Të gjitha subjektet prodhuese dhe importuese të kripës së jodizuar duhet të paguajnë shpenzimet për marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave laboratorike të nevojshme për kontrollin e kripës së jodizuar.
Ndryshimet e ligjit “Për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut”, të miratuara në 2020 përcaktojnë se tarifat e vendimit të Këshillit të Ministrave për kontrollin e nivelit të jodit në kripë do të përballohen nga kompanitë.
Referuar ndryshimeve ligjore, vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se tarifa për marrjen e mostrave për përcaktimin e nivelit të jodit në kripën ushqimore të jodizuar është 8,500 lekë dhe tarifa për kryerjen e analizave laboratorike për përcaktimin e nivelit të jodit në kripën ushqimore të jodizuar është 4,000 lekë. Sipas dokumentit të Ministrisë të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tarifa për marrjen e mostrave përfshin koston e transportit dhe koston e analizimit të mostrës së kripës ushqimore të jodizuar në laboratorët e brendshëm të saj, kur marrja e mostrës së kripës ushqimore të jodizuar, sipas procedurës realizohet nga struktura rajonale e shëndetësisë në pikën e prodhimit apo në pikat doganore (degët doganore kufitare).
Në nenin 12 të ligjit për kontrollin e nivelit të jodit në kripë përcaktohet nga prodhuesit vendas do të bëhet për çdo sasi malli përpara hedhjes së saj në treg nga struktura rajonale e shëndetësisë. Për kryerjen e analizave të kripës, struktura rajonale përdor laboratorët e brendshëm të saj.
Sakaq, kripa e jodizuar, që importohet do t’i nënshtrohet kontrollit për nivelin e jodit në pikat doganore (degët doganore kufitare). Ky kontroll realizohet nga autoriteti doganor, drejtoritë rajonale dhe vendore të shëndetësisë brenda juridiksionit të tyre dhe inspektorati që mbulon fushën e shëndetësisë.
Për kripën e jodizuar të importit, edhe në rastet kur në dokumentet shoqëruese është pasqyruar niveli i jodit, kompanitë importuese janë të detyruara të kryejnë analizën laboratorike në laboratorët e strukturës rajonale të shëndetësisë për nivelin e jodit në çastin e futjes së kripës në pikën doganore.
Vendimi
- Tarifa për marrjen e mostrave për përcaktimin e nivelit të jodit në kripën ushqimore të jodizuar është 8,500 lekë.
- Tarifa për kryerjen e analizave laboratorike për përcaktimin e nivelit të jodit në kripën ushqimore të jodizuar është 4,000 lekë.
- Tarifa, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përfshin koston e transportit dhe koston e analizimit të mostrës së kripës ushqimore të jodizuar në laboratorët e brendshëm të saj, kur marrja e mostrës së kripës ushqimore të jodizuar, sipas procedurës realizohet nga struktura rajonale e shëndetësisë në pikën e prodhimit apo në pikat doganore (degët doganore kufitare).
- Tarifa, në rast kërkese për përsëritje të analizës laboratorike nga subjektet prodhuese ose importuese, është e njëjtë me vlerën e përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.