Kontratat e punës, punëdhënësit më problematikë

20/07/2019 10:08 PM 0 komente

Sa respektohen të drejtat e punonjësve shqiptarë dhe kush i mbron ato? Cilët janë sektorët problematikë në Shqipëri dhe për çfarë ankohen më së shumti punonjësit? Flet Arben Seferaj, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore…

 

 

 

Nga Deada Hyka

 

Kontrata e punës, për shumë shqiptarë, kanë qenë një dokument i panjohur për një kohë të gjatë, ku në shumicën e rasteve ata lumturoheshin për arritjen e gjetjes së një vendi pune, edhe pse në të zezë. Por, situata ka evoluar në Shqipëri. Për shumë kompani, kontrata nuk është vetëm një formalitet ligjor, por pjesa kryesore e negociatave ndërmjet palëve për një vend pune. Kontrata e punës dhe rëndësia e saj në negociatat e punësimit është shtuar vitet e fundit, teksa vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në respektimin e ligjit. Jo vetëm kaq, por e gjithë paketa që punëmarrësi përfiton sa u përket të drejtave të tij në punësim.

Kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Arben Seferaj, në një intervistë për “Monitor”, thotë se gjendja në Shqipëri po përmirësohet vit pas viti, me uljen e nivelit të informalitetit, rritjen e përgjegjësisë institucionale dhe juridike të bizneseve për të respektuar të drejtat e punonjësve. Ai përmend risinë e këtij viti, projektin “Matrica e Dënimeve”, që i ka ardhur në ndihmë institucionit për rritjen e transparencës së vendimmarrjes së inspektorëve të punës, gjatë kontrolleve në biznese.

“Projekti ‘Matrica e Dënimeve’ u zhvillua me qëllimin e sigurimit të transparencës së vendimmarrjes së inspektorëve të punës. Duke pasur mundësi aksesi të dy rolet, të pavarur nga njëri-tjetri, punëdhënësit dhe inspektorët, tani mund të flasim për një proces inspektimi në transparencë të plotë dhe që ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e marrëdhënies me biznesin”, – pohon kreu i ISHPSHSH, z. Seferaj.

Sipas tij, ky projekt i cili nisi këtë vit, do të garantojë masë të njëjtë sanksioni, për të njëjtën shkelje ligjore, në të njëjtat kushte, dhe ndikon edhe në përmirësimin e klimës së një konkurrence të ndershme në tregun e punës. Me qëllim përdorimin korrekt të saj, e gjithë trupa inspektuese e terrenit u është nënshtruar seancave trajnuese. Z. Seferaj përmend edhe sektorët problematikë në respektimin e kontratave, duke mos lënë jashtë vëmendjes edhe punën e të miturve, që vijon të jetë në fokusin e ISHPSHSH.

 

Flet Arben Seferaj, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore

 

“Punëmarrësit më problematikë për respektim kontrate janë bar-restorantet”

 

Si ka qenë aktiviteti i Inspektoratit në vitin e fundit?

Inspektorati i Punës, gjatë këtij viti, në aktivitetin e tij, është fokusuar në rritjen e cilësisë së inspektimit të punës. Përtej të gjithë shifrave, ajo që vlen të theksohet, lidhet drejtpërsëdrejti me përmirësimin e situatës së punësimit, në një punë të denjë për çdo punëmarrës në Republikën e Shqipërisë.

Duke pasur detyrë, kontrollin e legjislacionit që rregullon fushën e punës, në të gjithë territorin dhe, në kushtet kur institucioni ka burime të kufizuara, si në aspektin njerëzor, ashtu dhe në logjistikë, faqja zyrtare e ISHPSHSH-së ka dhënë ndikim tejet pozitiv, duke shërbyer, si një urë komunikimi me punëdhënësit, punëmarrësit, organizatat sindikale, organizatat e shoqërisë civile, si dhe institucionet me të cilët bashkëpunojmë.

Përmes saj, mund të merret informacion i detajuar për çështjet e punës dhe për funksionimin e ISHPSHSH-së, ndërkohë, që publikohen periodikisht të gjithë raportet mujore dhe progresive ku gjendet e pasqyruar puna e institucionit dhe ku çdo i interesuar e merr këtë informacion, si në të dhënat statistikore të analizuara, ashtu dhe në aktivitetet që zhvillon ISHPSHSH-ja.

