Kontratat porositëse të eksporteve në sektorin e industrisë kanë frenuar rënien në tremujorin e tretë të vitit 2017, por ato vijojnë të jenë në territor negativ për të gjashtin tremujor radhazi. Banka e Shqipërisë në anketimin për bizneset e eksportit në industri ka gjetur se, kontratat e eksporteve në korrik-shtator kishin shënuar rënie me -3.8%, kjo ishte rënia me ulet që në tremujorin e parë 2016.
Burimet nga tregu pohojnë se, kontratat e eksporteve në sektorin e industrisë janë në rritur negativ për të gjashtin tremujor radhazi të ndikuara nga rënia e eksporteve në industrinë nxjerrëse.
Rënia e çmimeve të naftës dhe mineraleve në tregun ndërkombëtar ka nxitur rënien e kontratave të eksportit në industri. Por me riaktivizimin e çmimeve të kromit dhe metaleve këtë vit ne bursa shihet se rënia është frenuar dukshëm në tremujorin e tretë.
Eksportet kanë vijuar të ngadalësojnë ritmet e rritjes edhe për 8-mujorin, duke reflektuar ecurinë e dobët të grupit të “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”, ndërsa sektori që po performon më mirë është ai i “materialeve të ndërtimit dhe metaleve”.
Grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, i është rikthyer rritjes në gusht, pas rënies që shënoi në dy tremujorët e mëparshëm. Destinacioni kryesor i eksporteve nga Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj, është kthyer Spanja, e cila është renditur sërish si një ndër partnerët më të mëdhenj, pas Italisë.
Për 8 mujorin, eksportet e këtij grupi u rritën me vetëm 1.6%, në 29.3 miliardë lekë. Ai mbetet grupi i dytë më i madh i eksportuar, por pesha e tij ndaj totalit ka rënë ndjeshëm në vetëm 17%, nga gati 40% që arriti 3-4 vjet më parë, kur zuri peshën kryesore të eksporteve, për shkak të koniunkturës së favorshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Në sektorin e industrisë se lehtë, fasoneria ka pasur ecuri pozitive. Grupi më i madh i eksportuar vijuan të mbeten tekstilet dhe këpucët, që për 8-mujorin u rritën me 8.6%, në 77 miliardë lekë, duke përbërë 43% të totalit të eksporteve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.