Koronavirus, turizmi kërkon lehtësi fiskale: 12 pika për taksat, subvencionet dhe kreditë

11/03/2020 11:02 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME: ,

Shoqatat e turizmit në vend janë bashkuar për një paketë lehtësuese dedikuar këtij sektori, që në pak kohë po përjeton goditjen e dytë të tij pas situatës së tërmeteve të vitit të shkuar.

Në një shkresë zyrtare drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ata kanë theksuar ndjekjen e shembullit të fqinjit tonë, Italisë, duke rishikuar disa taksa, si dhe duke ofruar lehtësi në kushtet e mungesës së likuiditetit.

Operatorët kanë konfirmuar se industria ndodhet në kolaps dhe se janë anuluar të gjitha udhëtimet turistike të planifikuara për Mars, Prill dhe Maj. Janë pezull grupet për Qershorin dhe në ditët në vazhdim, në varësi të situatës kompanitë ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, si: ITAKA; DER TOURISTIK; APOLLO; TUI e tjerë, mund të vendosin që të anulojnë të gjitha fluturimet charter për sezonin veror 2020 siç kanë bërë edhe në shumë vende të tjera.

“Këto anulime do kenë një ndikim të madh, sidomos në hoteleri, pasi shumë nga hotelet në bazë të kontratave kanë marrë deri në 50% parapagim të cilat duhet t’i rikthejnë, gjë e cila do të sjellë falimentimin e tyre për shkak të pamundësisë së likuiditetit”nënvizuan shoqatat.

Në paketën lehtësuese, bizneset kanë kërkuar që të përfshihen subvencionet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore e një sërë aspektesh të tjera të përmbledhura në 12 pika.

“Në mënyrë që të ndihmohen bizneset për të përballuar situatën e vështirë financiare, shoqatat përmes një shkrese zyrtare drejtuar qeverisë, kërkojmë:

1- Subvencionim të pagesës së sigurimeve shoqërore për një periudhë 3-6-mujore

2- Të pezullohet pagesa e Tatim Fitimit për minimumi 3 muaj në vazhdim

3- Subvencionim 50% të pagës së punonjësve

4- Dhënia e granteve për subvencionim të pagave të mbetura

5- Pezullim të pagesave për shpenzime ujë, elektricitet për një periudhë 6-mujore.

6- Zhvlerësimin e taksës së pronës për vitin 2020

7- Shtyrja e afatit të pagesës për taksat vendore

8- Pezullim për një vit të kësteve të kredive pa interes dhe pa penalitet

9- Të mos paguhet për vitin 2020 e Drejta e Autorit

10- Të hiqet taksa e aeroportit (10 EURO P/P)

11- Rishikimi i deklarimit të bilanceve të vitit 2019 në fund të muajit Prill

12- Të reduktohen taksat aeroportuale për fluturimet charter nga koncensionari i Aeroportit për vitin 2020” thuhet në pikat e parashtruara nga shoqatat e turizmit.

Goditja e koronavirusit është e dyta që merr sektori i turizmit, i cili nga tërmeti i 21 shtatorit dhe ai i 26 nëntorit, sipas raportit të vlerësimit të nevojës, llogarit që humbjet vetëm për këtë sektor ishin mbi 75 milionë euro.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of