Kontroll i rreptë për kontabilistët dhe audituesit ligjorë

07/03/2020 12:13 PM 0 komente

Disa muaj pas fillimit të procesit të verifikimit të aktivitetit të profesioneve të lira të audituesve ligjorë dhe kontabilistëve të miratuar, Dritan Fino, Kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike bën bilancin e gjetjeve të para. Janë pezulluar 3 licenca dhe gjobitur tre të tjera. Do bëhet vetting dhe për të gjithë personat e përfshirë në hartimin e tezave të provimeve

 

Flet Dritan Fino, Kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike – BMP

Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) një institucion i pavarur që mbikëqyr aktivitetin e profesioneve të lira të audituesve ligjorë dhe kontabilistëve të miratuar prej disa muajsh ka nisur procesin e verifikimit të këtyre profesioneve.

Dritan Fino, Kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike thotë se disa nga problematikat e konstatuara nga ky verifikim lidhen me mangësi në dokumentacion, mungesë të kapaciteteve të brendshme, mangësi në sistemin e brendshëm të kontrollit të cilësisë, etj. Pas këtyre kontrolleve Bordi ka marrë vendime me masë disiplinore vendosje gjobë për mosdhënie informacioni për qëllime të kontrollit të cilësisë për 10 subjekte si dhe ka marrë vendime me masë disiplinore pezullim i përkohshëm i licencës për 3 subjekte.

Fino thotë se lidhur me testimet për kontabël të miratuar Bordi Mbikëqyrjes Publike është i shqetësuar edhe si rrjedhojë e disa ankesave nga kandidatët që kanë qenë pjesë e këtij procesi, por edhe nga konstatimi i diferencave të kalueshmërisë me periudhat paraardhëse. Bordi po i jep shumë rëndësi vetting-ut të plotë të çdo individi të përfshirë në proces, qoftë në hartimin e tezave apo fondit të pyetjeve, ashtu edhe në korrigjimin e tyre, procedurave të intervistës etj.

 

Sa e rëndësishme është mbikëqyrja për profesionet e lira dhe a mendoni se rregullimi është i domosdoshëm?

Duhet të bëjmë një dallim midis profesioneve të lira që ofrojnë shërbime të cilat nuk vijnë si rrjedhojë e kërkesave ligjore dhe shërbimeve që rrjedhin drejtpërdrejt nga kuadri ligjor, apo aktet nënligjore në zbatim të këtyre ligjeve.

Të gjitha ato shërbime që ofrohen prej profesionistëve të caktuar, përmes kuadrit ligjor apo akteve nënligjore, si shërbimet e auditimit ligjor (AL) dhe shërbimet e lidhura me to, shërbimet e kontabilitetit dhe shërbimet e lidhura me to, shërbimet e noterisë etj., janë të domosdoshme për tu rregulluar.

Domosdoshmëria e rregullimit vjen si rrjedhojë e përgjegjësisë që sjellin këto shërbime ndaj publikut të gjerë. Do të ishte e pakuptimtë që këto shërbime që vijnë si rrjedhojë e një detyrimi ligjor të trajtoheshin në suazën e vetë rregullimit pasi në çdo rast dështimi potencial prej tyre mekanizmat ,që do viheshin në lëvizje për të korrigjuar situatën nuk do të mjaftonin për të garantuar mbrojtjen e interesit të publikut. Shembulli më konkret është rasti i profesionit të AL ligjor dhe kontabilistit të miratuar ku si rrjedhojë e një sërë dështimesh në tregjet globale të firmave të auditimit duke sjellë ndikime të konsiderueshme në dëmtimin e interesave të taksapaguesve nxiti nevojën e rregullimit ligjor.

Është rasti më konkret, ku si rrjedhojë e dështimit të vetë rregullimit lindi nevoja e rregullimit përmes një autoriteti të pavarur të kompozuar me profesionistë teknikë të fushës dhe që nuk e ushtrojnë profesionin, për të përmirësuar të gjitha anomalitë e trashëguara nga më herët. Faktikisht rregullimi përmes strukturave si autoritetet e mbikëqyrjes publike janë forma me e suksesshme e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve, që vijnë si rrjedhojë e detyrimeve ligjore. Arsyeja është e thjeshtë, pasi këto shërbime kanë një natyre komplekse të mbështetura në standarde teknike shumë specifike dhe mbikëqyrja e cilësisë së punës së këtyre shërbimeve kërkon zotërimin e avancuar të standardeve profesionale dhe njohjen e mjedisit të këtij profesioni. Për këtë arsye, edhe kompozimi i këtyre autoriteteve mbikëqyrëse përmes profesionistëve të fushës të cilët nuk e ushtrojnë profesionin është ekuilibri më i mirë i rregullimit të këtyre profesioneve.

