Sektori i biznesit ka ulur dukshëm kërkesën për kredi në banka që kur kriza e vitit 2008 rëndoi bilancet e tyre. Niveli i lartë e kredive të këqija i ka bërë bankat skeptike, ndaj fokusi i tyre është duke u drejtuar gjithnjë e më shumë te kredia konsumatore dhe mikrofinanca.
Banka Credins ka ngritur një strukturë të posaçme për mikrokredinë, teksa të tjerat ofrojnë kredinë konsumatore me kushte më të lehtësuara. Kartat e kreditit po bëhen një instrument i rëndësishëm në këtë drejtim.
Gjatë vitit 2017 u vu re një rritje e shpejtë e kartave të kreditit me parapagim. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, emetimi i kartave të kreditit u rrit me 12.1% në krahasim me 2016. Gjithashtu, funksionimi në treg i kartave me funksion paraje elektronike, ka paraqitur ritme të shpejta rritëse.
Zhvillime mjaft pozitive kanë shënuar dhe terminalet për përdorimin e kartave me para elektronike, të cilat vijojnë të paraqesin ritme rritëse në masën 104.56% krahasuar me fundin e vitit 2016. Megjithatë, duhet theksuar se kjo rritje reflekton dhe efektin statistikor të bazës së ulët krahasuese.
Nxitja e përdorimit të instrumenteve të parasë elektronike vlerësohet të ketë ndikim në përfshirjen financiare të popullsisë, duke mundësuar aksesin në shërbime bankare (hapjen e një llogarie paraje elektronike dhe zotërimin e një karte të parapaguar) nga kategori të popullsisë të cilat nuk mund të kenë akses në shërbime të tjera, si për shembull nuk janë pagamarrës. Në terma relativë, pagesat e kryera me karta të parapaguara arrijnë deri në 8.37% të pagesave me karta debiti dhe krediti më 2017. Krahasuar me 2016, ka një rritje të pagesave me këto karta prej 18.47%.
Sipas statistikave të Bankës Botërore, në Shqipëri vetëm 6% e popullsisë (mbi 15 vjeç) përdor kartën e kreditit kundrejt 13% në Ballkanin Perëndimor (pa vendet anëtare në BE), dhe kundrejt 42% në vendet e BE. Ndërkohë, për së i përket kartës së debitit, 22% e popullsisë në Shqipëri përdor një të tillë, kundrejt 44% në Ballkanin Perëndimor dhe 82% në vendet e BE-së.
Sipas Bankës së Shqipërisë, numri total i kartave ka shënuar rritje progresive çdo vit që prej vitit 2004.
Banka e Shqipërisë argumenton se përdorimi jo i lartë i kartave si mjet pagese reflekton nivelin e familjarizimit të publikut, edukimin e ulët financiar, si dhe infrastrukturën e kufizuar të POS-eve nga ana e bizneseve.
Drejtor i Biznesit të Kartave dhe Bankingut Elektronik, në Raiffeisen Bank, Resmi Hibraj, thotë se, ndonëse tendenca e përdorimit të kartave të kreditit është pozitive, ritmi i rritjes së përdorimit të tyre është ende larg pritshmërive”.
Duhet theksuar që qëllimi primar i përdorimit të kartave të kreditit është që ato të shërbejnë në radhë të parë si një mjet pagese dhe pastaj si një burim financimi, ndonëse sigurisht, përdorimi i limitit të kreditit dhe pagesa me këste është një nga avantazhet më të rëndësishme që ofron karta e kreditit në raport me kartën e debitit apo pagesat cash”, tha Hibraj.
Disa nga përfitimet e përdorimit të kartave që vlen të përmenden janë: Bli tani, paguaj më vonë, përfitime dhe trajtime të njëjta si brenda dhe jashtë vendit, prenotime online, ose me telefon, për biletat e fluturimeve, koncerteve, pushime, etj., krijim i mundësive të reja për bizneset, duke rritur të ardhurat e tyre, reduktimi i informalitetit dhe minimizimi i rrezikut të parasë cash.
Përdorimi i kartave ka nisur të shtohet për shkak të ndërthurjes së programeve të besnikërisë që shpërblejnë përdoruesit e kartave të kreditit sa herë ata bëjnë blerje.
