Intervistë me Linda Shomo, drejtore e përgjithshme e EasyPay
Tregu i pagesave është një ndër segmentet më dinamike të tregut financiar dhe konkurrenca është mjaft e lartë, thotë Linda Shomo, drejtore e përgjithshme e kompanisë EasyPay, në një intervistë për revistën “Monitor” se.
Pandemia dhe mbyllja e ekonomisë, sipas saj, ndikuan pozitivisht në përdorimin më të madh të pagesave elektronike nga publiku. Pas rikthimit në normalitet, sfida e kompanive të pagesave u bë mbajtja e klientëve në kanalet dixhitale.
Sa u ndikua tregu i shërbimeve të pagesave nga kriza e vitit të kaluar? Në cilat drejtime, ndikimi ishte më i prekshëm?
Megjithëse viti i kaluar ishte i vështirë në tërësi prej pandemisë Covid-19, sektori i pagesave dhe sidomos pagesat online, ishte sektori më “fatlum”. Shërbimet që ai ofron, si p.sh. utilitete, pagesa këstesh të kredisë, gjoba, taksa, etj., njerëzit duhet të vijojnë t’i kryejnë, pavarësisht kushteve ekonomike dhe sociale, por në mungesë të kanalit tradicional (pagesat fizike në pika/degë) njerëzit u detyruan të ktheheshin në kanalet online.
Përveç shërbimeve dixhitale, gjatë “lockdown”, njerëzit vijuan të kryenin blerje të produkteve fizike, thjesht ndryshoi kanali i blerjes: nga offline në online. Të ndryshosh sjelljet e konsumatorit për konsum dhe blerje, është vështirë të kryhet në mënyrë të menjëhershme, sikurse pati mundësi ta bënte Covid-19.
Ndaj, operatorët që arritën të përshtatin bizneset e tyre menjëherë nga offline në online, ishin ata që nuk i humbën klientët dhe i rezistuan krizës. Gjatë pandemisë lulëzuan dyqanet “boutique” në Instagram, gjë që reflekton pikërisht këtë sjellje të konsumatorit. Po ashtu “food delivery” ishte një segment që pati mjaft rritje, shoqëruar edhe me rritje të pagesave EasyPay në këtë sektor.
Viti 2020 ishte një thirrje për bizneset SME, për të kaluar sa më shpejt në ekonominë dixhitale, trend që i jep një ndihmë të madhe sektorit të pagesave online. Sektori i remitancave pritej të kishte rënie të madhe në 2020 (sipas parashikimeve botërore pritej fillimisht të kishte rënie deri në 20%, por ndërkohë tregu shqiptar i remitancave pësoi rënie të lehtë me vetëm 4.2%. Ndërkohë, transfertat e parave nga jashtë me Easypay-RIA njohën vetëm rritje, duke dyfishuar aktivitetin në krahasim me një vit parë.
Sot, kompanitë e shërbimeve të pagesave identifikohen gjithnjë e më shumë me konceptin e fintech. Si është e pozicionuar kompania juaj në drejtim të adoptimit të shërbimeve që bazohen te kanalet dixhitale?
Dixhitalizimi, prej kohësh, është identifikuar si pjesë thelbësore e ekonomisë së një vendi. Kriza e fundit që po kalojmë ishte mekanizmi i duhur për të përshpejtuar kalimin e konsumatorëve nga përdorimi i shërbimeve tradicionale financiare në sektorin FinTech, duke i dhënë këtij sektori një mundësi të jashtëzakonshme për të rritur në mënyrë të menjëhershme shërbimet, të fokusuara në përvojën e klientit.
Inovacioni në industrinë e pagesave ka bërë që EasyPay të sjellë transformime thelbësore në mënyrën e kryerjes së pagesave në vend, duke rritur përfshirjen financiare, sidomos në zona rurale ku numri i popullsisë, me pak ose aspak akses në shërbime bankare, është i lartë.
