Autoriteti i Konkurrencës ka hedhur për diskutim publik një program të lehtësimit nga gjobat për marrëveshjet e ndaluara, të ashtuquajtura Kartel , të cilat konsiderohen si shkeljet më të rënda të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Marrëveshjet e fshehta (Kartel) janë të vështira për t’u zbuluar dhe për t’u hetuar pa bashkëpunimin e njërit prej pjesëmarrësve në kartel, për vetë natyrën e fshehtë të tyre. Për këtë arsye një numër i konsiderueshëm Autoritetesh kanë aplikuar programet e lehtësimit nga gjobat për të zbuluar këto sjellje anti-konkurruese.
Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës bazuar në Ligjin Nr 9121, dt 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”,vëren se është në interes të konsumatorit shqiptar që të lehtësojë nga gjoba, një pjesëmarrës në një marrëveshje të ndaluar kartel, i cili dëshiron t’i jap fund sjelljes anti-konkurruese dhe të bashkëpunojë plotësisht me Autoritetin e Konkurrencës për zbulimin e të gjithë pjesëmarrësve në marrëveshjen e ndaluar kartel.
Qëllimi i Autoritetit të Konkurrencës për zbulimin dhe ndëshkimin e kartelit, e kalon interesin për ndëshkimin e një ndërmarrjeje ose individi, i cili bëri të mundur identifikimin dhe dënimin e të gjithë kartelit, për vetë faktin se marrëveshjet e ndaluara/kartel janë shkelje serioze të ligjit të konkurrencës. Ato dëmtojnë konsumatorët nëpërmjet politikave të tyre. Në terma afatgjata, ato çojnë në humbje të konkurrueshmërisë dhe zvogëlojnë numrin e mundësive për punësim. Ndërmarrjet e përfshira në këto lloje aktivitetesh, të cilat kanë vullnetin për të mos qenë më pjesë e këtyre marrëveshjeve dhe që informojnë Autoritetin për ekzistencën e aktiviteteve të tilla përftojnë pikërisht nëpërmjet këtij programi të lehtësimit nga gjoba, i cili bazohet në dispozitat ligjore.
Autoriteti, parë në këndvështrimin e ligjit, konsideron se janë në interesin publik që të garantojnë trajtim të favorshëm për ndërmarrjet të cilat bashkëpunojnë me të. Qëllimi i programit të lehtësimit nuk është vetëm të asistojnë Autoritetin në përpjekjet e tyre për të luftuar dhe ndaluar marrëveshjet e ndaluara dhe ti dënojnë pjesëmarrësit në to, por gjithashtu është edhe shpërblimi që përftojnë ndërmarrjet si pasojë e bashkëpunimit me Autoritetin.
“Lehtësimi” nënkupton imunitetin por edhe reduktimin nga çdo gjobë që do të vendosej për një pjesëmarrës në një marrëveshje të ndaluar, në shkëmbim të zbulimit vullnetar të informacionit për sa i përket kartelit, para ose përgjatë fazës hetimore të një rasti.
Sipas Autoritetit, programi vendos një strukturë për vlerësimin e bashkëpunimit të ndërmarrjeve të cilat janë palë në marrëveshje dhe praktika që janë objekti i ligjit.
Programi i lehtësimit nga gjobat, është një instrument i rëndësishëm në luftën kundër marrëveshjeve të ndaluara, duke qenë se ato inkurajojnë ndërmarrjet që të ofrojnë informacion pranë Autoritetit të Konkurrencës, në lidhje me shkeljet e mundshme të konkurrencës. Programi i Lehtësimit nga gjobat, lejon Autoritetin e Konkurrencës që të ofrojë imunitet të plotë ose reduktim nga gjobat, që në të kundërt do të ishin vendosur për një pjesëmarrës në marrëveshje të ndaluar, gjithmonë në shkëmbim të zbulimit të informacionit mbi këtë marrëveshje të ndaluar dhe bashkëpunimit me Autoritetin e Konkurrencës. Duke pasur parasysh natyrën “sekrete” të marrëveshjeve të ndaluara, kjo politikë e lehtësimit nga gjobat synon në zbulimin e karteleve dhe në forcimin e rregullave të konkurrencës.
Kur një shkelje e ligjit përfshin aktivitetet e Kartelit, gjobat mund të arrijnë deri në 10 % të xhiros vjetore të një ndërmarrje.
