Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtues i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, foli për zhvillimet e fundit në lidhje me emergjencën shëndetësore nëpër botë, të shkaktuar nga Covid-19.
Kreu i OBSH saktësoi diçka të rëndësishme: “Megjithatë kjo është e para pandemi në historinë e njerëzimit që mund të kontrollohet. Nuk jemi në mëshirën e këtij virusi. Pavarësisht nëse është ose jo pandemi, rregulli është gjithnjë i njëjti: mos u dorëzoni”.
Në konferencën për shtyp, Ghebreyesus shtoi: “Avantazhi më i madh është se vendimet që marrim të gjithë, si qeveri, kompani, komunitet, familje dhe individë mund të ndikojnë në trajektoren e epidemisë”. Në vijim të diskutimit të tij në Gjenevë, drejtuesi i OBSH dha një mesazh sigurues për të gjithë njerëzit nëpër botë – se ndër personat e infektuar me koronavirus, shumë prej tyre janë shëruar. “Nga 80 mijë raste të regjistruar në Kinë, 70 për qind e tyre është shëruar”.
Për drejtorin e përgjithshëm të OBSH, nuk mund të kemi një tablo të qartë të epidemisë, por vetëm të mundshme, duke u nisur nga numri i rasteve të raportuara dhe nga ai i vendeve në të cilat është përhapur.
Në fakt, për momentin, 93 për qind e rasteve vjen nga katër vende (Kinë, Koreja e Jugut, Itali dhe Iran). “Kina po e vë situatën nën kontroll dhe tani numri i rasteve nga Koreja e Jugut po bie. Të dyja këto vende na tregojnë se nuk është kurrë vonë për të ndalur koronavirusin”. Z. Ghebreyesus theksoi nevojën për të marrë masa për të ndalur koronavirusin dhe strategji efikase për gjurmimin e të infektuarve,
“Ju mund të vendosni të mbyllni shkollat, të anuloni aktivitete masive dhe të merrni masa për të zvogëluar ekspozimin ndaj infektimit”. Në zonat ku koronavirusi është përhapur në komunitet, kryerja e analizave të çdo rasti dhe ndjekja e të gjithë personave ndërlikohet gjithnjë e më shumë. Duhen marrë masa për të parandaluar transmetimin dhe për të zvogëluar epideminë në shpërthime të menaxhueshme.
Sipas kreut të OBSH, ekzistojnë disa shembuj të luftës efektive kundër virusit, siç tregojnë masat e marra nga Kina, Italia, Japonia dhe Koreja e Jugut. Në mbyllje të fjalimit të tij, numri një i OBSH deklaroi:
“Inkurajohemi nga fakti që Italia ka marrë masa agresive për të ndalur përhapjen e epidemisë Covid-19 dhe shpresojmë që të tilla masa të jenë efektive në ditët e ardhshme”.
Burimi: Il Giornale.it