Kopshtet dhe çerdhet hapen me 1 Qershor, Manastirliu: Rrisim vigjilencën e strukturave të shëndetësisë

26/05/2020 3:10 PM 0 komente

Kopshtet dhe çerdhet do të hapen nga 1 qershori, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

“Strategjia e rihapjes do të vijojë sipas fazave që komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar.  Do të vijojmë me hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data 1 Qershor, protokolli i të cilave është miratuar dhe është shpërndarë për t’u parapërgatitur për këtë datë. Vlerësojmë që ky protokoll por edhe të gjithë protokollet e sigurisë duhet të zbatohen rreptësisht, pasi janë baza për ruajtjen e shëndetit të popullatës”.

Sipas Ministres së Shëndetësisë, faza e dytë e rihapjes do të vijojë edhe me sezonin turistik, me protokolle sigurie në funksion të mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes së qytetarëve, për të kufizuar përhapjen e COVID19.

“Nuk duhet të harrojmë që ky virus vijon të qarkullojë dhe ne duhet t’i përgjigjemi me të gjitha strukturat në gatishmëri. Kemi hyrë në javën e 12 të epidemisë me mbi 1 mijë të prekur. Tashmë edhe puna bëhet më e vështirë për të gjurmuar kontaktet, ndaj duhet të intensifikohet puna nga strukturat tona të terrenit“, tha Manastirliu.

Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP dr. Silva Bino kërkoi rritje të ndërgjegjësimit edhe të të rinjve.

“Rritja e numrit të rasteve sidomos në Tiranë tregon se sa të kujdesshëm duhet të jemi. Është koha që të rinjtë të jenë të përgjegjëshëm, që e gjithë popullata të jetë e përgjegjshme në mënyrë që të ruajmë distancën dhe rregullat e higjienës”.

Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, prof. Najada Çomo deklaroi se situate është e qëndrueshme, por ka raste të rënda në spital dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve.

“Duhet të jemi realistë që ka persona të shtruar në spitalin infektiv që janë në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe duke patur parasysh që kemi patur dy vdekje brenda pak ditësh tregon për vazhdimin e gravitetit të sëmundjes, pa çka se shifra është nën 20. Por kjo shifër mund të zvogëlohet ose të shtohet në ditët në vijim. Masat e marra dhe pjesa e ruajtjes së distancimit janë elementë shumë të rëndësishëm për të ruajtur shifrat e ulëta të pacientëve të shtruar në shërbimin infektiv”.

Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vijojë vlerësimin mbi baza ditore dhe 14 ditore të situatës epidemiologjike të COVID19 për vendimet e mëtejshme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of