Në tremujorin e dytë të 2019 kemi zhvilluar në këtë faqe, procesin e apelimit të Vendimeve Përfundimtare të inspektorëve të punës, që bëhet pranë Komisionit Qendror të Apelimit në Drejtorinë Qendrore të ISHPSHSH-së, duke ulur në maksimum barrën e kohës për biznesin sa i takon kësaj procedure, si dhe unifikimit të vendimmarrjes së këtij Komisioni, duke i publikuar të gjithë vendimet e tij. Një aspekt tjetër i rëndësishëm, të cilit i kemi kushtuar vëmendje, ka qenë rritja e bashkëpunimit të këtij institucioni me Agjencitë e tjera ligjzbatuese, si në nivel kombëtar dhe në atë rajonal.
Gjatë këtij viti, kemi nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me Inspektoratet e Punës të Rajonit të Ballkanit Perëndimor, me mbështetjen e ILO-s, me qëllim ndarjen e modeleve e të praktikave të mira mes nesh.

Ndërkohë, kemi intensifikuar bashkëpunimin efektiv me Drejtoritë e Tatim-Taksave, Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Inspektoratin Qendror, AKSEM etj. Për sektorë të caktuar kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me: -Autoritetin e Mediave Audiovizive, një bashkëpunim i cili synon të ndikojë në rritjen cilësore të inspektimit të punës në sektorin e medias;

  • Komisionerin e Mbrojtjes ndaj Diskriminimit, për të trajtuar me efikasitet të gjithë çështjet e diskriminimit në punë, si çështje e përbashkët e dy institucioneve tona;
  • Autoritetin e Prokurimit Publik, si bashkëpunim që do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e tregut të punës për zbatimin e dispozitave ligjore nga të gjithë operatorët, që do të synojnë përfitim nga fondet publike;
  • Organizata joqeveritare që zhvillojnë projektet në fushën e punës, p.sh. me Organizatën e Aleancës së Barazisë Gjinore për Zhvillim, për sektorin e fasonerisë, për të shkëmbyer informacionin e vlefshëm për një orientim dhe kontroll më efikas në këtë sektor;
  • OSBE-në, sa i takon punësimit të fëmijëve etj.

Si ka ecur projekti “Testo aktivitetin, për zbatimin e Ligjit” që keni projektuar për të përmirësuar marrëdhënien me biznesin?

Projekti “Matrica e Dënimeve” u zhvillua me qëllimin e sigurimit të transparencës së vendimmarrjes së inspektorëve të punës. Duke pasur mundësi aksesi, të dy rolet të pavarur nga njëri-tjetri, punëdhënësit dhe inspektorët, tani mund të flasim për një proces inspektimi në transparencë të plotë, që ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e marrëdhënies me biznesin.
Trajtimi i barabartë; masë e njëjtë sanksioni për të njëjtën shkelje ligjore, në të njëjtat kushte që ndikon edhe në përmirësimin e klimës së një konkurrence të ndershme në tregun e punës. Me qëllim përdorimin korrekt të saj, e gjithë trupa inspektuese e terrenit u është nënshtruar seancave trajnuese.

Sa ka qenë numri i ankimeve që ka marrë institucioni juaj në muaj dhe në çfarë sektori? Për çfarë çështjesh ankohen më tepër punonjësit shqiptarë?

Ankesat adresojnë problematika, të cilat edhe në rastin kur pretendimet e denoncuesit/-ve nuk qëndrojnë, pasqyrojnë një informacion të mangët apo jo të saktë në lidhje me detyrimet dhe të drejtat, që ligji u jep punëmarrësve. Pranë institucionit tonë po adresohet një numër i konsiderueshëm ankesash.

Në këtë numër po ndikon dhe shtimi i kanaleve të komunikimit dhe lehtësive, që kanë tashmë punëmarrësit, punëdhënësit apo publiku, për të adresuar një denoncim, ankesë apo kërkesë. Vëmendje e veçantë i është kushtuar kthimit të përgjigjeve për palët e interesuara.
Trajtimi i inspektim-ankesës me autoritetin që na jep ligji, ka ndikuar në ndërmjetësimin dhe në zgjidhjen e konflikteve, duke vendosur një standard të ri në marrëdhënien me biznesin, punëmarrësit e organizatat e tyre.

