Në Shqipëri, ende nuk kemi një rast të dyshuar apo të konfirmuar me koronavirus. Por në një dalje për mediat, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, nënvizoi rëndësinë e kujdesit higjieno-sanitar që duhet të tregojnë qytetarët.
“Me rëndësi është të jemi vigjilentë dhe të kujdesshëm për veten dhe të afërmit tanë. Këto janë rregullat kryesore të higjienës. Ky virus nuk luftohet vetëm nga strukturat qeveritare por edhe duke u përkujdesur për veten dhe të afërmit tanë. Të mos përshtyjmë dhe lëshojmë qyrrat tona anembanë”.
Nga ana tjetër, Bino qetësoi duke thënë se vendi është i pajisur me të gjitha mjetet për të përballuar në rast se kemi të konfirmuar me këtë virus. Ndërkohë vijojnë të përforcohen masat në pikat kufitare.
“Ka disa pajisje jo një, ka të gjitha kitet dhe ragentët për të diagnostikuar koronavirusin në vend. U bëj thirrje qytetarëve që udhëtojnë nga Italia apo Kina, të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo shqetësim mjekësor. Kemi përcaktuar rregullat si do bëhet vetëkarantinimi në shtëpi dhe karantina e posaçme në strukturat shëndetësore”.
Mjekja e Infektivit u bëri thirrje qytetarëve që menjeherë sapo hasin simptomat e gripit të drejtohen te mjeku përkatës, pasi simptomat me koronavirusin janë të ngjashme.
“Simpomat janë të ngjashme me gripin, me rëndësi është historia e udhëtimeve. Nuk duhen neglizhuar shenjat, të kontaktojnë menjëherë 127. Simptomat kryesore lidhen me problemet e frymëmarrjes. Por nuk duhet të dyndeni nëpër urgjenca. Kontaktoni në telefon me mjekun e familjes, te 127”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.