Nga veprimtaria e deritanishme e Bordit të Mbikëqyrjes Publike cilat janë problemet kryesore që keni diagnostikuar lidhur me audituesit ligjorë (AL) dhe kontabilistët e miratuar (KM)?

E përmbledhur në një fjalë mund të them se, “status quo nuk është opsion”.

Thënë këtë dëshiroj të theksoj se problematikat e evidentuara si rrjedhojë e aktiviteteve tona si autoritet i pavarur, janë të shumta, të karakterit teknik dhe ligjor. Kjo përgjigje vlen vetëm për subjektet e kontrolluara deri më sot.

BMP ndërmori hapa për tu dhënë kohën e nevojshme për përmirësimin e proceseve nga AL, duke komunikuar disa herë lidhur me çështje të rëndësishme për tu zbatuar prej tyre, në mbështetje të dispozitave ligjore. Sikurse, kemi ndërmarrë hapa konkretë përmes proceseve të kontrollit të cilësisë, verifikimit të veprimtarisë, investigimit dhe kur ka qenë e nevojshme, edhe marrjen e masave disiplinore.

Disa nga problematikat e hasura me kontabilistët e miratuar (KM) lidhen me:

  • Realizimin e detyrimit ligjor për kryerjen e orëve të edukimit të vijueshëm
  • Mangësi në dokumentacionin e dorëzuar (si, dëshminë e penalitetit, NIPT për kryerjen e aktivitetit etj.)
  • Mangësi në justifikimin e kapaciteteve të brendshme të subjektit për numrin e klientëve dhe orët e faturuara, angazhimin potencial në shërbime të lidhura me auditimin ligjor (AL) apo shërbime të cilat ligji parashikon që kryhen vetëm nga ata
  • Deklarimi i shërbimeve të ofruara nuk mbështetet mbi bazën e legjislacionit në fuqi
  • Problematika në strukturën e pronësisë së subjektit juridik
  • Mangësi të cilat lidhen me disponimin e një rregulloreje për çështje të tilla si parandalimi dhe pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit
  • Detyrimin ligjor për tu regjistruar pranë një organizatë profesionale të njohur nga BMP

Natyra e problematikave për AL lidhen kryesisht me çështje si:

  • Mangësi në dosjet e auditimit
  • Mangësi në sistemin e brendshëm të kontrollit të cilësisë
  • Mangësi në kapacitetet teknike dhe papajtueshmëri të lidhura me dispozitat ligjore për auditimet e shoqërive aksionare
  • Problematika të lidhura me referencat e orëve minimale të faturuara, etj.

Po lidhur me organizatat profesionale cilat janë problematikat që Bordi Mbikëqyrjes Publike ka konstatuar përgjatë veprimtarisë së vet?

Organizatat profesionale, subjekt i mbikëqyrjes së BMP përbëhen prej organizatave profesionale të kontabilistëve të miratuar dhe organizatës profesionale të audituesve ligjorë. Natyra e çështjeve të hasura kryesisht lidhen me historikun e veprimtarisë së tyre dhe kërkesave të reja si rrjedhojë e ndryshimeve ligjore, por edhe si rrjedhojë e përshtatjes me standardet profesionale ndërkombëtare, me kërkesat e direktivës përkatëse të Bashkimit Evropian, apo mungesës së trajnimeve të nevojshme për anëtarësinë e tyre.

Si rrjedhojë e inercisë së veprimtarisë së tyre më të hershme, procesi i adoptimit me kërkesat e reja ka qenë i ngadalshëm në kohë, duke krijuar një rezistencë të panevojshme lidhur me këto detyrime. Në të vërtetë, adoptimi i këtyre kërkesave, sikurse është provuar deri tani u shërben vet profesionistëve që ofrojnë këto shërbime, por edhe organizatave profesionale.

BMP për organizatat profesionale të KM ka nisur procesin e njohjes. Nga tre organizata, vetëm dy aplikuan për njohje pranë Bordit, ku njëra është njohur, me kushtin për të zbatuar rekomandimet për të gjithë veprimtarinë brenda periudhës tranzitore, ndërsa tjetra është njohur për të kryer edukimin e vijueshëm për anëtarësinë ekzistuese dhe është në proces njohje brenda periudhës tranzitore, me kushtin që të zbatojnë rekomandimet përkatëse.