Nga muaji janar 2019, në regjistrin e dedikuar për këtë qëllim të ISHPSHSH-së, janë regjistruar 306 ankesa dhe kërkesa, të cilat janë trajtuar me seriozitet dhe kanë marrë përgjigje. 95% e këtyre ankesë-kërkesave janë orientuar ndaj subjekteve konkrete dhe janë trajtuar me proces të rregullt inspektues brenda afateve të parashikuara nga ligji.

Mesatarisht, në muaj, kemi një fluks ankesash me rreth 50, por konstatojmë se në muajt e fundit kemi një trend në rritje sa i takon këtij numri.
Pavarësisht faktit se numri i ankimimeve është tregues i rritjes së besimit të publikut ndaj Inspektoratit të Punës, nga ana jonë po punohet fort për të rritur cilësinë e trajtimit të ankesave apo denoncimeve që adresohen. Jemi të bindur se një trajtim ligjor korrekt i rasteve të ankesave, shërben për të kthyer në ligjshmëri marrëdhënie pune apo kushte pune dhe për punëmarrës të tjerë, që preken nga e njëjta shkelje në të njëjtin subjekt.

Të ndara sipas përshkrimit të rastit ose pretendimit të ankuesve:

  • Për cenim të marrëdhënieve të punësimit, që zënë rreth 51.3% të rasteve të ankesave ku përfshihen, pretendime të punëmarrësve në lidhje me zbatimin korrekt të kontratës individuale të punës me punëdhënësin apo mosrespektim të dispozitave ligjore në lidhje me orët shtesë të kryera dhe të papaguara, punës së papaguar në turnin e dytë e të tretë, në ditët e pushimit javor dhe të festave zyrtare etj.
  • Mospagesë e pagave të prapambetura që zënë rreth 18%
  • Ndërprerje e menjëhershme e marrëdhënieve të punësimit, që zënë rreth 10%
  • Punësim i paligjshëm (mospagesë e kontributeve shoqërore e shëndetësore) që zënë rreth 2.2%
  • Kushte pune të pasigurta dhe mosnjoftim aksidenti në punë, vetëm 3.5% e ankesave.
  • Pjesa tjetër janë kërkesa për informacion mbi të drejta dhe detyrime, të punëdhënësve apo punëmarrësve që, nga ana jonë, janë trajtuar përmes procesit inspektues në formën e këshillimeve.

Nga analiza e të dhënave rezulton se 76.3% e ankesave janë zgjidhur plotësisht apo pjesërisht në favor të punëmarrësve, ndërkohë 23.7% e tyre nuk janë zgjidhur, por me përgjigjen e marrë, janë sqaruar mbi situatën e tyre në raport me ligjin.

Sa ka qenë numri i shkeljeve të kontaktuara në një vit dhe gjobat e dhëna?

Kryefjala e punës sonë, e cila është jetësuar në fillim të këtij viti, padyshim që është platforma e “Matricës së Dënimeve”. Përveç funksionit kryesor, që ka kjo platformë dhe të cilin e shpjeguam më lart, kjo e fundit mundëson dhe një informacion të hollësishëm mbi të dhënat për dispozita ligjore të shkelura nga subjektet. Sigurisht, që ky informacion na shërben për të orientuar inspektimin e punës drejt subjekteve apo sektorëve që mbartin më së shumti parregullsi në zbatim të ligjit.

Duke qenë se legjislacioni i punës ka një numër të konsiderueshëm dispozitash ligjore, rreth 3000 të tilla, sigurisht gjatë një procesi inspektimi, përcaktojmë një radhë prioritare për të përmirësuar situatën e zbatimit të ligjit pranë subjektit, që do të kontrollohet.
Në mbi 94% të subjekteve të inspektuara, janë konstatuar shkelje të legjislacionit të punës, të cilat janë trajtuar në varësi të specifikës që paraqet çdo subjekt që inspektohet. Kështu, të gjitha konstatimet e shkeljeve, shoqërohen me detyra konkrete me afate për t’u realizuar nga punëdhënësit dhe rast pas rasti operohet me dënime administrative plotësues apo kryesor.

