Koronavirus vë në rrezik teknologjinë botërore

11/02/2020 9:01 AM 0 komente

Pasojat e Koronavirusit nuk janë të rënda vetëm për njerëzit, por edhe për ekonominë botërore, me sektorin teknologjik që rrezikon të jetë ndër më të prekurit.

Kompani të ndryshme kineze janë detyruar të ndërpresin aktivitetin, duke lënë në shtëpi mijëra punonjës dhe duke ngadalësuar furnizimin për kompanitë e mëdha hi-tech, me në krye Apple. Ndërkohë Koronavirus po vë në rrezik edhe zhvillimin e Mobile World Congress, panairi më i madh botëror i telefonisë, i parashikuar në fund të shkurtit, në Barcelonë.

Ndër kompanitë kineze më të goditura të sektorit është Foxconn, prej së cilës varet një pjesë e mirë e prodhimit të iPhone, por edhe pajisjeve të shoqërive të tjera si Motorola, Nintendo, Microsoft, Sony, Xiaomi e HdmGlobal. Foxconn, përveçse ka zvogëluar vlerësimet e rritjes, po mendon të zhvendosë prodhimin e saj në Indi. Sipas analistit Ming Chi Kuo, fabrika në qytetin e Zhengzhou është më e rëndësishmja për montimin e iPhone 11 dhe 11 Pro, aktualisht në treg.

Koronavirus rrezikon edhe zhvillimin e Mobile World Congress, panairi më i rëndësishëm në botë kushtuar telefonisë, i planifikuar në fund të shkurtit në Barcelonë. LG, Ericsson, Amazon, Asus, Nvidia e Sony kanë hequr dorë nga pjesëmarrja “për sigurinë e punonjësve” dhe do të jenë të pranishme nëpërmjet videokonferencës.

Në orët e fundit, listës së kompanive që kanë hequr dorë nga pjesëmarrja u janë shtuar edhe shumëkombëshja amerikane Intel dhe kompanitë kineze prodhuese të smartphone-ve Vivo, Ulefone dhe Umidigi.

“Siguria dhe mirëqenia e punonjësve tanë është përparësia jonë” – u shpreh një zëdhënës i Intel.

Ndërkohë kompanitë kineze Tcl dhe Zte do të jenë të pranishme në pavijone, por do të heqin dorë nga mbajtja e konferencave për shtyp. GSMA, organizata botërore që bën bashkë 800 operatorë mobilë dhe organizon këtë panair, në ditët e mëparshme ka folur për “ndikime minimale” dhe për masa të rrepta për stafin. Por është e ligjshme të pritet një efekt domino për një ngjarje kaq të madhe.

Në fund, Samsung ka marrë masa sigurie për prezantimin sot në San Francisko të smartphone-ve të rinj. Në një email dërguar pjesëmarrësve, kompania koreanojugore parashikon ngritjen e “stacioneve” për dezinfektimin e duarve dhe matjen e temperaturës.

Këtë të premte, organizatorët e Panairit do të mblidhen dhe do të vendosin për zhvillimin e tij.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of