Pasi qëndruan të mbyllura për nëntë ditë në sezonin e Krishtlindjeve të vitit 2020, kopshtet Tivoli janë rikthyer për të mbushur sezonin festiv me gëzim dhe dritë.
I vendosur në zemër të qytetit, parku argëtues i Kopenhagen u hap për herë të parë në vitin 1843 dhe tani është parku i pestë argëtues më i vizituar në Europë (Disneyland Paris zë vendin e parë).
“Që në fillim, ideja e këtij parku kishte të bënte me argëtimin dhe njerëzit që kënaqeshin me kulturën, dëfrimet dhe festat. Dhe kjo është gjithashtu arsyeja pse ne jemi këtu sot, 178 vjet më pas”, thotë drejtori i Parkut, Kasper Schumacher.
Festimet e Krishtlindjeve të Tivolit filluan në vitin 1994 me disa tezga tregu. Në vitin 1997, ai ishte bërë atraksioni që njohim sot, me akoma më shumë frymë festive që i shtohej vit pas viti.
Si janë Krishtlindjet në Tivoli?
Këtë vit, një ekipi prej plot 113 elfësh të Krishtlindjeve (piktorë, elektriҫistë, inxhinierë, kopshtarë dhe artizanë) iu deshën vetëm 11.5 ditë për të sjellë në jetë këtë park.
Ka rreth një milion drita që dekorojnë parkun, plus 1,000 pemë bredhi, 70,000 topa dekorimi të pemëve, 3,5 km kurora bredhi dhe 40 km zinxhirë pemësh të Krishtlindjeve, të gjitha këto për të shtuar atmosferën festive.
Dhe nëse kjo nuk ju mjafton, atëherë si thoni për faktin që parku ka rreth 11,800 litra verë të zier çdo sezon festiv?
Tema e tregut të këtij viti janë zemrat, sepse pas 18 muajve të fundit, të gjithëve do të na bënte mirë pak më shumë dashuri në jetën tonë.
Ka dekorime dhe drita në formë zemre të varura kudo që të shkoni, ëmbëlsirat dhe biskotat janë gjithashtu në formë zemre dhe madje edhe projeksionet e dritës mbi ndërtesat i ngjasojnë formës së zemrës.
Çfarë mund të bëni në Tivoli?
Së bashku me bukurinë e parkut dhe të gjitha dekorimet e tij, ka edhe shumë gjëra të tjera për të bërë, përveҫ takimit të rëndësishëm me Babagjyshin.
Ju mund të shikoni një shfaqje të baletit “Mbretëresha e Dëborës” në Sallën e Koncerteve të Tivolit, e cila përmban një set dhe kostume të dizajnuara nga mbretëresha Margrethe e Danimarkës.
Gjithashtu, mund të dekoroni kekun tuaj me mjaltë në formë zemre, i cili piqet në moment duke përdorur mjaltë nga bletët që jetojnë në park. Ka shumë ëmbëlsira të shijshme për të provuar edhe në fshatin e Tivolit, ndërsa Æbleskiver, një petull tradicionale daneze, e skuqur në gjalpë, duhet provuar me patjetër.
Pasi të jeni ngopur me ëmbëlsira, mund të shijoni atmosferën që krijohet nga një prej grupeve të shumta që performojnë live aty.