave për t’i anuluar autorizimin për ushtrimin e aktivitetit tregtar në ambientet “Duty Free” në Aeroportin e Rinasit.
“Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri. Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente, në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme”, tha Ambasada.
Reagim ka pasur dhe nga Ministria e Financave, pasi me vendimin e sotëm, Gjykata rrëzoi urdhrin e Ministrisë së Financave që i anuloi lejen e shfrytëzimit për 5 vjet të tjera të “Duty Free” në Rinas nga ADFD. “Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpreh keqardhjen për vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ndaj Çështjes Administrative Civile, mbi vendimin administrativ për anulimin e autorizimit për magazinat doganore private Duty Free Shop.
Duke u rezervuar në interpretimet në themel të vendimmarrjes në çështjen në fjalë, theksojmë rëndësinë e sistemit gjyqësor edhe në klimën e biznesit dhe trajtimin e investitorëve të huaj në vend.
Forcimi i Shtetit të së Drejtës mbetet prioritet për Qeverinë Shqiptare, në përfitim të qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë dhe të huaj.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të jetë përherë e hapur të presë propozimet e sektorit privat mbi çështjet e të bërit biznes dhe zhvillimin e një kuadri mbështetës për çdo investitor shqiptar dhe të huaj”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Konflikti
Kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF) pas një tenderi të hapur nga Tirana International Airport në nëntor 2018, pasi dha ofertën më të mirë financiare, fitoi të drejtën për menaxhimin e hapësirës “Duty Free” në aeroport për 5 vitet e ardhshme. Njoftimi për fituesin u bë në fillim të qershorit dhe kontrata u nënshkrua në fund të korrikut.
Kontrata duhet të fillonte nga zbatimi në shtator të vitit të kaluar, kur mbaronte dhe kontrata ekzistuese (27 gusht) me Albania Duty Free Distribution (ADFD), me pronare Elona Çaushi me 100 % të aksioneve.
Kompania e kësaj të fundit nisi një betejë për të marrë sërish të drejtën e menaxhimit të hapësirës pa taksa brenda aeroportit të Rinasit edhe për pesë vitet e ardhshme. Në maj 2019, AEDF i dërgon TIA-s një ofertë të re financiare, ndërsa arriti të rinovojë në një kohë rekord licencën për ushtrimin e aktivitetit tregtar në të njëjtët dyqane, edhe pse kishte humbur tenderin, duke ua fshehur Doganave këtë fakt, si dhe faktin tjetër që më 27 gusht i mbaronte kontrata me TIA-n për ambientet ku ushtronte aktivitetin tregtar. (Neni 635 të VKM nr. 651, datë 10.11.2017, parashikon që kompania, për të marrë licencën, duhet të paraqesë, përpos të tjerave, edhe dokumentet e pronësisë ose kontratës së qirasë për ambientin/godinën që do të përdoret për këtë qëllim).
Në mungesë të ministres së Financave Anila Denaj, licenca është firmosur nga zëvendësministri Elton Haxhi, në 16 gusht, brenda 24 orëve pasi është bërë aplikimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Pas kontraktimit të këtyre fakteve, përmes një auditi të brendshëm, Ministria e Financave nisi verifikimin e ligjshmërinë së procedurave të ndjekura për rinovimin e licencës së ADFD për të vijuar aktivitetin tregtar në Rinas.
Pas këtij auditimi, Ministria e Financave, brenda një periudhe të shkurtër kohore, ia anuloi licencën kompanisë ADFD, për shkak të fshehjes së dy informacioneve, mosfitimit të tenderit dhe skadimit të kontratës së qirasë.
ADFD e çoi në gjyq Ministrinë e Financave dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, ka pranuar sot kërkesën e kompanisë Albania Duty Free Distribution për shfuqizimin e vendimit të Ministrisë së Financave për t’i anuluar autorizimin për ushtrimin e aktivitetit tregtar në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit.
Gjykatësi i dha të drejtë kompanisë ADFD, me argumentin se Ministria e Financave kishte dijeni për situatën në të cilën ndodhej ADFD dhe si rrjedhojë, nuk kishte pse t’ia jepte autorizimin kësaj kompanie.
International Cruise Duty Free
Kompania International Cruise Duty Free ka një eksperiencë prej disa dekadash në industrinë “Duty Free” si dhe lidhje të drejtpërdrejtë me shumë prej markave më të njohura në botë. E themeluar në Miami, Florida dhe me shërbime në SHBA, Amerikën Latine dhe Karaibe, ICDF ka siguruar kontratë ekskluziviteti me aeroportin e TIA-s për shitjen e brand-eve më të njohura ndërkombëtare të parfumeve, duhanit dhe pijeve alkolike në zonën tranzit të këtij aeroporti. ICDF, e cila ka fituar besimin e TIA, do të garantojë jo vetëm një shumëllojshmëri më të madhe produktesh, por edhe një cilësi më të lartë në shërbime, të njëjtë me standardet e zbatuara në aeroportet më të mëdha në botë, sipas një njoftimi zyrtar të kompanisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.