Ministria e Financave ka kërkuar që projekti i Zhvillimit të Kontabilitetit në Sektorin Publik të zgjatet deri në fund të vitit 2021 në një përpjekje për të zgjeruar disa aspekte që afati ekzistues që ishte 30 qershori i këtij viti nuk i lejoi që të zbatoheshin. Projekti i mbështetur nga Banka Botërore u aprovua në vitin 2017 por ecuria e tij u penalizua disi nga zgjedhjet e përgjithshme që më pas sollën riorganizimin e ministrive dhe që rezultuan në vonesa që janë trashëguar.
Sipas dokumentit të bërë publik nga Banka Botërore nënvizohet se gjatë periudhës së propozuar të zgjatjes, përqendrimi do të jetë në zbatimin gjithëpërfshirës të dy aktiviteteve të asistencës teknike, veçanërisht “Ndihma Teknike për zbatimin e IPSAS” dhe “Zhvillimi i Aftësive Profesionale të Kontabilitetit dhe Mekanizmi i trajnimit për Qëndrueshmëri të Kontabilitetit në Sektorin Publik ”.
Ndihma teknike për zbatimin e IPSAS përfshin, ndër të tjera,: (i) vlerësimin dhe përgatitjen e kornizës ligjore dhe rregullatorë, përfshirë rishikimin e marrëveshjeve institucionale dhe proceset e biznesit (ii) ndihmë për entitetet e caktuara qeveritare për të zbatuar standardet e reja dhe të përgatisë grupin e parë të pasqyrave vjetore financiare bazuar në IPSAS. Asistenca teknike për “Zhvillimin e Aftësive të Kontabilitetit Profesional dhe Mekanizmit të trajnimit për Qëndrueshmëri të Kontabilitetit të Sektorit Publik ”, përfshin së pari vlerësimin e nevojave për trajnim. Së dyti trajnimin për aktivitetet e trajnerit, së treti trajnimin themelor për një grup të parë kontabilistësh sektorit publik, dhe së katërti zhvillimi i një mekanizmi trajnues dhe edukues për kontabilitet të qëndrueshëm të sektorit publik.
“MFE ka krijuar një plan veprimi të detajuar për të përfunduar detyrat e mësipërme dhe të arrijë objektivat brenda 18 muajve të ardhshëm. Duke pasur parasysh kompleksitetin e ndërhyrjeve, një zgjatje e mëtejshme mund të kërkohet nga kushtëzimi i vazhdueshëm i performancës së kënaqshme dhe shtrirjes së projektit qendror.
Zgjatja do të sigurojë forcimin e kornizës ligjore dhe rregullatore dhe institucionalizimin e një sektori modern të kontabilitetit dhe raportimit financiar duke zhvilluar një sistem të bazuar në standarde ndërkombëtare, dhe ngritjen e kapaciteteve për zbatim.
Kjo do të arrihet ndër të tjera nga finalizimi i ndryshimit në planin e menaxhimit dhe komunikimit, përkthimin zyrtar të IPSAS në gjuhën shqipe, parashikimi i ndihmës teknike për kuptueshmërinë dhe zbatimin e IPSAS si dhe zhvillimi i një mekanizmi trajnues për qëndrueshmërinë e Kontabilitetit në Sektorin Publik si dhe aftësitë profesionale të kontabilitetit” thuhet në dokument.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.