Me anë të programit të lehtësimit. anëtarët e Kartelit mund ti pakësojnë pjesërisht gjobat e tyre financiare ose ti shmangin ato tërësisht. Prandaj programi i lehtësimit i jep atyre një stimul real për të dhënë informacion.
Programi i lehtësimit nga gjobat, ka të bëjë me marrëveshjet dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë konkurrentëve, që synojnë të kufizojnë konkurrencën nëpërmjet p.sh fiksimit të blerjeve ose çmimeve të shitjeve, shpërndarjes së produkteve ose kuotave të shitjes apo ndarjes së tregjeve përfshirë edhe bid-ridding.
Programi zbatohet ndaj ndërmarrjeve që veprojnë në treg dhe që janë pjesë e marrëveshjeve të ndaluara. Me qëllim që të sigurohet se programi i lehtësimit punon me efektivitet, është megjithatë e rëndësishme të mbrohet sa më tepër të jetë e mundur nëpunësit dhe drejtorët e ndërmarrjes duke aplikuar imunitet dhe mbrojtje nga sanksionet individuale.
Programi, gjithashtu ofron mbrojtje të informacionit të dhënë për përftimin e lehtësimit. Me qëllim sigurimin e mekanizmave për bashkëpunim duke inkurajuar aplikuesit për raportim vullnetar në lidhje me marrëveshjet e ndaluara dhe aktivitetet në lidhje me to, është e nevojshme mbrojtja në lidhje me informacionin e dhënë. Informacioni në lidhje me një lehtësim nuk mund të përdoret nga ndonjë autoritet tjetër. Ky informacion mund të shkëmbehet midis institucioneve/Autoriteteve homologe vetëm kur vetë aplikuesi bie dakord për shkëmbimin, ose kur institucioni marrës ofron një angazhim me shkrim që të mos përdorë informacionin e marrë ose çdo informacion tjetër që mund të marrë pas kësaj date, për të vendosur gjobë/sanksione mbi aplikuesin, pjesët e tij ose nëpunësit.
Sipas Autoritetit, për përfitim nga lehtësimi i plotë i gjobës ndërmarrja duhet:
a) T’i sigurojë Autoritetit, një kopje ose përshkrim të marrëveshjes së ndaluar, ku përfshihen: qëllimi, veprimtaria, funksionimi, produktet përkatëse, tregu përkatës, zgjatja dhe vlerësimi i volumit të tregut të ndikuar nga marrëveshja e ndaluar, data e lidhjes së marrëveshjes, vendndodhja, përmbajtja dhe pjesëmarrësit në marrëveshje si dhe përshkrime të tjera të cilat ndihmojnë Autoritetin në zbulimin e shkeljes.
b) Të japë emrin dhe adresën e ndërmarrjes që aplikon për lehtësim nga gjoba si dhe emrat dhe adresat e të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse në marrëveshje.
c) Të japë emrat, pozicionet, vendndodhjet e zyrave dhe kur është e nevojshme, adresat e të gjithë individëve të cilët, për sa ka dijeni ndërmarrja kërkuese, janë ose kanë qenë të përfshirë në marrëveshjen e ndaluar, duke përshirë të gjithë ata individë të cilët kanë qenë të përfshirë për llogari të kërkuesit.
d) Të informojë Autoritetin, nëse ndërmarrja është tërhequr nga pjesëmarrja në marrëveshjen e ndaluar;
e) Të qëndrojë në dispozicion të Autoritetit, për t’iu përgjigjur kërkesave që mund të kontribuojnë për rastin;
f) Të mos shkatërrojë, falsifikojë ose korrigjojë informacionin përkatës ose të dhënat që lidhet me marrëveshjen e ndaluar;
g) Të japë të dhëna të tjera që lidhen me marrëveshjen e ndaluar.
Karteli
Karteli është një marrëveshje ndërmjet konkurrenteve, ne radhë të parë e drejtuar në fiksimin e çmimit, ndarjen e klientëve dhe tregut si dhe kufizimit të prodhimit. Kartelet dëmtojnë rëndë konsumatoret duke rritur çmimet dhe duke kufizuar furnizimet, ato i bëjnë produktet dhe shërbimet te pamundura për disa konsumator dhe të shtrenjta për të tjerë.
OECD, ka dale ne përfundimin se çmimet në një industri të kartelizuar janë 10-20% më të larta se sa në rastin kur nuk ka kartel. Ne vitet e fundit, një numër i madh Autoritetesh kanë rritur përpjekjet për të zbuluar dhe vendosur gjoba te rënda administrative për shkeljet e ligjit lidhur me marrëveshjet kartel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.