Autoriteti i Konkurrencës bëri me dije se ka mbyllur hetimin paraprak në Tregun me Pakicë të Shërbimeve Celulare. Komisioni ka bërë mes të tjerave edhe një seri rekomandimesh që duhet të mbahen parasysh nga aktorët e tregut dhe institucionet e lidhura me rregullimin e aktivitetit të tyre.
Konstatimet e Konkurrencës
Konkurrenca në vendimin e saj nënvizon se gjatë hetimit nuk është gjetur evidencë direkte për sjellje të bashkërenduar të operatorëve. Por ndryshe shfaqet situata tek pjesa e paketave që kanë ofruar në treg kompanitë. “Referuar sa më sipër, në Mars të vitit 2016 tre prej kompanive celulare kanë ndryshuar vlefshmërinë e paketave kryesore standarde në harkun kohor të tetë ditëve, përkatësisht Albtelecom me 15 Mars 2016, Telekom me 21 Mars 2016 dhe Vodafone me 23 Mars 2016. Ndryshimi i bërë në këtë periudhë konsiston në ndryshimin e periudhës së mbulimit të paketave nga 30 ditë në 28 ditë, por referuar inspektimeve nuk janë gjetur evidenca direkte apo indirekte që të provojnë që ky ndryshim ka ardhur si pasojë e një marrëveshjeje të ndaluar apo sjelljeje të bashkërenduar midis tyre në kuptim të nenit 4 të Ligjit Nr. 9121/2003. Sjellja e mësipërme, mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në kuadër të informacionit të plotë ndaj konkurrentëve të tjerë dhe efekteve të tyre në njësi dhe tarifa” thuhet në vendimin e Konkurrencës.
Ndryshimi i paketave sipas kësaj pike ka rezultuar në kosto të rritur për qytetarët që nuk paguajnë më 12 muaj por gati 13. “ Ky ndryshim i kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë bën që konsumatori të faturohet rreth 13 muaj në vit në vend të 12 muajve, duke çuar në një rritje vjetore prej rreth 6.5% të buxhetit të shpenzuar nga konsumatori për këtë shërbim” thuhet në vendim.
Edhe tek njësitë që ofrohen në paketa duket se ka një sjellje të ngjashme të kompanive por sërish sipas Konkurrencës nuk ka tregues për marrëveshje.
“Referuar analizës së sjelljes së ndërmarrjeve vihet re se në periudhën Mars – Prill 2017, 3 ndërmarrje përkatësisht Vodafone, Telekom dhe Albtelecom, për një periudhë 2 javore, duke ndjekur njëra – tjetrën kanë ndryshuar paketat standarde duke shkuar në të njëjtat tarifa dhe numër njësish për disa prej tyre, por referuar inspektimeve nuk janë gjetur evidenca direkte apo indirekte që të provojnë që ky ndryshim ka ardhur si pasojë e një marrëveshjeje të ndaluar apo sjelljeje të bashkërenduar midis tyre në kuptim të nenit 4 të Ligjit Nr. 9121/2003. Për këtë arsye vlerësojmë që tregu përkatës nën hetim të mbetet nën monitorim për të parë në vazhdimësi sjelljen e ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në këtë treg. Sjellja e mësipërme mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në lidhje me kombinimin e shërbimeve brenda paketave standarde. Ofrimi i paketave me tarifë të përcaktuar për të gjithë njësitë e paketës dhe jo me çmim të detajuar për çdo element të saj (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.) krijon konfuzion për konsumatorët” thuhet në vendim.
Rekomandimet
Në fund Komisioni ka bërë një listë të gjatë me rekomandime ku së pari pesha bie mbi Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Ky i fundit duhet të:
Të njoftojë Autoritetin e Konkurrencës për çdo paketë standarde/oferta të njoftuar nga ndërmarrjet që operojnë në tregun e telefonisë celulare që sjell efekte antikonkurruese në treg në përmbushje të detyrimeve ligjore të përcaktuara në nenin 12, nenin 38 dhe nenit 61 të Ligjit Nr. 9918/2008;
1.2 Të kërkojë opinionin e Autoritetit të Konkurrencës për çdo ndryshim të strukturës së tregut që mund të sjellë pasoja për konkurrencën;
1.3 Brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, në bazë të nenit 70 të Ligjit Nr. 9121/2003, të marrë masat si vijon:
- Të bëjë vlerësimin e paketave 28 ditore dhe 30 ditore për të vlerësuar nëse ka efekte negative për konsumatorin duke u shprehur me vendim të Këshillit Drejtues të AKEP-it;
- Ndryshimin e nenit 8 të Rregullores Nr. 27/2012 “Mbi publikimin e informacionit për tarifat si dhe kushtet e aksesit dhe përdorimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”, duke parashikuar detyrimin e ndërmarrjeve për njoftimin në AKEP përpara bërjes efektive të miratimit të tarifave/ndryshimeve;
- Të përcaktojë për operatorët e shërbimit celular detyrimin që përveç çmimit të paketës standarde nga ana e ndërmarrjeve të publikohet dhe çmimi për njësi për çdo shërbim (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.), që këto paketa përmbajnë;
- Të parashtrojë përpara Autoritetit të Konkurrencës duke kërkuar fillimin e procedurave përkatëse ligjore për çdo rast për të cilin konstaton sjellje antikonkurruese nga ana e ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e komunikimeve elektronike;
e. Të kryej analiza për zhvillimin dhe orientimin drejt kostos së tarifave standarde të aplikuara për përdoruesit me parapagesë, që përdorin tarifat standarde jashtë ofertave për operatorët me fuqi të ndjeshme në këtë treg.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.