Sa i takon organizatës profesionale të AL procesi i adoptimit me kërkesat e reja ligjore ishte më i ngadaltë, si rrjedhojë e historikut, ku kjo organizatë ka pasur një rol parësor me disa aktivitete, të cilat si rrjedhojë e kërkesave të direktivës përkatëse dhe rregullores 537 të Bashkimit Evropian, por edhe si rrjedhojë e kërkesave ligjore, sot janë atribut i Bordit.

Sigurisht, BMP është përpjekur të procedojë me shumë kujdes në implementimin e këtyre dispozitave duke theksuar se interesi i publikut prevalon ndaj çdo interesi institucional apo vetjak. Hapat e ndërmarra sollën vlerësim dhe reagim pozitiv nga shumë auditues ligjorë, të cilët kërkojnë konkurrencë mbështetur në cilësinë e shërbimeve.

Mbështetja pozitive ka ardhur edhe nga shumë institucione homologe brenda komunitetit të Forumit Ndërkombëtar të Rregullatorëve të Pavarur (IFIAR) si dhe institucioneve të tjera si Banka Botërore, që kanë mbështetur autoritetin tonë me kapacitete teknike për të rritur reputacionin e institucionit, por edhe të profesionit kontabël.

Disa nga konstatimet që kemi hasur nga procesi i mbikëqyrjes, njohjes dhe vlerësimit të organizatave profesionale lidhen me pajtueshmërinë e statutit dhe rregulloreve të tyre me kërkesat e kuadrit ligjor dhe rregullator, mangësi lidhur me përmbajtjen e programit të trajnimit për kualifikimin e vijueshëm të anëtarëve të tyre dhe mangësi në përmbajtjen e programeve të trajnimit lidhur me çështje të parandalimit të pastrimit të parave, kodit të etikës, kuadrit ligjor dhe akteve nënligjore, mangësi në procedurat e miratimit të rregulloreve nga asambleja e përgjithshme, përditësimin e regjistrit të anëtarësisë sipas kërkesave ligjore, etj.

Vlen të theksoj disa konstatime të hasura nga procesi i mbikëqyrjes së veprimtarisë së organizatës profesionale të audituesve ligjorë (IEKA) përgjatë kryerjes së veprimtarive të Bordit të Mbikëqyrjes Publike.

Kryesisht këto konstatime lidhen me:

  • Mënyrën e organizimit të procesit të edukimit të vijueshëm të anëtarëve ushtrues si dhe audituesve ligjorë (AL) jo ushtrues
  • Problematika të lidhura me bashkërendimin e veprimtarive të organizatës me detyrimet ligjore që ndikojnë në veprimtarinë e BMP
  • Problematika të lidhura me ankesat që trajtohen në proceset e investigimit të kësaj organizate
  • Çështje të lidhura me zbatimin e kuadrit rregullator për funksionimin e komitetit të regjistrimit të AL
  • Çështje të lidhura me zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga kuadri rregullator për procesin e provimeve të kandidatëve për AL dhe kontabilist të miratuar
  • Problematika të lidhura me përditësimin e regjistrit publik lidhur me adresat postare dhe elektronike
  • Publikimin e masave të marra nga BMP dhe çështje të lidhura me detyrimet ligjore për publikimin e standardeve kombëtare të auditimit, etj.

Cilat janë masat që ka marrë Bordi i Mbikëqyrjes Publike për Audituesit ligjorë dhe Kontabilistët e Miratuar?

Që prej ngritjes së strukturës mbështetëse në vitin 2018 në kuadër të veprimtarisë mbikëqyrëse dhe rregulluese të përcaktuar në ligjin nr. 10091, datë 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjorë dhe të kontabilistit të miratuar”, i ndryshuar, dhe Rregullores Nr. 4, datë 29.03.2018 “Për investigimin dhe Procedurat për Marrjen e Masave Disiplinore”, bazuar në rrethanat dhe faktet e shqyrtuara, ka marrë vendime me masë disiplinore vendosje gjobë për mosdhënie informacioni për qëllime të kontrollit të cilësisë për 10 subjekte si dhe ka marrë vendime me masë disiplinore pezullim i përkohshëm i licencës për 3 subjekte.

