Shpenzimet kapitale kanë qenë rreth 15% më të ulëta në 10 muajt e parë të këtij viti, në raport me janar-tetor 2011, ndërsa qeveria nuk është kursyer në rritjen e kostove korente…
Financat kanë arritur që të mbajnë nën kontroll shpenzimet gjatë periudhës janar-tetor të 2012-s, të cilat janë ulur me rreth 0.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave nga buxheti i konsoliduar i Ministrisë së Financave.
Por i gjithë ky kursim i financave ka ardhur nga tkurrja e shpenzimeve kapitale, të cilat janë ulur me rreth 15% në raport me periudhën janar-tetor të një viti më parë, duke arritur në rreth 44.7 miliardë lekë, niveli më i ulët i investimeve kapitale këto vitet e fundit.
Ndërkohë që financat nuk janë kursyer për shpenzime personale, me kostot e pagave që janë rritur me rreth 3.5%.
Në zgjerimin e shpenzimeve ka ndikuar dhe rritja e zërit të shpenzimeve operative, me rreth 6%, kryesisht si rrjedhojë e subvencioneve që qeveria ka dhënë për kompaninë shtetëtore të prodhimit të energjisë, KESH.
Në rritje kanë vijuar dhe shpenzimet për interesa, pavarësisht uljes së yield-it (interesave) të borxhit të brendshëm që nga muaji gusht, duke reflektuar rritjen e borxhit publik, që këtë vit pritet të arrijë në 60% të prodhimit të brendshëm bruto dhe vitin e ardhshëm do të rritet në 62.6% të PBB-së, sipas projektbuxhetit 2013.
Në tërësi, mbajtja nën kontroll e shpenzimeve dhe rritja e të ardhurave me 2%, ka bërë që deficiti buxhetor të zvogëlohet me rreth 18% për 10 mujorin, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.