Në të shumtën e rasteve, bankat të pajisin me kartë krediti vetëm me një vërtetim të ardhurash dhe një dokument identifikimi. Shumica e bankave aplikojnë 0% interes për blerjet brenda muajit. Shumica e bankave ofrojnë edhe zero komision për blerjet në sistemet POS dhe në blerjet në internet. Në produktin e huasë njëmujore, bankat janë shumë konkurruese në krahasim me shoqëritë e mikrokredisë. Nëse shuma e harxhuar nga karta e kreditit shlyhet brenda një muaji, atëherë interesi është zero, ndërsa në institucionet financiare jo banka të mikrokredisë nuk është më pak se 14%.
Ekzistenca tanimë e mbi 16 bankave në tregun shqiptar ka bërë që faktori konkurrencë të jetë gjithmonë e më i rëndësishëm për sektorin e mikrofinancës. Bankat po fokusohen përherë e më shumë drejt kredisë së individit (kredi të vogla konsumatore) duke përfaqësuar në vitin 2017 rreth 36% e kredive të akorduara. Rritja vjetore e kredisë vitet e fundit ka qenë me ritme dyshifrore.
Nga rreth 35 miliardë lekë që ishte portofoli i kredisë më 2014, në fund të vitit 2017 arriti në rreth 50 miliardë. Kjo rritje e kredisë së individit nga sektori bankar vjen për shkak të lehtësimit të procedurave nga ana e bankave, uljes së normës së interesit, likuiditetit të lartë, por dhe për shkak të një aksesi gjithmonë e më të madh të individëve ndaj sektorit bankar.
Çfarë është mikrokredia
Që në vitet e para të tranzicionit, mikrofinanca i mundësoi popullatës së gjerë dhe në veçanti asaj rurale, e cila ishte tërësisht e “harruar” nga infrastruktura bankare, që të praktikonte njohuritë bazike financiare, numerike, administrative dhe humane madje, nëpërmjet marrjes së një kredie me shuma tejet të vogla, deri në 100/200 USD. Shumat e kredive nisen të rriten në vitet në vijim, por mesatarja e tyre varion 100-150 mijë lekë.
Mikrofinanca erdhi si një koncept i importuar në Shqipërinë e postviteve ‘90 nga komuniteti ndërkombëtar, si një ndër praktikat më të mira dhe inovative për periudhën, për t’i bërë ballë krizës socio-ekonomike me të cilën po përballej vendi, pas daljes nga sistemi monist.
Shoqata e Mikrofinancë shpjegon se mikrokreditë e para u dhanë në nëntor 1992, ato ishin 121 dhe përmblidhnin 20 mijë dollarë të dhuruara nga fondacioni francez “Vëllezërit e shpresës”. Qëllimi ishte të testohej se si do t’i përgjigjeshin kësaj nisme fshatarët shqiptarë dhe, fatmirësisht, kjo rezultoi e suksesshme, sqaron Shoqata. Pas kësaj, procesi i kreditimit rural nuk do të ndalonte më. Nevoja për financim, nga njëra anë, dhe kërkesat e ekonomisë së tregut, nga ana tjetër, ishin dy faktorë të cilët ecnin paralelisht. Edhe pse mikrofinanca u prezantua paralelisht dhe në vende të tjera që sapo dolën nga regjimi komunist, jo në të gjitha vendet mikrofinanca arriti të njëjtat suksese si në Shqipëri ku, në 25 vite, u injektuan mbi 1 miliard dollarë duke mbështetur krijimin e mbi 350.000 vendeve të reja të punës. Suksesi në Shqipëri ishte padyshim i lidhur edhe me faktorë të tjerë që shkonin përtej ndërhyrjes ndërkombëtare. Konkurrenca e limituar është një ndër faktorët e parë të këtij suksesi unik. Ekzistenca e vetëm dy bankave në Shqipërinë e postviteve ‘90, asaj Agrare dhe të Kursimeve, ndihmoi në një përhapje më të shpejtë, të thjeshtë dhe kompetitive të mikrofinancës. Infrastruktura e këtyre dy bankave ishte tejet e limituar, me fonde të vogla dhe krejtësisht inekzistente në zonat rurale, të cilat ishin thellësisht.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.