Ndërkohë, rastet e tjera me problematikat e mësipërme janë në proces investigimi të mëtejshëm duke respektuar afatet e parashikuara në kuadrin rregullator. Lidhur me kontabilistët e miratuar për të gjitha rastet të cilat nga konstatimi i bërë përgjatë procesit të verifikimit të veprimtarisë së tyre janë konstatuar gjetje të qenësishme për të cilat kontabilisti nuk ka vënë në dispozicion evidenca mbështetëse për të treguar pajtueshmërinë me kuadrin rregullator nuk është bërë njohja e tyre nga Bordi Mbikëqyrjes Publike për tu pasqyruar në regjistrin përfundimtar të kontabilistëve të miratuar.

Për më tepër për të gjitha ato raste për të cilat natyra e problematikës mund të sjellë potencialisht shkelje të kuadrit ligjor që lidhet me parandalimin dhe pastrimin e parave apo çështje të lidhura me përvetësimin e titullit këto subjekte do adresohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit si dhe pranë organeve të Prokurorisë për tu trajtuar më tej.

Si institucion rregullator cilat janë aktet më të rëndësishme që ndikojnë në përmirësimin e punës së audituesve ligjorë dhe kontabilistëve të miratuar?

Disa nga vendimet më të rëndësishme që ndikojnë në përmirësimin e punës së AL dhe KM lidhen me vënien në zbatim të kërkesave të standardeve profesionale të zbatueshme, sipas detyrimit ligjor.

BMP ka miratuar një sërë rregulloresh që lidhen me procesin e kontrollit të cilësisë së punës së AL dhe shoqërive të auditimit, bazuar në një metodologji bashkëkohorë me fokus analizën e riskut, investigimin dhe disiplinën, mënyrën e mbajtjes së dosjeve të angazhimit, procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin e AL dhe shoqërive të auditimit, procedura lidhur me verifikimin e aktiviteteve që prekin kërkesat e legjislacionit në fuqi që lidhen me parandalimin dhe pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Bordi Mbikëqyrjes Publike ka dhënë mbështetjen duke lobuar tek institucionet ndërkombëtare për të mbështetur me infrastrukturën e nevojshme organizatat profesionale, por edhe anëtarët e tyre në mënyrë që të përmirësojnë proceset e punës. Këtu mund të përmendim konkretisht rolin aktiv të BMP me drejtues të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC), për anëtarësimin e plotë të njërës prej organizatave profesionale në vend, gjë që u finalizua me sukses në fund të vitit 2019.

Gjithashtu, vlen për tu theksuar edhe metodologjia e lidhur me procesin e kontrollit të cilësisë e cila është e mbështetur në nota vlerësimi për punën e AL, një metodologji që është adoptuar edhe në ligjin për rindërtimin që prek “auditimin ligjor të fondeve të rindërtimit”, ku kushtet lidhen me cilësinë e punës së AL, si dhe mos të jenë në procese investigimi për thyerje të standardeve profesionale apo kuadrit ligjor.

Jemi duke punuar që kjo metodologji të adoptohet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare që ushtrojnë veprimtari në vendin tonë, si dhe nga institucionet vendase që angazhojnë auditues ligjorë apo kontabilistë të miratuar si një mekanizëm proaktiv që niset nga incentiva për t’u vet përmirësuar se sa si rrjedhojë e “frikës” që vjen nga marrja e masave disiplinore.

Po lidhur me qëndrimin e organizatave profesionale dhe vet profesionistëve si janë pritur këto ndryshime?

Sigurisht, në fillim ka pasur rezistencë shumë të fortë, e cila përgjatë kohës erdhi duke u zbutur. Kjo, pasi vënia në zbatim e këtyre vendimeve solli përmirësim të dukshëm në rolin, imazhin dhe kapacitetet e organizatave profesionale, por edhe të profesionistëve kontabël. Pranë BMP vijnë vazhdimisht komunikime që mbështesin punën e bërë dhe nevojën për të ndërmarrë këto procese reformuese, pasi faktet flasin vet për nevojën e këtij procesi.

