Rritja e Përgjithshme e Çmimeve në muajin gusht e matur sipas një metodologjie të Eurostat ishte 1.4 %, në të njëjtin nivel me matjet kombëtare, duke konfirmuar edhe njëherë dobësitë që po kalon ekonomia e vendit edhe në konsum edhe pse 1.5 mln turiste zbarkuan pwr pushime.
Sipas Eurostat, rritja më e madhe e çmimeve prej 2,6 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,2 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,4 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,5 %, “Shëndeti” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,3 % secili, “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili, “Komunikimi” dhe “Trasporti” me 0,1 % secili.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,4 %, krahasuar me një vit më parë.
Në muajin gusht 2019, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,3 %.
Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Argëtim dhe kulturë” me 1,0 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike”, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Transporti” me 0,5 % secili, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,2 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,2 %, pasuar nga “Hotele, kafene dhe restorante me 0,1 %.
Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.