Qytetarët të pajisur me lejedrejtimi të huaj që u ka mbaruar afati i vlefshmërisë dhe nuk kthehet dot jashtë që ta rinovojë për shkak të sanksioneve nga Covid-19 ose humbjes së rezidencës kanë të drejtën e konvertimit të patentës.
Drejtoria e Përgjithshme e Transportit të Shërbimit Rrugor publikoi procedurat që duhet të zbatohen për konvertimin e patentës për shtetasit e huaj, stafin e ambasadave dhe të organizatave ndërkombëtare.
Sipas drejtorisë të Shërbimit të Transportit Rrugor, fillimisht qytetari plotëson një kërkesë pranë sporteleve të drejtorive rajonale për heqjen dorë nga lejedrejtimi i huaj me qëllimin marrjen e lejedrejtimit shqiptar.
DRSHTRR njofton qytetarin që të paraqitet në sportel për aplikim për pajisje me lejedrejtimi shqiptar me këto dokumente me vete: dokument identifikimi të vlefshëm; lejen e qëndrimit e cila duhet të jetë brenda afateve të vlefshmërisë; lejedrejtimin e huaj; autorizim dhe fotokopje të kartës së identitetit nëse do paraqitet dikush tjetër për të tërhequr lejedrejtimin. Pas marrjes së miratimit nga shteti përkatës, qytetari i nënshtrohet testimit të normave të sjelljes në rrugë ku pasi e kalon këtë testim do të pajiset me lejedrejtimin shqiptar, duke dorëzuar edhe raportet mjekësore të nevojshme.
Për konvertimin e lejedrejtimit nga personel i huaj i ambasadave ose i Organizatave Ndërkombëtare që gëzojnë statusin diplomatik në Shqipëri, Ministria e Punëve të Jashtme i përcjell dokumentet e diplomatit në DPSHTRR. Pas verifikimit të dokumentacionit, DPSHTRR bën njehsimin e lejëdrejtimit të huaj në shqiptare. Diplomati dorëzon lejedrejtimin kombëtar dhe aplikon për karton të ri lejedrejtimi shqiptar i vlefshëm për mandatin diplomatik. Pas përfundimit të mandatit diplomatik, lejedrejtimi kombëtar (origjinal) i kthehet sërish diplomatit.
Dokumentet që dorëzohen në DRSHTRR për konvertimin e patentës
-Dokument identifikimi të vlefshëm
-Kopje e noterizuar dhe e përkthyer e pasaportës, si dhe kopje e noterizuar e lejeqëndrimit të vlefshme
-Lejedrejtimi e huaj e vlefshme, së bashku me fotokopjen të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të noterizuar
-Certifikatë mjekësore me fotografi me datë jo më të hershme se 6 muaj nga data e kërkesës
Dokumentet për ambasadat ose organizatat ndërkombëtare që gëzojnë statusin diplomatik në Shqipëri
-Fotokopja e kartës së legjitimitetit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, e legalizuar nga Ambasada ose Organizata Ndërkombëtare;
-Fotokopja e pasaportës diplomatike, e përkthyer dhe e legalizuar nga Ambasada ose Organizata Ndërkombëtare;
-Fotokopja e lejedrejtimit e përkthyer dhe e legalizuar nga Ambasada ose nga Organizata Ndërkombëtare;
-Certifikata mjekësore me fotografi, e lëshuar nga institucioni shëndetësor, me datë jo më të hershme se 6 muaj nga data e lëshimit të shkresës nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.