Në disa takime të lidhura me profesionin, por edhe nga evidencat që kemi lidhur me zhvillimin e tregut të profesionistëve kontabël, vitet e fundit vërehet se janë të pakët aktorët që mbështeten në përmbajtjen e këtyre shërbimeve, duke e lënë theksin te forma që vjen si rrjedhojë e kërkesave ligjore. Gjithashtu, vërehet një rënie e dukshme e tregut të shërbimeve të këtyre profesionistëve kontabël çka jep tregues të drejtpërdrejtë për burime njerëzore dhe kapacitete teknike të limituara. Besojmë se përmirësimi i cilësisë së shërbimeve vjen edhe nëpërmjet një profesioni të fortë e të shëndetshëm dhe i vlerësuar në mënyrën e duhur.

Pse disa kontabilistë janë te lista paraprake e verifikimit të kontabilistëve, ndërsa të tjerë që kanë kryer të njëjtin proces, përfshirë dhe trajnimet, nuk janë?

Në të vërtetë përpara se kontabilistët e miratuar të publikohen në listën paraprake kalohen disa procese. Komisioni Ad-Hoc, i ngritur pranë Bordit të Mbikëqyrjes Publike për vlerësimin e veprimtarisë së kontabilistëve të miratuar pas procesit të kryerjes së procedurave të vlerësimit, përgatit një raport që përcillet në Bord për tu miratuar.

Ky raport përmban informacion lidhur me të gjithë ata kontabilistë që plotësojnë kushtet ose pjesërisht kushtet për tu publikuar si dhe ata kontabilistë që si rrjedhojë e gjetjeve japin sinjale për shkelje të kuadrit rregullator. Të gjitha rastet me problematika trajtohen edhe nga komisioni i investigimit ose nga komisioni për trajtimin e çështjeve të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Nëse nga evidenca e grumbulluar rezulton që kontabilisti është në pajtueshmëri me kërkesat ligjore ai kalon për publikim në të kundërt në varësi të gjetjeve trajtohet sipas kërkesave të kuadrit rregullator dhe ligjor. Në javën e parë të muajit Mars është bërë një përditësim i listës së kontabilistëve të miratuar që kanë kaluar plotësisht ose pjesërisht procesin.

Pse është shtyrë këtë vit testimi për kontabël të miratuar?

Ligji 10091/2009 që rregullon procesin e testimit të kandidatëve për kontabilist të miratuar por edhe kandidatëve për auditues ligjor parashikon që ky proces të kryhet një herë në vit. Pra nga aspekti ligjor nuk ka një shtyrje, por një planifikim i cili lidhet me implementimin e disa amendimeve që janë shumë të nevojshme për të garantuar që profesionistët e ardhshëm të kalojnë përmes disa proceseve që rrisin objektivitetin dhe cilësinë e procesit të provimeve.

Në të vërtete, Bordi Mbikëqyrjes Publike i shqetësuar edhe si rrjedhojë e disa ankesave nga kandidatët që kanë qenë pjesë e këtij procesi, por edhe nga konstatimi i diferencave të kalueshmërisë me periudhat paraardhëse si dhe raportimit nga ekspertë të ndryshëm për problematika të lidhura me hartimin dhe cilësinë e tezave të provimit, kërkoi nga Banka Botërore angazhimin e një eksperti ndërkombëtar për skanimin e plotë të situatës, kërkesë e cila u krye edhe nga zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë.

Banka Botërore angazhoi një nga ekspertët më të mirë të fushës, z.David Brookfield, i cili është njëkohësisht përgjegjës për kontrollin e cilësisë së procesit të provimeve pranë një nga organizatave ndërkombëtare më të njohura profesionale me një reputacion të padiskutueshëm botëror. Z. Brookfield zhvilloi dy misione në terren ku organizoi një sërë takimesh me të gjithë palët e përfshira në këtë proces, dhe paraqiti në një workshop raportin e diagnostikimit dhe gjetjeve të konstatuara dhe nevojës për përmirësimin e këtyre proceseve. Disa nga gjetjet kryesore lidhen pikërisht me metodologjinë e hartimit të tezave, por edhe me profilin e ekspertëve që duhet të angazhohen dhe trajnohen për hartimin e këtyre tezave.

Gjithashtu, në këtë raport i jepet shumë rëndësi vetting-ut të plotë të çdo individi të përfshirë në proces, qoftë në hartimin e tezave apo fondit të pyetjeve, ashtu edhe në korrigjimin e tyre, procedurave të intervistës etj.

