Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti zhvilloi një inspektim në sheshin Avni Rustemi, ose siç njihet Pazari i Ri, për të parë nga afër rezultatet e punës së task-forcës kombëtare për tregtimin e mishit sipas standardeve të kërkuara ligjore e higjenike.
Operacioni i task-forcës për të vendosur standardet ligjore dhe higjenike për tregtimin e mishit, peshkut dhe nënprodukteve të tyre ka nisur dy javë më parë saktësisht më 13 nëntor dhe në këtë kuadër Ministri Panariti kreu një vizitë të shkurtër aty ku nisi ky aksion. Pas inskeptimit, Ministri Panariti duke folur për mediat, u shpreh:
“Ishim dëshmitarë se si brenda një kohe të shkurtër mund të vendosen standardet më të larta të sigurisë ushqimore. Vizituam sot disa pika tregtimi që mund të konsiderohen model i cilësisë dhe sigurisë ushqimore, kontrolluam disa pika të tregtimit të bulmetit, të mishit, të peshkut, të cilët nuk kanë asnjë ndryshim nga standardet e kërkuara të cilësisë dhe sigurisë ushqimore nga ato të BE-së. Ky është modeli e kartvizita që i shpalosim BE-së, konsumatorit shqiptar, i cili ka të drejtë të gëzojë të njëjtat standarde të cilësisë së ushqimit ashtu si qytetarët e tjerë të BE. Por sfida jonë është që kjo nismë e suksesshme në qendër të Tiranës të vazhdojë e përhapet në gjithë Shqipërinë. Më lejoni të falenderoj dhe bashkinë e Tiranës, e cila na ka mbështetur vazhdimisht dhe ky është shembull i mirë i një sintonie mes pushtetit Qëndror dhe atij Lokal ku në emër të interesit të qytetarit, ekziston një frymë bashkëpunimi, dhe një frymë e imponimit të autoritetit të ligjit”.
Më tej, i pyetur për ato subjekte që u mbyllën një javë më parë dhe tashmë janë rihapur, Ministri Panariti sqaron se Ministria e Bujqësisë nuk synon të bëjë represione ndaj tregtarëve, madje kjo është një shenjë pozitive se ato subjekte që u mbyllën, plotësuan gjithë dokumentacionin, vendosën standartet e këerkuara dhe tashmë janë të lejuara të ushtrojnë aktivitetin tregtar në përputhje me normat e kërkuara.
Pyetjes se si po veprohet me shitësit ambulantë që ende vazhdojnë aktivitetin e tyre nëpër rrugët e Tiranës, duke konkuruar ata që shesin në dyqane, Ministri iu përgjigj: Ne nuk kemi ndërmend të penalizojmë kërkënd. Edhe ambulantët do të kenë të drejtën e tyre të zhvillojnë aktivitetin e tyre, por sipas standardeve dhe rregullave higjenike. Ata duhet të regjistrohen, të jenë të licensuar, të tregtojnë në pika të autorizuara, jo në mes të pluhurit, të baltës, pra jo kudo, por në vende të përcaktuara nga Bashkia. Nuk largojmë kërkënd nga tregu, por ai person që ka vendosur që jetën e tij dhe të familjes së tij ta sigurojë falë këtij aktiviteti tregtar, ta bëjë atë sipas standardeve. Tranformimi sapo ka filluar. Nuk përjashtojmë raste sporadike në gjithë vendin, por të gjitha këto do shkojnë drejt një eliminimi të shpejtë dhe ju garantojmë se do t’i shkojmë deri në fund këtij aksioni. Mos harroni që është vetëm fillimi” – u shpreh Ministri Panariti në fund të këtij inspektimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.