Personave mbi 75 vjeç dhe mbi 65 të sëmurë u kërkohet të mos shkojnë në vende të mbushura me njerëz. Ky është një nga rekomandimet e Komitetit Teknik Shkencor të kërkuar nga Kryeministri italian Giuseppe Conte.
Gjithashtu u rekomandohet të gjithëve që të shmangin përqafimet dhe shtrëngimet e duarve, kur është e mundur, dhe të mbajnë një distancë prej një metri nga njerëzit e tjerë.
Ata me ethe do të duhet të qëndrojnë në shtëpi edhe nëse nuk kanë qenë në zona me rrezik. Masat kanë përfshirë të gjithë vendin për 30 ditë, por ato duhet të rivlerësohen çdo dy javë.
Italia po shqyrton dhe mundësinë për të mbyllur shkollat në gjithë vendin, por ende nuk ka një vendim.
Është propozuar ndërkohë që të ndalohen të gjitha organizimet sportive për një muaj. Kjo masë do të rrezikonte, ndër të tjera, mbajtjen e kampionatit të futbollit në Serie A. Gjysmëfinalja e Coppa Italia Juventus-Milan, e planifikuar për të Mërkurën 4 Mars tashmë është shtyrë deri në një datë të mëvonshme. Ka të ngjarë që mund të vendoset që të mos ndalet kampionati i futbollit në Serie A (vendimi i takon Ligës), por të parashikohen vetëm ndeshje me dyer të mbyllura.
Gjithashtu propozohet shtyrja e të gjitha konferencave dhe të gjitha kongreseve, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me personelin shëndetësor dhe shërbimet, për ta vënë atë në dispozicion për emergjencën e Coronavirus. Një masë që qeveria është e gatshme të marrë.