EasyPay, lider i sektorit fintech në Shqipëri, ka vizionin e një “One stop shop”, që mundëson pagesa dhe transferta në kohë reale (instant), ku siguria e konsumatorit sigurisht është prioritet. Nëpërmjet aplikacionit EasyPay, pagesat mund të aksesohen dhe kryhen 24/7, në çdo vend dhe në çdo kohë; ose për personat të cilët nuk kanë një llogari EasyPay, pagesat mund të bëhen në çdo pikë të rrjetit EasyPay, të cilat gjenden edhe në zonat më rurale, aty ku operatorët e tjerë nuk kanë arritur ende të shkojnë.
Kur flasim për transfertat nga jashtë, ekziston një opinion i përgjithshëm se institucionet financiare të transfertave janë më të shtrenjta se bankat. A është e vërtetë se ju jeni më të shtrenjtë dhe cilat janë avantazhet konkurruese që keni kundrejt bankave për këto shërbime?
Që prej 2017-s, EasyPay është partneri zyrtar i RIA Money Transfer, një prej tre operatorëve më të mëdhenj në botë në fushën e remitancave. Trendi i rritjes së transfertave nga jashtë me EasyPay-Ria, tregon atë që klientët preferojnë këta operatorë kundrejt bankave për një sërë arsyesh si më poshtë:
– fasha mesatare e remitancave në tregun shqiptar është në vlerat 400-450 euro dhe në këto fasha operatorët e transfertave janë më konkurrues sesa bankat, si në tarifën e transfertës, ashtu edhe në kohën e tërheqjes së parave;
– transfertat nëpërmjet institucioneve të transfertave kanë procedurë më të shpejtë se në sportelet e bankave (klienti nuk ka nevojë të qëndrojë në radhë dhe kursen kohë);
– fleksibilitet në orarin e shërbimit dhe ditësh pune (hapur çdo ditë të javës, nga ora 8:00 – 21:00); dhe pika të shumta (prani më të gjerë) në të gjithë vendin.
Sa konkurrencë ekziston sot në ofrimin e shërbimeve të pagesave? Cilët faktorë janë më të rëndësishëm për të pasur avantazhe konkurruese?
Tregu i Pagesave është shumë dinamik dhe po zhvillohet shumë shpejt, falë teknologjisë dhe kjo ndikon në rritjen e konkurrencës. Tregu pritet të bëhet më konkurrues me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të Pagesave, pasi do t’i hapë rrugën operatorëve të rinj, falë ndryshimeve rregullative në marrjen e licencave dhe aktivitetit të operimit.
Aktualisht, EasyPay ofron shërbime të transferimit të parave dhe shërbimeve të pagesave që janë të ngjashme me produktet e ofruara nga bankat. Avantazhet konkurruese sot në treg varen nga portofoli i shërbimeve që ofron secili operator, teknologjia e përdorur, sikurse dhe nga rrjeti i gjerë i shpërndarjes (rrjeti i pranisë me pika/degë në të gjithë territorin) për të qenë më afër konsumatorit.
Sido që të vijnë sfidat nga zhvillimet e tregut, ne besojmë fort se ofrimi i shërbimeve bazuar në përvojën e klientit, inovacioni dhe teknologjia, siguria dhe rritja e shkallës së besimit të klientit dhe cilësia e shërbimit do të vijojnë të jenë pikat tona më të forta për të vijuar suksesin në treg dhe për t’i bërë ballë konkurrencës në rritje.
Çfarë perspektivash sjell për ju ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”.
Ligji i ri i Pagesave sjell sigurisht perspektiva të reja për pagesat, duke ditur që bazohet në direktivën e PSD2 (Payment Service Directive 2) të Bashkimit Europian. Nga njëra anë, ligji i ri nxit përdorimin e teknologjive të reja në fushën e pagesave dhe transfertave dhe ndërkohë rregullon, më së miri, praktikat ekzistuese të pagesave në treg. Perspektiva më e madhe e këtij ligji është “Open Banking”. “Open Banking” do t’u hapë rrugën produkteve dhe shërbimeve të reja financiare.
Po ashtu do të ndihmojë klientët individë dhe SME të përfshihen më shumë financiarisht dhe të marrin zgjidhje financiare më të mira, falë teknologjive të reja. Me “Open Banking”, klientët do të kenë mundësi të kuptojnë më mirë (p.sh., nëpërmjet një aplikacioni të vetëm në celular, gjendjen e llogarive në secilën bankë dhe ndërkohë do të arrijnë t’i përdorin më së miri paratë në llogaritë e tyre.
