Dorëzimi i listëpagesave me dorë te tatimet dhe kalimi tek ISSH për pensionet ka shkaktuar kaos, e deri në zhdukjen e dokumenteve. “Komunikimi” i biznesit, 95% online
Tashmë mund të thuash se 95 për qind e biznesit do të komunikojë online me tatimet, pasi të vetmet dokumente që kishin mbetur në letër, ishin listëpagesat e kontributeve dhe tatimi mbi të ardhurat për biznesin e vogël, të cilat, sipas vendimit të ri të qeverisë, nga 1 janari do të deklarohen elektronikisht në faqen zyrtare të Tatimeve.
Forma e re mbyll ciklin e deklarimeve, pas taksave të tjera, reformë kjo e nisur në vitin 2008 dhe mbyllet tani me kontributet. Për administratën tatimore, e cila mban përgjegjësi për mbledhjen e kontributeve për llogari të ISSH-së dhe ISKSH-së (pensionet dhe ilaçet), skema e re ka shumë rëndësi, në radhë të parë sepse ul kontaktin me inspektorët dhe redukton mundësinë e korrupsionit, por mbi të gjitha identifikon elektronikisht të gjithë ata persona që i kanë paguar rregullisht detyrimet.
Tri janë shtesat në ligjin “Për procedurat tatimore” dhe që përcaktojnë se cila kategori kalon online te tatimet: deklarimi dhe pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël; listëpagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi; dhe pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe të të larguarve nga puna. Tatimet deklarojnë se me ndryshimin e fundit, tashmë i gjithë biznesi i madh i kryen deklaratat 100 për qind online, kurse i vogli deri në masën 40 për qind.
Forma e re
Subjektet private janë të detyruara të paraqesin listëpagesën dhe pasqyrën për deklarimin e ndryshimeve të numrit të punonjësve, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga data 1 janar 2012, sipas afateve ligjore. Po ashtu, edhe biznesi i vogël, sipas kategorive të përcaktuara në ligj, kanë të njëjtin detyrim.
Tatimet sqarojnë se, bizneset që janë të detyruara të deklarojnë dhe të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duhet të dorëzojnë në organet tatimore, brenda afateve ligjore edhe në formë shkresore, listëpagesat dhe të dhënat për ndryshimin e numrit të punonjësve për 6 muajt e parë, të vitit 2012. Për këto 6 muaj, për efekt të zbatimit të afateve të deklarimit, do të vlerësohet dokumenti i dorëzuar apo i deklaruar më i pari në organin tatimor.
Renald Rista, drejtori i IT, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, thotë se, “për identifikimin e punonjësve, që deklarohen në listëpagesë, të përdoret numri personal i letërnjoftimit”. Ky detyrim vlen edhe për vetë punonjësit në shtet, pasi në vendim janë përcaktuar detyrimet e disa autoriteteve shtetërore që mbajnë përgjegjësi për zbatimin e skemës së re, ndër të tjera Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Autoriteti Kombëtar i Certifikimit Elektronik. Këto institucione kanë për detyrë ruajtjen në regjistra elektronikë të historikut të kontributeve të paguara dhe të fondit të pagave, për çdo subjekt dhe person kontributpagues, sipas muajve.
Disiplina me kontributet
Për shumë vite, përplasjet dhe moskordinimi si duhet mes tatimeve dhe ISSH për listat e kontribuuesve ka qenë një problem madhor, madje me pasoja financiare për dhjetëra mijëra persona që kanë paguar detyrimet në shtet, por që rrezikonin pensionin.
Për një kohë shumë të gjatë, mbledhja e kontributeve dhe e listëpagesave ka qenë problem, pasi shumë dokumente nuk gjendeshin, për rrjedhojë shtetasve që u janë paguar kontributet nuk mund t´u njihej vjetërsia dhe ku mendohej se ishin deri në 300 mijë persona.
Me rregullin e ri, tashmë tatimet dhe ISSH e kanë të detyruar të komunikojnë elektronikisht për rakordimin e listave. Vendimi i ri thotë se, organet tatimore duhet të dërgojnë te sigurimet shoqërore dhe te sigurimet e kujdesit shëndetësor, në mënyrë periodike, të dhënat e listëpagesës, në total dhe për çdo individ, vetëm në format elektronik dhe vetëm pasi shuma e detyrimeve që ajo përmban, të jetë paguar plotësisht nga subjekti përkatës.
Vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e fundit mbi zbatimin e buxhetit të vitit 2010, evidentonte faktin se, “nga listëpagesat për të cilat janë paguar kontributet për sigurimet shoqërore, nga viti 2006 dhe deri më tetor 2010, mungojnë 298 168 listëpagesa, nga të cilat 250 480 prej tyre në masën 84 për qind të totalit të mungesave e zënë listëpagesat për biznesin e vogël”. Ky problem u pranua edhe nga ministri i Financave, i cili më pas garantoi zgjidhje të problemit.
Identifikimi
Numri personal i çdo individi do të konsiderohet një numër fiskal dhe unik për secilin person, bazë nga e cila do të përllogariten përfitimet nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore
Shkeljet
Nga listëpagesat për të cilat janë paguar kontributet për sigurimet shoqërore, nga viti 2006 dhe deri më tetor 2010, mungojnë 298 168 listëpagesa, ku 84% të totalit e zinte biznesi i vogël
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.