Sa u takon dënimeve administrative plotësuese, inspektori i punës operon përmes masës urgjente të pezullimit të pjesshëm apo të plotë të aktivitetit ekonomik, në rastet e flagrancës, si për konstatim punësimi informal, ashtu dhe për kushte pune, që përbëjnë rrezik për jetën dhe sigurinë e punëmarrësve. Me masën urgjente të pezullimit operohet për të zgjidhur situatën flagrante të paligjshmërisë së konstatuar, brenda procesit të inspektimit.

Nëse u referohemi shifrave më poshtë, është lehtësisht e konstatueshme se nuk e konsiderojmë qëllim, vendosjen e sanksionit, pasi për këtë vit, deri tani që po flasim, në 5874 inspektime të kryera janë vendosur gjithsej 312 masa urgjente të pezullimit të punës, nga të cilat 277 për marrëdhënie pune në informalitet dhe pjesa tjetër për shkelje flagrante të ligjit në lidhje me kushtet e punës së punonjësve.

Me dënim kryesor “Paralajmërim” janë paralajmëruar 757 subjekte dhe vetëm 76 subjekte që i janë nënshtruar inspektimit janë sanksionuar me vlerë gjobe 18.7 mln lekë. Ndikimi pozitiv i përdorimit të “Matricës së Dënimeve”, duke ndikuar në rritjen profesionale të inspektorëve të punës, vërtetohet pasi vetëm 21% e subjekteve të sanksionuara, kanë apeluar vendimin dhe pas trajtimit në Komisionin Qendror të Apelimit vetëm 1 sanksion është shfuqizuar, ndërkohë të tjerët janë lënë në fuqi.

A vijon lufta ndaj informalitetit? Në çfarë përqindje qëndron?

Lufta ndaj informalitetit ka qenë dhe është në vëmendjen tonë. Krahas inspektimeve të programuara e ku puna e pasiguruar është një vëmendje e shtuar në çdo inspektim, puna kundër këtij fenomeni ka vazhduar dhe me fillimin e inspektimeve rastësore, si çështje jashtë planifikimi e me të dhëna për informalitet.

Gjatë kësaj periudhe janë kryer 90 inspektime rastësore, krahas atyre të programuara dhe janë konstatuar gjithsej 572 punëmarrës informalë. Si rezultat i masave të marra, vetëm gjatë procesit të inspektimit janë formalizuar 537 punëmarrës ose 94% e informalëve të konstatuar. Për pjesën tjetër, procedura e formalizimit të tyre ka vazhduar duke i deleguar për kompetencë pranë Degëve të Tatim-Taksave.

Sipas sektorëve numri më i madh i punëmarrësve informalë është konstatuar në;

  • 34.4% në Aktivitetet Tregtare, Hotel-Bar-Restorante
  •  25% në Ndërmarrje Prodhuese
  • 14.5% në Aktivitete Ndërtimi
  • 19.2% në Aktivitete të Tjera, si Shoqëri Pastrimi, Media, SHSFP, Arsim privat etj.

Cilët janë sektorët më problematikë për respektim kontrate me punonjësit?

Rezulton se problematika më e madhe e punëmarrësve në ankime/denoncime, lidhet me cenimin e marrëdhënieve të punës. Bazuar në ligj, një marrëdhënie pune, përcakton të drejtat dhe detyrimet e palëve në dokumentin e nënshkruar të Kontratës Individuale të Punës, që me ndryshimet e fundit të Kodit të Punës, ky dokument i paraprin punësimit. Duhet pranuar se ka një përmirësim të ndjeshëm, sa i takon ndërgjegjësimit të të dyja roleve, si punëdhënësve dhe punëmarrësve, për të hartuar dhe për të nënshkruar një dokument të tillë.

Sfidë mbetet zbatimi i këtij dokumenti gjatë vazhdimit të marrëdhënies së punësimit. Nga viti në vit, konstatojmë ulje të numrit të të punësuarve që punojnë pa një kontratë pune. Për këtë vit na rezultojnë 1536 punëmarrës, nga të cilët vetëm 3.7% e tyre ishin të padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ose krejtësisht në të zezë, ndërkohë diferenca ose 96.3%, edhe pse ishin të deklaruar, nuk kishin një kontratë pune të nënshkruar.