“Open Banking” do të thotë “banking i hapur”, d.m.th. që bankat nuk do të mund të veprojnë më në mënyrën e tyre tradicionale, por do të duhet të “hapen”, të bashkëveprojnë me fintechs, me zgjidhjet inovative që do të dalin në treg. Kjo u hap rrugën shumë shërbimeve me vlerë të shtuar për bankën dhe fintechs nuk duhen konsideruar më si konkurrente, por si partnere.
Ndërkohë, Ligji i ri i Pagesave sjell dhe dy inovacione të mëdha në fushën e pagesave, dy lloj institucionesh që nuk kanë ekzistuar më parë: AISP (Account Information Service Provider) ose ndryshe Institucion për Informimin mbi Llogarinë dhe PISP (Payment Initiation Service Provider) ose në shqip, Institucioni i Inicimit të Pagesave.
Institucioni mbi Informimin e Llogarisë do të ketë mundësinë të ofrojë informacion nga shumë llogari të klientit, nga të gjitha bankat, të analizojë të dhënat nga këto llogari, duke ofruar shërbime shtesë për klientin, të cilat i mundëson teknologjia dhe nuk kanë ekzistuar në treg deri më sot.
Nga ana tjetër, Institucioni i Inicimit të Pagesave do të mundësojë nisjen e një pagese nga një kanal i caktuar, si p.sh. aplikacion në celular etj., dhe do të ketë mundësinë të tërheqë para nga llogaria e klientit, në emër të tij, për sa kohë klienti ka dhënë pëlqimin paraprak për atë veprim. Nëse klienti ka disa llogari bankare, atëherë ai do të vendosë nga cila llogari do mund t’i tërhiqen fondet.
Mendoni se periudha e pandemisë ka krijuar një zhvendosje përfundimtare drejt kanaleve dixhitale për një pjesë të madhe të konsumatorëve?
Gjatë 10 viteve të para të veprimtarisë së tij, EasyPay si fintech lider në treg, ka përmbushur nevojat e të gjithë brezave, të cilët kanë ose nuk kanë llogari bankare për të kryer pagesat në kohë reale. Kriza botërore e shkaktuar nga Covid-19 e përshpejtoi në pak muaj atë që EasyPay u mundua të bënte në 9 vitet e shkuara në tregun shqiptar: përshpejtimin e adoptimit të pagesave dixhitale nga konsumatorët dhe bizneset.
Viti i pandemisë për ne si ofrues i pagesave dixhitale ishte me trend shumë pozitiv, veçanërisht për klientët e parasë elektronike. Tremujori parë i 2020 u mbyll me një rritje prej 40% e klientëve të rinj në aplikacionin EasyPay, ndërsa numri i transaksioneve në aplikacion më shumë se u trefishua.
Meqenëse dihet që shoqëria shqiptare është shoqëri ku mbizotëron Cash-i, sfida jonë pas “lockdown” ishte si t’i mbanim klientët në kanalin dixhital dhe të mos i ktheheshin më kanalit tradicional me pagesa cash. Sigurisht, nuk është sfidë e lehtë, një pjesë e klientelës iu rikthye kanalit tradicional menjëherë pas “lockdown”, por sidoqoftë kanali online njohu rritje si në numër klientësh të rinj, edhe në numër veprimesh, në krahasim me para pandemisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Nje fabul qe ilustron kete lloj konkurence: “Ishte nje fshat i vogel ne Zvicer i cili kishte rreth 150-200 familje. Fshati kishtepothuaj te gjithe spektrin e ofruesit te sherbimeve, me markete, kafen, restorante fast food, etj. Midis tyre kishte dhe nje dyqan argjendarie me artikuj floriri. Puna e ketij dyqani ishte e kenaqshme dhe i zoti fitonte mjaftueshem per te mbajtur familjen ne parametra optimale. Ndodh qe ne fshat na vjen nje banor i ri, i cili po shikonte verdalle se cfare biznesi mund te fillonte. Pasi u mendua ca, i vajten syte tek dyqani i floririt dhe vuri re… Read more »