Autoriteti i Konkurrencës bëri me dije se nga 31 dhjetori 2020 hyn në fuqi udhëzuesi “Për fuqizimin e Autoritetit të Konkurrencës për të qenë sa më i efektshëm në zbatueshmërinë e Ligjit nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës””, i ndryshuar dhe për të siguruar funksionimin e duhur të tregut”. Sipas argumenteve të dhëna në Komisionin e Konkurrencës që tashmë ka miratuar këtë dokument udhëzuesi synon të adresojë aspekte shumë të rëndësishme të veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës, që lidhen me të drejtën për të kryer hetime, për të vendosur sanksione administrative, për të ofruar siguri ligjore dhe garanci për ndërmarrjet nën hetim dhe palët e treta, për të garantuar zbatueshmërinë e Programit të Lehtësimit nga Gjobat.
Udhëzuesi ofron sigurinë se Autoriteti i Konkurrencës ka të gjitha mjetet e duhura për zbatimin e ligjit të konkurrencës, duke ofruar garanci dhe standarde, edhe për palët e treta, pjesë e procedurave të Autoritetit të Konkurrencës.
Kuadri ligjor i jep Autoritetit të Konkurrencës mjetet e përshtatshme për të vendosur sanksione proporcionale dhe parandaluese për shkeljen e rregullave. Në kuadër të Programit të Lehtësimit nga Gjobat, që inkurajon ndërmarrjet të paraqesin prova lidhur me zbulimin e marrëveshjeve të ndaluara të paligjshme, nxiten ndërmarrjet të jenë pjesë e këtij programi duke raportuar pjesëmarrjen e tyre në një marrëveshje të ndaluar.
Udhëzuesi nënvizon rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave themelore të ndërmarrjeve dhe kërkon që Autoriteti i Konkurrencës të respektojë këto parime gjatë ushtrimit të kompetencave.
“Udhëzuesi është hartuar duke përshtatur dhe përfaruar Direktivën e Parlamentit Evropian dhe të Këshillit 2019/1 të datës 11 Dhjetor 2018 “Për fuqizimin e Autoriteteve të Konkurrencës të Shteteve Anëtare të jenë zbatues më efektiv dhe të sigurojnë funksionimin e duhur të tregut të brendshëm ( PE/42/2018/REV/1), një direktivë e re në fushën e konkurrencës, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2019.
Për këtë arsye, do të lihet një periudhë e caktuar kohore 6 (gjashtë) mujore, para se udhëzuesi të hyjë në fuqi, me qëllim që të gjitha palët e interesuara të njihen me parashikimet e këtij udhëzuesi.
Kapitulli VII “Asistenca e Përbashkët” dhe Kapitulli VIII “Periudhat e Kufizimit”, duke qenë se kanë të bëjnë me bashkëpunimin midis autoriteteve homologe të konkurrencës të Shteteve Anëtare të BE-së, do të hyjnë në fuqi dhe do të zbatohen kur Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian” thuhet në dokument.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.