Punëdhënësit më problematikë ku janë konstatuar të punojnë pa kontratë pune rezultojnë:

  • Tregti, Hotel-Bar-Restorante me 29%,
  • Ndërmarrjet prodhuese me 20%
  • Aktivitetet e ndërtimit me 18%
  • Aktivitete të Tjera me 23%.

Cili do të jetë fokusi juaj në vijim të vitit dhe sidomos, për sezonin veror që ka nisur?

Fokusi i ISHPSHSH-së është rritja e cilësisë së inspektimit nga ana e inspektorëve të punës. Vetëm përmes një trupe me inspektorë pune me integritet profesional dhe personal, do të arrijmë zbatim të standardeve, që rrjedhin nga legjislacioni i punës nga të gjithë punëdhënësit. Tashmë jemi shumë më të orientuar për kryerjen e inspektimeve përmes vlerësimit të analizës së riskut si aktivitet, sektor apo zonë gjeografike ku operojnë.

Në fokusin tonë do të jetë kontrolli i punësimit të punëmarrësve nën 18 vjeç, duke qenë se në tetor të këtij viti, inspektorët e punës do të kenë në dorë një metodologji kontrolli për këtë kategori punëmarrësish, e cila po hartohet me mbështetjen e OSBE-së dhe me ekspertizë vendase dhe të huaj.

Në vijim të këtij fokusimi do të jemi të pranishëm me kontrollet tona në aktivitetet që zhvillohen në sezonin veror, duke qenë se këto aktivitete mbartin problematika në lidhje me informalitetin në marrëdhënien e punës, punë në turne, në ditë të pushimit javor, punë me orë të zgjatura, punësim të të miturve, etj. Tashmë është kthyer në traditë që në këtë sezon, të gjithë planifikimet e inspektimeve të ISHPSHSH-së janë të orientuar në këtë kategori aktivitetesh.

 

Shifrat

Gjatë 2018, janë kryer 90 inspektime rastësore, krahas atyre të programuara dhe janë konstatuar 572 punëmarrës informalë gjithsej. Si rezultat i masave të marra, vetëm gjatë procesit të inspektimit janë formalizuar 537 punëmarrës ose 94% e informalëve të konstatuar. Nga viti në vit, konstatojmë ulje të numrit të të punësuarve që punojnë pa një kontratë pune. Për këtë vit, na rezultojnë 1536 punëmarrës nga të cilët vetëm 3.7% e tyre ishin të padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ose krejtësisht në të zezë, ndërkohë diferenca ose 96.3%, edhe pse ishin të deklaruar, nuk kishin një kontratë pune të nënshkruar.

Në 5874 inspektime të kryera janë vendosur gjithsej 312 masa urgjente të pezullimit të punës, nga të cilat 277 për marrëdhënie pune në informalitet dhe pjesa tjetër për shkelje flagrante të ligjit në lidhje me kushtet e punës së punonjësve.
76.3% e ankesave janë zgjidhur plotësisht apo pjesërisht në favor të punëmarrësve, ndërkohë 23.7% e tyre nuk janë zgjidhur, por me përgjigjen e marrë, janë sqaruar mbi situatën e tyre në raport me ligjin.

 

Ankesat e punonjësve shqiptarë

– Për cenim të marrëdhënieve të punësimit, që zënë rreth 51.3% të rasteve të ankesave ku përfshihen, pretendime të punëmarrësve në lidhje me zbatimin korrekt të kontratës individuale të punës me punëdhënësin, apo mosrespektim i dispozitave ligjore në lidhje me orët shtesë të kryera dhe të papaguara, punës së papaguar në turnin e dytë e të tretë, në ditët e pushimit javor dhe të festave zyrtare etj,
– Mospagesë e pagave të prapambetura që zënë rreth 18%
– Ndërprerje e menjëhershme e marrëdhënieve të punësimit, që zënë rreth 10%
– Punësim i paligjshëm (mospagesë e kontributeve shoqërore e shëndetësore) që zënë rreth 2.2%
– Kushte pune të pasigurta dhe mosnjoftim aksidenti në punë, kemi vetëm 3.5% e ankesave.
– Pjesa tjetër janë kërkesa për informacion mbi të drejta dhe detyrime, të punëdhënësve apo punëmarrësve që, nga ana jonë, janë trajtuar përmes procesit inspektues në formën e këshillimeve.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of