Shfaqja e 6 rasteve me koronavirus në vend, si dhe kriza emergjente që po kalon Italia, pritet të japin efekte në ekonominë e vendit.
Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço u shpreh për “Zërin e Amerikës” se për përballimin e situatës nevojiten impulse të reja ekonomike.
“Një impakt ekonomik është i mundshëm. Është pak herët për të matur impaktin ekonomik që tani, por është e sigurtë që do ketë. Është e rëndësishme që të mos futemi në panik sepse na dëmton jo vetëm ekonomikisht, por edhe në aspekte të tjera. Por nuk është herët që të fillojmë të studiojmë një impuls ekonomik, se si të përballojmë situatën që do të kemi nga koronavirusi”, u shpreh Jaço.
Kryetari i AmCham, Jaço tha se kompanitë amerikane kanë shfaqur interes për investime në sektorët e bujqësisë, turizmit dhe energjisë.
“Bujqësia është një sektor interesant, sepse punëson rreth 45 % të popullsisë, dhe ka produkte që kanë potencial për eksport për në Europë dhe gjithashtu në Amerikë.
Turizmi është gjithashtu një sektor që po ndryshon gjatë gjithë kohës, ka zhvillim dhe potencial. Shqipëria ka burime natyrore, por ka gjithashtu mundësinë për t’u bërë një qendër rajonale në lidhje me shpërndarjen e energjisë”, shprehet Jaço.
Kreu i Dhomës amerikane, Jaço duke folur për klimën e investimeve në vend, tha se shqetësim për biznesin mbeten monopolet dhe konkurrenca e pandershme. Shqetësim sipas Jaços është edhe vendosja e Shqipërisë në listën gri të pastrimit të parave.
“Kjo e dëmton besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e investitorëve ndërkombetarë. Diçka nuk ka shkuar mirë në lidhje me progresin që Shqipëria duhet të kishte bërë, duke u vendosur në atë që e quajmë zonë gri.
Është vullneti politik, që nuk mendoj se nuk ekziston, si dhe kapacitetet teknike që duhet të vendosen në dispozicion për përmirësimin e menjëhershëm të kësaj situate. Shpresoj që vitin tjetër do të shohim një progres më të mirë”, u shpreh Jaço për VOA.
Qeveria pritet që së shpejti të bëjë publike edhe amnistinë fiskale, ku përfitues do të jetë biznesi i vogël dhe i madh, por Kryetari i Dhomës Amerikanë shprehet se para zbatimit nisma duhet të konsultohet me biznesin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.