Kopenhagën renditet vazhdimisht si një nga qytetet më të qëndrueshme në botë. Cilat janë gjërat që po bën Kopenhageni siç duhet, në mënyrë që edhe pjesa tjetër e botës të mund të ndjekë të njëjtin shembull?
Ky qytet i bukur europian është shtëpia e shumë projekteve arkitekturore miqësore me mjedisin, e nismave të energjisë së rinovueshme, e kopshteve urbane dhe e shumë gjërave të tjera, që e bëjnë qytetin të gjelbër.
Këtu janë disa nga arsyet pse Kopenhagëni ofron një model kaq të qëndrueshëm.
Në Kopenhagën, të gjithë lëvizin me biçikletë
Ashtu si qytetet e tjera të mbipopulluara, të cilat janë projektuar që përpara shpikjes së makinave moderne, banorët e Kopenhagenit lëvizin me biçikleta kudo. Qyteti ka 700,000 biçikleta, më shumë se një biçikletë për çdo makinë në qytet.
Për më tepër, Kopenhagën mirëpret strukturat e parkimit të biçikletave, dizajnin miqësor për biçikletat, si dhe një kulturë që inkurajon njerëzit të dalin dhe të përdorin biҫikletën, në vend që të ngasin makinën.
Mbi 60% e banorëve të Kopenhagënit shkojnë në punë me biçikletë, në vend që të përdorin makinat e tyre. Qytetet e vjetra europiane, të tilla si Kopenhagëni, nuk ishin ideuar për lëvizjen e makinave, kështu që biçikletat janë një mjet i përshtatshëm dhe praktik për të udhëtuar në rrugët e ngushta të qytetit.
Transporti publik në Kopenhagën po kalon nga përdorimi i naftës tek autobusët elektrikë. Kur ndodheni në këtë qytet, ju mund të qëndroni në cilindo nga hotelet e shumta eko-miqësore të Kopenhagenit, të ricikloni mbeturinat tuaja në një makinë shitëse publike dhe të konsumoni ushqime organike në disa restorante të qytetit.
Arkitektura e gjelbër
Kopenhagen po shton gjelbërimin te ndërtesat tregtare me një ritëm të përshpejtuar. Kjo po sjell rritjen e çative të gjelbra, të energjisë së rinovueshme, të ndërtesave që ruajnë energjinë diellore dhe të shumë elementeve të tjera. Ndërtesa prej druri me çati të gjelbër, e quajtur Marmormolen, është një nga shembujt më të mirë të arkitekturës së gjelbër të Kopenhagenit.
Tani, kodet e ndërtimit në këtë qytet kërkojnë që ndërtesat e reja të kenë çati të gjelbra. Këto çati shpesh përfshijnë sisteme të grumbullimit të ujit të shiut dhe ndihmojnë në kapjen e ndotjes së grimcave nga tranziti i qytetit.
Parqet dhe hapësirat e gjelbra të Kopenhagënit
Një e katërta e hapësirës së Kopenhagënit përdoret për kopshte urbane dhe për hapësira të gjelbra. Kodet urbane që i bëjnë të detyrueshme çatitë e gjelbra për ndërtesat e sapondërtuara, krijojnë akoma më shumë hapësira për kopshte, pemë dhe bimë që promovojnë biodiversitetin. Pemët gjithashtu ofrojnë oksigjen të freskët për të kompensuar reflektimin e lartë të nxehtësisë në këtë qytet të urbanizuar.
Për më tepër, një zonë që dikur funksiononte si një burg në Kopenhagen po përdoret tani si një kopsht me shumë përdorime. Projekte të tilla tregojnë risinë e qytetit në planifikimin urban dhe në krijimin e një të ardhmeje më të gjelbër.
Kopenhagën ka gjithashtu parqe ishujsh lundrues dhe parqe që përshtaten me klimën, të cilat ruajnë reshjet e tepërta. Ju madje mund të bëni ski në majë të impiantit të prodhimit të energjisë nga mbeturinat, ku ndodhet një pistë për ski e krijuar nga Bjarke Ingels Group.
Kopenhagën investon në energjinë e rinovueshme
Danimarka përdor energjinë e erës dhe të diellit për të ulur emetimet e karbonit, por gjithashtu përdor biomasën në përpjekjet e saj drejt arritjes së dekarbonizimit.
Projekti Holmene është një tjetër iniciativë drejt një të ardhmeje të energjisë së gjelbër, ku në nëntë ishuj artificialë do të vendosen mullinj me erë dhe impiante të shndërrimit të mbeturinave në energji. Projekti mund të gjenerojë mbi 300,000 MWh. Kjo sasi energjie është e mjaftueshme për të furnizuar rreth 40,000 shtëpi për një vit të tërë.
Sipas Tomorrow City, “Sot, më shumë se 30% e kërkesave të Danimarkës për energji përmbushen nga burimet e rinovueshme. Vendi pret që kjo shifër të arrijë në 50% deri në vitin 2030, ndërsa pavarësia energjetike planifikohet të arrihet në vitin 2050.
Një pjesë e konsiderueshme e kësaj qëndrueshmërie energjetike vjen nga biokarburantet dhe nga menaxhimi i mbetjeve. ”
Kopenhagen përdor gjithashtu sensorë inteligjentë për të identifikuar përdorimin dhe rrjedhjen e ujit. Ndërkohë, valvulat dhe pompat inteligjente ndihmojnë në minimizimin e humbjeve të energjisë nga ndërtesat bashkiake. Ky qytet tregohet i kujdesshëm për të mos lejuar shpërdorimin e ujit dhe për minimizimin e emetimeve të karbonit.
Kopenhagën, qyteti model i së ardhmes
Përkushtimi i Kopenhagënit për një të ardhme të qëndrueshme përbën një shembull për qytetet në mbarë botën. Edhe vendet e tjera duhet të ndjekin këto strategji për zbutjen e ndikimit te klima, dhe duhet ta bëjnë infrastrukturën dhe arkitekturën e tyre më të gjelbër.
Si qyteti më i gjelbër i Danimarkës, Kopenhagën tregon se energjia e rinovueshme nuk e kompromenton cilësinë e jetës. Energjia e pastër dhe dizajni i bukur shkojnë dorë për dore. / Inhabitat