Konkurrenca: Këtë vit do të hetojmë koncesionin e aeroportit të Tiranës

03/03/2020 10:00 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur se një ndër hetimet prioritare që do të zhvillojë gjatë këtij viti do të jetë ai i koncesionit të Aeroportit të Rinasit.

Në një përmbledhje të punës së vitit të kaluar, reflektuar në raportin vjetor që është dorëzuar tashmë në Kuvend, Konkurrenca nënvizon se kjo nismë vjen në kuadër të disa zhvillimeve që kanë ndodhur viteve të fundit. Autoriteti sjell në vëmendje se hetimi do të ketë në bazë situatën e koncesionit të aeroportit të vetëm funksional në vend.

Më herët, Konkurrenca ka kërkuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil rezultatet e Rishikimit të Pavarur Ekonomik që u zhvillua për këtë koncesion, ku me shkresën 881/3 prot., datë 06.06.2019 është informuar mbi gjetjet.

Por cilat janë këto gjetje që i janë dërguar Konkurrencës. Në raportin vjetor thuhet se nga monitorimi është konstatuar se tarifat e përcaktuara në anekset e kontratës janë të njëjta për të gjitha shoqëritë që përftojnë shërbim nga TIA.

Së dyti, raporti ka dalë në përfundimin se nga anekset e kontratave nuk arrihet të evidentohet nëse tarifat që përcaktojnë këto anekse janë të mbështetura në ndonjë metodologji të përcaktimit të këtyre tarifave për operatorët; mbështetur në koston e ofrimit të këtyre shërbimeve, detajime të elementeve përbërëse të kostos, të cilat më pas janë reflektuar në vendosjen e këtyre tarifave.

Sipas raportit të rishikimit të pavarur sillet në vëmendje se duhet të kemi një informacion në lidhje me tarifat që ofrojnë aeroporte të rajonit, ose tarifat që paguajnë të njëjtët operatorë që marrin shërbimin këtu në Shqipëri me tarifat që paguajnë nëpër aeroporte të tjera ku ofrojnë shërbimin.

“Sipas raportit të Rishikimit të Pavarur Ekonomik të Kontratës Koncesionare të TIA-s vërehet një hendek apo diferencë midis tarifave të raportuara dhe atyre të audituara për tarifën e sigurisë që sipas shpjegimeve të TIA-s kjo lidhet me pagesën e “taksës së sigurisë” prej 25% që i paguhet Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil sipas marrëveshjes koncesionare” thuhet në pikën 4 të shkresës që i është dërguar Konkurrencës nga Aviacioni Civil.

Së pesti, sipas raportit të Rishikimit të Pavarur Ekonomik të Kontratës Koncesionare të TIA-s, vërehet se tarifat për shërbimet në tokë dhe ato për uljen dhe ngritjen e avionit janë dukshëm më të larta se sa normat e paraqitura në planin e biznesit të kompanisë.

Së gjashti, gjatë viteve të aktivitetit, TIA ka pasur rritje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve. Rritja mesatare e volumit të pasagjerëve nga viti 2005 në vitin 2017 ka qenë 14.8%.

Së shtati, si rrjedhojë, në përfundim të periudhës së vlerësimit duket se TIA ka pasur rritje të fitimeve si pasojë e të ardhurave të siguruara nga rritja e volumit të pasagjerëve dhe rritja e normës së menaxhimit të trafikut ajror, krahasuar me vendet e tjera. Si konkluzion i Rishikimit të Pavarur Ekonomik të Kontratës Koncesionare të TIA-s, normat e fitimit të kompanisë TIA janë më të larta se të vendeve fqinje.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of