Një pikë e ulët në marrëdhëniet gjermano-polake. Babai i ambasadorit të ri gjerman bëhet pengesë në emërimin e tij
Edhe Jacek Czaputowicz, ministri i Jashtëm polak i cili pritet të largohet nga posti, e quajti vonesën “të çuditshme”, në një intervistë me Rzeczpospolita, një gazetë e përditshme polake, shkruan The Economist. U bënë tre muaj që Arndt Freytag von Loringhoven pret në apartamentin e tij në Berlin për agrément (miratimin zyrtar diplomatik) si i dërguar gjerman në Varshavë, që zakonisht është një formalitet i shpejtë.
Raportohet se urdhri për shtyrjen e këtij procesi ka ardhur nga lart: Jaroslaw Kaczynski, kryetari i partisë në pushtet Ligji dhe Drejtësia (PIS) dhe udhëheqësi de facto i Polonisë, e kundërshtoi emërimin e zotit Freytag von Loringhoven, sepse babai i tij ka shërbyer si oficer ushtarak në bunkerin e Hitlerit, në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore. (Bernd Freytag von Loringhoven nuk është akuzuar ndonjëherë për ndonjë krim lufte).
Nuk është hera e parë që zoti Kaczynski kërkon konfrontim me fqinjin dhe partnerin më të madh tregtar të Polonisë. Ai e ka akuzuar Gjermaninë se po planifikon të rimarrë tokën që humbi në Poloni pas luftës dhe e ka quajtur kancelaren gjermane, Angela Merkel, një lodër të Stasit, ish-policia sekrete e Gjermanisë Lindore.
Radek Sikorski, ish-ministër i Jashtëm polak, gjatë mandatit të të cilit u përmirësuan marrëdhëniet me Gjermaninë, thotë se partia e zotit Kaczynski e ka quajtur atë një “ministër të Jashtëm gjerman” pasi ai tha në një fjalim të vitit 2011 në Berlin, se mosveprimi gjerman ishte më i frikshëm se gjermanët në veprim. (Fjalimi ishte një thirrje për të shpëtuar euron.) Partia PIS, e cila atëherë ishte në opozitë, bëri gjithashtu përpjekje që zoti Sikorski të shkarkohej nga puna.
Në muajt e fundit, Andrzej Duda, presidenti i sapozgjedhur i Polonisë, iu bashkua turmave me ndjenja antigjermane, të cilat kanë sukses me votuesit e moshuar në provincat lindore më të varfra të Polonisë, një zonë elektorale kryesore e partisë PIS. Zoti Duda foli kundër ndërhyrjes gjermane në favor të kundërshtarit të tij në fushatën zgjedhore presidenciale, veçanërisht nga Fakt, një gazetë në pronësi të Ringier Axel Springer, një botuesi gjermano-zviceran.
Ai veçoi Philipp Fritz, një korrespodent për Die Welt, një gazetë e përditshme gjermane, i cili kishte sugjeruar se Rafal Trzaskowski, rivali i zotit Duda, do të sillte qetësi në marrëdhëniet gjermano-polake sepse nuk kishte gjasa të bënte kërkesa astronomike për dëmshpërblime për shkatërrimet e luftës.
Qeveria gjermane nuk e tërhoqi emërimin e zotit Freytag von Loringhoven, një nga diplomatët më me përvojë të vendit, i cili kishte shërbyer më parë si ambasador në Republikën Çeke. Zvarritja e procesit filloi të tërheqë vëmendje ndërkombëtare. Në mbrëmjen para 81-vjetorit të pushtimit nazist të Polonisë më 1 shtator, qeveria polake më në fund dha sinjale pozitive. Szymon Szynkowski vel Sek, zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, njoftoi agrément për të dërguarin e ri, por duke e shoqëruar me një fjalim ku përmendte dhimbjen polake për “një plagë të madhe të pashëruar në mendjen e kombit polak”, të shkaktuar nga krimet e Luftës së Dytë Botërore.
Zoti Freytag von Loringhoven nuk do të ketë një fillim të lehtë në Varshavë. Ai duhet të punojë me Zbigniew Rau, ministrin e ri të Jashtëm, një mbështetës i flaktë i partisë PIS që praktikisht nuk ka përvojë në politikën e jashtme. Ata duhet të zgjidhin mosmarrëveshje të ndërlikuara si Nord Stream 2, një tubacion gazi nga Rusia Perëndimore në Gjermaninë Verilindore që mbështetet nga gjermanët, por kundërshtohet ashpër nga polakët.
Ai gjithashtu do të përpiqet të ringjallë “trekëndëshin e Vajmarit” midis francezëve, gjermanëve dhe polakëve, dikur një forum konstruktiv për diskutime politike dhe ushtarake. Dhe duhet të lërë mënjanë mjaft kohë për të dëgjuar mbi tmerret e luftës që Gjermania i ka shkaktuar dikur Polonisë.