Ndërsa se stili i jetesës si nomad dixhital, po bëhet gjithnjë e më popullor, vendet në mbarë botën po krijojnë programe të veçanta vizash, për punonjësit në distancë dhe sipërmarrësit dixhitalë, duke i lejuar ata të jetojnë dhe punojnë ligjërisht në vend.
Të ashtuquajturat viza për nomadët dixhitalë, janë shfaqur në të gjithë globin gjatë dy viteve të fundit, për të shfrytëzuar mundësinë e tërheqjes së nomadëve dixhitalë, që këta të fundit të shpenzojnë të ardhurat e tyre brenda vendit.
Që kur Estonia prezantoi programin e parë në botë të vizave për nomadët dixhitalë në vitin 2020, mbi 50 vende të tjera kanë ndjekur shembullin, duke përfshirë Dubain, Hungarinë dhe Kosta Rikën.
Këtë vit, konkurrenca po nxehet midis vendeve që kërkojnë të tërheqin punonjësit ndërkombëtarë në distancë, me shpalljen e programeve dhe planeve të reja për t’u bashkuar me këtë tendencë.
Programi i vizave i Spanjës për nomadët dixhitale
Programi i shumëpritur i Spanjës i vizave për nomadët dixhitalë, doli më në fund në shkurt 2023, duke lejuar qytetarët nga jashtë Bashkimit Europian dhe Zonës Ekonomike Europiane (European Economic Area, EEA), të jetojnë dhe punojnë në vend për një vit.
Vizat për nomadët dixhitalë në Spanjë, mund t’i marrin ata që punojnë nga distanca dhe që fitojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre nga firmat jo-spanjolle. Aplikantët nuk duhet të jetojnë ilegalisht në Spanjë në kohën e aplikimit, si dhe nuk mund të kenë jetuar në vend pesë vite para aplikimit.
Për të aplikuar, ata duhet të dëshmojnë se kanë punuar me klientët ose kompaninë e tyre për më shumë se tre muaj përpara se të aplikojnë, dhe duhet të jenë në gjendje të provojnë se kanë një kontratë pune ose, nëse janë të pavarur, kanë qenë të punësuar rregullisht nga një kompani jashtë Spanjës.
Ata gjithashtu duhet të dëshmojnë se janë të kualifikuar ose me përvojë në fushën e tyre dhe kanë të paktën tre vjet përvojë pune. Kërkohet gjithashtu sigurimi shëndetësor, si dhedosje penale e pastër e dy viteve të fundit, gjithashtu edhe një deklaratë se nuk kanë pasur precedentë penalë gjatë pesë viteve të fundit.
Kufiri i të ardhurave është vendosur në 200% të pagës minimale mujore të vendit, e cila aktualisht arrin në rreth 2,334 euro në muaj ose 28,000 euro në vit.
Aplikantët e përzgjedhur do të kenë të drejtë të aplikojnë për një leje qëndrimi, e cila do t’u mundësojë atyre të udhëtojnë nëpër BE. Viza është e rinovueshme deri në pesë vjet.
Viza nomade dixhitale e Kolumbisë
Pas një beteje legjislative 20-mujore, Kolumbia më në fund prezantoi programin e vizave për nomadët dixhitalë, në janar 2023, duke lejuar punonjësit e pavarur dhe në distancë, të qëndrojnë deri në 24 muaj.
Për t’u kualifikuar, aplikantët duhet të kenë një të ardhur minimale prej tre pagash minimale mujore në Kolumbi, e cila është vendosur në 1,000,000 COP (206 USD) ose rreth 604 USD në muaj.
Viza u lejon shtetasve të huaj të krijojnë llogari bankare në vend dhe gjithashtu ofron një rrugë drejt emigrimit dhe marrjes së nënshtetësisë. Sipas CitizenRemote, viza kushton pak më pak se 300 dollarë.
Byroja e turizmit të Kolumbisë, pret që viza të tërheqë të paktën 45,000 nomadë dixhitalë në vend në 18 muajt e ardhshëm.
Vizat e ardhshme për nomadët dixhitalë në Itali
Në mars të vitit 2022, qeveria italiane miratoi planet për Vizën e Nomadëve Dixhitalë, një skemë, e cila do të zbatohet në fillim të vitit 2023 dhe që do të synojë “punonjësit me aftësi të lartë” nga vendet jashtë BE-së.
Ndonëse detajet e kërkesave nuk janë ende të qarta dhe as të finalizuara plotësisht, kuptohet që programi do t’u lejojë mbajtësve të vizave të qëndrojnë në Itali deri në një vit.
Anëtarët e parlamentit kanë raportuar gjithashtu se aplikantëve do t’u duhet një dëshmi e akomodimit në Itali, sigurim shëndetësor dhe një dosje e pastër penale. Aplikantët do të duhet gjithashtu, të plotësojnë kërkesat minimale të të ardhurave.
Koreja e Jugut planifikon një vizë “pune”
Koreja e Jugut është ndër vendet e fundit që i është bashkuar lëvizjes, duke zbuluar planet në fillim të këtij viti për të nisur të ashtuquajturën “vizë pune” (workation visa).
Programi, i cili është caktuar të prezantohet gjatë gjysmës së dytë të 2023, do t’i lejojë udhëtarët të qëndrojnë në vend deri në dy vjet, duke kryer gjithashtu detyrat e tyre të zakonshme si punonjës të një kompanie nga vendi i tyre.
Detajet e zbatimit të vizës së re, nuk janë publikuar ende, por skema do të jetë pjesë e një ambicie më të madhe për të rigjallëruar industrinë vendase të turizmit, e cila është goditur rëndë nga pandemia e Covid-19.
Përpara shpalljes së vizës së re për nomadët dixhitalë, qeveria e Koresë së Jugut ka punuar gjithashtu në krijimin e qendrave të ndryshme të punës.
Qendra e punës në hotelin Asti në rrethin Dong, ngjitur me stacionin e trenit Busan KTX, u hap në fillim të shkurtit 2023.
Ndërkohë, qyteti port Busan, i cili tërheq shumë turistë për shkak të bregdetit të tij të larmishëm, pritet të ketë disa qendra pune projektuar posaçërisht për nomadët dixhitalë.
Programi i vizave për nomadët dixhitale të Kroacisë tërheq mijëra të huaj
Kroacia, e cila nisi programin e saj të vizave për nomadët dixhitalë në vitin 2021, është bërë një destinacion popullor për punëtorët në distancë, duke tërhequr mijëra nomadë dixhitalë.
Jan de Jong, themeluesi i shoqatës Digital Nomads Croatia, vlerëson se rreth 5,000 nomadë dixhitalë arrijnë në Kroaci çdo muaj.
Ai i tha Croatia Week në një intervistë, se nëse çdo nomad dixhital do të qëndronte në vend për një periudhë prej dy muajsh, mund të vlerësohet se ka rreth 10,000 nomadë dixhitalë në Kroaci çdo muaj.
Kroacia po bëhet shpejt një vend i favorizuar për punonjësit në distancë dhe nomadët dixhitalë, tha De Jong, duke vënë në dukje infrastrukturën e përparuar të vendit, komunitetin e krijuar të nomadëve dixhitalë, stilin e këndshëm të jetesës dhe çmime të përballueshme. / Fintech News