Qeveria vendosin vitin e shkuar që ndërtimet e reja do të sigurohen me detyrim për 10 vite pranë kompanive të sigurimit një prim që do të mbulojë problematikat që mund të shfaqë terreni apo ndërtimi por jo kjo e lidhur me tërmetin. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare në bazë të kësaj hartoi edhe vendimin që sanksiononte në detaj mënyrën sesi do të funksionojë ky sigurim. Por së fundmi AMF ka rishikuar vendimin e tij parardhës duke bërë disa ndryshime.
Kështu ka ndryshuar së pari pikën 2 në nenin 1 duke përcaktuar se kush ka detyrimin për pagimin e primit të sigurimit. Në këtë rast nuk kemi më ndërtuesin por kemi zhvilluesin, ndërtuesin dhe investitorin. Po kështu është përcaktuar edhe një herë se çfarë do të thotë defekte në ndërtim që sipas vendimit të ndryshuar është ”janë defekte që prekin pjesë të ndërtesës, pasurisë së paluajtshme, duke dëmtuar rezistencën dhe qëndrueshmërinë e saj si dhe defekte të tjera të rënda”.
Një tjetër element që është sanksionuar është ajo e afatit të kontratës duke sqaruar datën e hyrjes në fuqi dhe atë të mbarimit të saj. Në nenin 4 është përcaktuar se “kontrata e sigurimit hyn në fuqi në orën 24:00 të datës së nënshkrimit të saj nga palët dhe përfundon me plotësimin e afatit 10-vjeçar që fillon të llogaritet nga data e nënshkrimit të kontratës. Pagesa e primit do të kryhet e plotë nga zhvilluesi/ndërtuesi/investitori duke përfshirë edhe kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi” thuhet në dokument.
I njëjti vendim ka saktësuar edhe një herë detyrimin e shoqërisë së sigurimit për dëmshpërblim ku thuhet se kjo e fundit detyrohet detyrohet të dëmshpërblejë të siguruarin/përfituesin për dëmtime të ndodhura drejtpërdrejtë në ndërtesë, si: shembjes tërësore ose pjesore të ndërtesës; apo ndërtesa paraqet dukshëm rrezik për t’u shembur apo defekteve të tjera të rënda.
Kontrata e sigurimit nuk mbulon një sërë dëmesh të cilat janë të përmbledhura në disa pika nga ndërhyrjet në ndërtesë pas marrjes së certifikatës së përdorimit tek punimet që mund të kryhen pranë ndërtimit të marrë në sigurim. Por teksa shumica e pikave ka mbetur njëlloj me vendimin e dhjetorit vendimi i ri ka ndryshuar pikën e pestë (d) ku përjashtohet tërmeti. Konkretisht pika e pesë thekson se nuk mbulohen dëmet që shkaktohen nga shkaktohen nga tërmeti, përmbytja dhe ngjarje të tjera të ngjashme natyrore përveç kur objekti nuk është ndërtuar në përputhje me kushtet sizmike të zonës dhe legjislacionin që rregullon veprimtarinë e ndërtimit në Republikën e Shqipërisë.
Në fund vendimi ka ndryshuar edhe nenin 9 që ka të bëjë me kushtet për lidhjen e kontratës duke saktësuar se “shoqëria e sigurimit lidh kontratën e sigurimit me kusht që të përmbushen kërkesat e mëposhtme:
a. Subjekti të lëshojë një deklaratë që objekti është ndërtuar në përputhje me projektin dhe kushtet teknike në fuqi; b. Aktet e kontrollit vërtetojnë realizimin e punimeve në përputhje me kushtet e lejes së ndërtimit;
c. Zhvilluesi/ndërtuesi/investitori të paraqesë të gjitha dokumentat ligjore që vërtetojnë përfundimin e punimeve në përputhje me kushtet e lejes së ndërtimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.