Rëndësi i është dhënë edhe dizenjimit të kurrikulave bashkëkohore, programeve dhe materialeve të nevojshme për kandidatët, por gjithashtu një fokus të veçanta ka pasur zbatimi i standardit ndërkombëtar të edukimit IES 6, i cili kërkon procedura që lidhen me filtrimin dhe testimin e njohurive teorike të kandidatëve përpara se të regjistrohen për të dhënë provimet e aftësive profesionale.

Audituesit aktualisht paguajnë një kuotë tek IEKA. Sipas tyre, Bordi ka kërkuar të paguajnë një tarifë shtesë. Sa është kjo tarifë dhe pse duhet të paguhet?

Audituesit ligjorë (AL) janë edhe anëtarë të asamblesë së përgjithshme të organizatës profesionale të audituesve ligjorë (IEKA), si organi më i lartë vendimmarrës që miraton statutin dhe të gjitha aktet që parashikon statuti.

Kuota që paguajnë është e miratuar nga vetë audituesit për funksionimin e organizatës profesionale të AL. Në fakt lidhur me këtë çështje në raportin e ROSC të Bankës Botërore është konstatuar se kjo tarifë është konsiderueshëm e lartë përkundrejt vendeve të rajonit, por edhe organizatave të tjera profesionale anëtarë të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve. Ndërkohë që Bordi i Mbikëqyrjes Publike nuk ka kërkuar asnjë tarifë shtesë për tu paguar nga AL përveçse sa parashikohet në ligjin për auditimin 10091/2009.

Një nga burimet e financimit të BMP si një autoritet që funksionon me vetëfinancim është edhe shuma prej 3% mbi honoraret e faturuara për shërbimet e AL ndaj njësive ekonomike me interes publik.

Duhet të kuptojmë se klasifikimi i njësive me interes publik behet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe numri këtyre subjekteve është konsiderueshëm i vogël përkundrejt subjekteve ndaj të cilave kryhet auditimi ligjor si rrjedhojë e dispozitave ligjore.

Kjo vlerë financiare e përkthyer në burimet financiare në të cilat mbështetet BMP dhe në kuptimin e kapaciteteve teknike mbulon jo më shumë se pagat vjetore të tre inspektorëve të kontrollit të cilësisë, të cilat janë mjaft modeste në referencë të plotë më pagat e administratës shtetërore, konsideruar nivelin e lartë të njohurive teknike që duhet të kenë këta inspektorë. Në vendet në zhvillim, të njëjtët inspektorë trajtohen financiarisht në nivele të ngjashme me pagesat që marrin profesionistët në tregun privat.

Ka një kërkesë të audituesve për të rritur tarifat e tyre të shërbimit. Cili është komenti juaj?

BMP i qëndron fortë ngritjes së kapaciteteve teknike të AL dhe firmave të auditimit si një nga rrugët kryesore për të përmirësuar cilësinë e punës. Duhet të kuptojmë që cilësia e këtyre shërbimeve është prioritare në raport me interesin e publikut dhe çdo aktori që përdor këto informacione. Për rrjedhojë, nëse ngritja e këtyre kapaciteteve teknike dhe përmirësimi i cilësisë së punës kërkon nevojën për rishikimin e tarifave, për ne si institucion prevalon cilësia e shërbimit.

Ne besojmë se një proces dhe një punë më cilësore nga AL do të thotë më shumë angazhim dhe punë e kryer e si rrjedhojë një tarifë më e lartë për një shërbim më cilësor. Në fund është tregu ai që i vendos tarifat, dhe roli ynë si institucion është t’i krijojmë mundësi audituesve të konkurrojnë në një treg të drejtë e të barabartë, duke e vënë theksin tek konkurrenca nëpërmjet cilësisë dhe jo nëpërmjet tarifave.

Aktualisht, nga informacionet e mbledhura, konstatohet që tarifat e auditimit janë në nivelet më të ulëta, krahasuar me vitet e mëparshme këtu, me vendet e rajonit dhe me gjerë. Tarifat e ulëta janë dhe një tregues i një cilësie jo të duhur të shërbimit të ofruar.

A keni pasur presione lidhur me punën tuaj?

Për përmirësimin dhe forcimin e mbikëqyrjes publike në fushën e auditimit dhe raportimit financiar, duke e vendosur theksin tek cilësia e shërbimeve në përputhje me standardet profesionale të miratuara, BMP është duke punuar fort me ndërgjegjësimin e mëtejshëm të profesionistëve dhe organizatave përkatëse përfaqësuese.

