Autoriteti i Konkurrencës mbylli hetimin për në tregun e shfaqjes së filmave në kinema në qytetin e Tiranës.
Ky autoritet mori në analizë ndërmarrjet “Empire” SHPK (Empire), “Millenium” SHPK (Millenium) dhe “Cineplexx” SHPK (Cineplexx), ndërkohë që si periudhë hetimi u përcaktua nga 01.01.2015 deri në 30.06.2017.
Tregu përkatës
Përkufizimi i tregut nënkupton dallimin midis filmave të rinj të shfaqur ekskluzivisht në kinema, të njohur si “filma first run” (premierë) dhe filma të tjerë që rishfaqen për të disatën herë, si dhe shqyrtimin e sektorëve të ndryshëm të shfaqjes së filmit: televizion, video dhe kinema.
Filmat premierë shfaqen ekskluzivisht në kinema dhe filmat që nuk janë më premierë mund të shfaqen nga secili nga të tre sektorët, ose madje edhe nga të tre në të njëjtën kohë.
Nga analiza e konkurrencës rezulton se për filmat premierë, televizioni dhe video nuk janë zëvendësues të afërt, ndërsa për filmat jo premierë ata mund të konsiderohen si zëvendësues të afërt, përderisa konsumatori ka mundësi zgjedhjeje.
Produktet e tregut përkatës janë homogjene dhe ekziston transparencë informacioni përsa i përket çmimeve, ofertave, orareve, etj., duke i siguruar konsumatorit mundësinë e informimit pa kosto.
Të ardhurat e kompanive
Në termat e strukturës së tregut për nga treguesi i të ardhurave nga shitja e biletave dhe numri i biletave të shitura, rezulton se në tregun e shfaqjes së filmave operojnë vetëm tre ndërmarrje. Tregu i shfaqjes së filmave paraqitet me një strukturë oligopolistike me vetëm tre ndërmarrje, ku ndërmarrja më e madhe, me pjesë të konsiderueshme është Cineplexx me rreth 72 % të tregut nga të ardhurat e realizuara nga shitja e biletave dhe rreth 62% nga numri i biletave të shitura. Nisur nga struktura e tregut treguesi i përqendrimit në vitin 2016 rezulton të jetë shumë i lartë, përkatësisht 5,634 përsa i përket të ardhurave të realizuara nga shitja e biletave dhe 4,653 sipas numrit të biletave të shitura.
Abuzim me pozitën dominuese
Për të vlerësuar sjelljen e ndërmarrjes me pozitë dominuese Cineplexx, nëse ka abuzuar me pozitën e saj nëpërmjet vendosjes së çmimeve të padrejta të tregtimit, është marrë në analizë: rezultati financiar (fitueshmëria e ndërmarrjes); krahasimi i çmimeve me rajonin dhe rrjetin e Cineplexx në Ballkan (benchmark); si dhe krahasimi kosto – çmim shitje.
X Rezultati financiar (humbja) i ndërmarrjes Cineplexx për vitin 2015 është -53,270,785 lekë, ndërsa për vitin 2016 rezultati financiar (humbja) është -27,925,505 lekë.
Nga analiza e sjelljes së ndërmarrjes me pozitë dominuese, Cineplexx, në tregun e shfaqjes së filmave në kinema në qytetin e Tiranës, bazuar në rezultatin financiar të ndërmarrjes, krahasimi me çmimet e rajonit (benchmark rajonal) dhe çmimet e rrjetit Cineplexx në rajon, si dhe çmimet me konkurrentët e tjerë në vend, rezulton se nuk vërehen shenja të abuzimit me pozitën dominuese të ndërmarrjes Cineplexx, në kuptim të nenit 9, të Ligjit Nr. 9121/2003.
Praktikat e Bashkërenduara
Gjatë procedurave hetimore u kryen inspektime (Dawn Raids) në ambientet e ndërmarrjeve nën hetim për gjetjen e evidencave direkte dhe indirekte të një bashkëpunimi të mundshëm midis konkurrentëve, ose të një praktike përjashtuese, por gjatë këtyre inspektimeve nuk u gjet asnjë provë direkte apo gjurmë komunikimi midis tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.