Kontaminohet uji në Drinin e Bardhë, ngordhin peshq e lopë 

04/09/2019 3:34 PM 0 komente

Mbi 12 ton peshq kanë ngordhur ditë më parë në Lumin e Drinit në Prizren. Peshqit e ngordhur janë hasur nga fshati Muradem deri në fshatin Dobrusht. Sipas peshkatarëve, ngordhja e peshqve ka ndodhur për shkak të kontaminimit të ujit të lumenjve të kësaj ane, nga hedhja e mbeturinave të kompanive të ndryshme, që veprojnë në komunën e Prizrenit. Ky rast ka ngjallur shumë reagime në Kosovë.  Raportohet se nga ndotja e ujit kanë ngordhur edhe disa lopë. 

 

Gjatë javëve të fundit, Shoqata e Peshkatarëve “Drini i Bardhë” dhe Federata e Peshkatarëve të Kosovës, kanë ngritur shqetësimin për ngordhjen e peshkut në Lumbardh respektivisht në Drinin e Bardhë si pasojë e ndotjes së ujërave.

Në bazë të njoftimeve të shoqatës dhe federatës përkatëse dyshohet se si pasojë e helmimit kanë ngordhur sasi të konsiderueshme të peshkut, në ujërat nga fshati Muradem deri në fshatin Dobrusht të Prizrenit.

Po ashtu është theksuar se në këtë rast si pasojë e ndotjes së ujërave të lumenjve kanë pësuar edhe bagëtitë. Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka reaguar ndaj ngordhjes së peshqve në lumin Dri, duke theksuar se “sipas peshkatarëve, ngordhja e peshqve ka ndodhur për shkak të kontaminimit të ujit të lumenjve të kësaj ane, nga hedhja e mbeturinave të kompanive të ndryshme, që veprojnë në komunën e Prizrenit”.

Pas raportimit të mediave lidhur me shqetësimet e ngritura për këtë çështje, në fillim të kësaj jave në terren kanë dalë edhe zyrtarët e institucioneve të ndryshme.

Organizata Ec Ma Ndryshe përmes një komunikate për media ka kërkuar nga organet përgjegjëse që ta zbardhin rastin e ngordhjes së peshqve në Drinin e Bardhë.

EC Ma Ndryshe duke pasur parasysh seriozitetin e kësaj çështjeje i bën thirrje organeve kompetente që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet konform përgjegjësive të tyre ligjore për hulumtimin e plotë të këtij rasti dhe ndërmarrjen e masave adekuate në zbatim të ligjit dhe parandalimit të ndotjes së ujërave dhe mjedisit.

Gjithashtu fton organet kompetente që t’i publikojnë udhëzimet e duhura për komunitetin ashtu që të mbrohet shëndeti i njerëzve dhe faunës, sikurse që t’i bëjnë publike edhe rezultatet e analizave dhe hulumtimit të shkaktarit të ngordhjes së peshqve dhe bagëtisë, në mënyrë që të merren masat adekuate që rastet e tilla të mos përsëriten më..

 Deri më tash është bërë me dije se së paku dy lopë raportohet të kenë ngordhur, e dyshimet janë se ato u helmuan pasi pinë ujë në Drinin e Bardhë.

Njoftimin e ka bërë faqja në Facebook, “Peshkimi në Kosovë”.

“Me datën 31.08.2019, gjatë orëve të mbrëmjes lopët e fshatit Dobrusht kanë pirë ujë në vendin ku dhe kanë ngordhë para disa ditëve peshqit në Drinin e Bardhë. Pra vazhdon helmimi në Lumbardhë të Prizrenit dhe Drinin e Bardhë në Prizren. Sot në mbrëmje i kanë ngordhur dy lopë axhës Saramatit nga fshati Dobrusht si pasoj e helmimit nga hedhja e kemikaleve në Drinin e Bardhë”, thuhet në njoftimin e kësaj faqe në Facebook.

“Tani uji për bagëtinë e disa fshatrave në Drinin e Bardhë sjell pasoja dhe në ngordhjen e bagëtisë dhe çdo gjallese, si peshqit dhe shpezët”, thuhet më tej aty.

Në këtë faqe gjithashtu kërkohet urgjent nga organet e kundër krimeve ekonomike, si dhe nga Kuvendi Komunal i Prizrenit të marrin masa urgjente, siç thonë për parandalimin e disa bizneseve private të njohura, ku pandërprerë hedhin kemikale në Lumin Drini i Bardhë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of