Jemi të bindur se përmirësimi i cilësisë së shërbimeve dhe rritja e objektivitetit në punë ndikon pozitivisht në besueshmërinë e raportimeve financiare të domosdoshme për të gjitha palët e interesuara (institucionet financiare dhe rregullatorët e tyre, administratën shtetërore përfshirë tatimet apo strukturat e PPPP, publikun e gjerë, investitorët e brendshëm dhe të jashtëm, etj.), duke ndikuar kështu pozitivisht drejtpërdrejtë në përmirësimin e mjedisit dhe në rritjen ekonomike në vend.

Pavarësisht reagimeve pozitive, BMP është përballë me rezistenca për çështje të ndryshme të veprimtarisë së tij, nga grupe të caktuara interesi (që janë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejte apo tërthortë në këto aktivitete), që bëhen herë pas here prezentë, me qëllim ruajtjen e status quo-s ekzistuese ose pengimin e veprimtarisë së BMP. Shpesh herë, kjo rezistencë është shfaqur edhe në formën e sulmeve direkte dhe indirekte ndaj institucionit, apo në formën e sulmeve personale ndaj anëtarëve dhe stafit të BMP, përtej normave etike dhe kërkesave ligjore.

Pavarësisht se rezistenca e sulme të tilla janë të pritshme në situatën kur “status quo” duhet të ndryshojë, si rrjedhojë e zbatimit të kërkesave ligjore, qëndrimi i BMP-s ka qenë plotësisht institucional duke u përpjekur të amortizojë çdo veprim i cili ka ardhur edhe si rrjedhojë e kushteve të konfliktit të interesit. BMP është treguar i kujdesshëm, gjithëpërfshirës dhe transparent në qasjen e tij për adresimin e gjithë problematikave të trashëguara dhe përmirësimin e mjedisit përkatës, me qëllim kryesor mbrojtjen e interesit të publikut.

Sa e rëndësishme është mbështetja e institucioneve të tjera rregullatore në punën e Bordit të mbikëqyrjes Publike?

Vitet e fundit, BMP është mbështetur fortë nga Banka Botërore, duke përfituar këtu edhe për t’i falënderuar, por pa diskutim bashkëpunimi dhe mbështetja e institucioneve vendase rregullatorë mbetet një element shumë i rëndësishëm, duke i dhënë një vlerë të shtuar ekonomisë, por mbi të gjitha interesit të publikut dhe vetë institucioneve shtetërore.

Në këtë kuadër ne kemi komunikuar së fundmi zyrtarisht me te gjitha institucionet shtetërore rregullatorë, duke kërkuar mbështetjen dhe bashkëpunimin për çështjet përkatëse që ato mbulojnë.

Gjithashtu, jemi duke bashkëpunuar ngushtë me DPPPP në kuadër të Moneyval me një plan të detajuar aktivitetesh. Jemi duke harmonizuar kuadrin rregullator me AMF, si dhe synojmë bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë si një nga institucionet rregullatorë të njësive të rëndësishme për interesin e publikut, siç janë institucionet financiare. Bashkëpunimi nuk ngelet vetëm në kuadrin me rregullatorët, por ne po synojmë të rrisim bashkëpunimin edhe me institucione të tjera si Prokuroria. Gjykata, Tatime, QKB, etj.

Me qëllim përdorimin e ndërsjellë të kapaciteteve, në kushte kur këto janë të kufizuara, ne jemi duke bashkëpunuar edhe me institucione rregullatorë rajonale. Vlen të përmendim këtu, bashkëpunimin me KKRF të Kosovës për realizimin e kontrolleve të cilësisë të ndërsjella në vendet tona.

Cilat janë sfidat që ka Bordi Mbikëqyrjes Publike për vitin 2020?

Disa nga sfidat që ka Bordi Mbikëqyrjes Publike për vitin 2020 lidhen me përmirësimin e procesit të certifikimit, vijimin dhe përmirësimin i proceseve të kontrollit të cilësisë në përputhje me kërkesat ligjore dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, investigimit dhe disiplinës, ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë me institucionet vendase për çështjet që lidhen me auditim dhe kontabilitetin, bashkëpunimi për Moneyval, për të cilin kemi një plan konkret masash në bashkëpunim me DPPPP, krijimi i regjistrit unik të kontabilistëve të miratuar, që duhet të jetë i njohur zyrtarisht nga të gjitha institucionet, si dhe rritja e mëtejshme e rolit të Bordit në nivele ndërkombëtare.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of