Kriza e koronavirusit deri tani i ka kushtuar buxhetit kroat 21 miliardë kuna (3.3 miliardë dollarë / 2.8 miliardë euro), tha ministri i Financave, Zdravko Maric.
Hendeku fiskal arrin në 17 miliardë kuna për gjashtë muajt e parë të vitit, por kostoja e pandemisë së koronavirusit është edhe më e madhe, tha Maric në një deklaratë të publikuar në faqen e qeverisë, pasi dha një intervistë për transmetuesin lokal Nova TV.
“Nga njëra anë, kemi një rënie të të ardhurave për shkak të uljes së aktivitetit ekonomik, si dhe për shkak të masave, shtyrjes dhe anulimit së taksave, megjithatë kemi edhe rritje të nevojave për shpenzime në buxhet”, tha Maric.
Ai theksoi se nga kostoja e përgjithshme e koronavirusit, 6 miliardë kuna janë shpenzuar për ruajtjen e vendeve të punëve.
Maric tha gjithashtu se për të kompensuar tkurrjet e të ardhurave fiskale, qeveria po shqyrton disa shkurtime buxhetore. Ai nuk u thellua më tej, duke përmendur se vetëm pensionet janë të sigurt nga rishikimi.
Qeveria në Zagreb fillimisht kishte planifikuar të mbyllte vitin me një tepricë buxheti prej 1.5 miliardë kuna, por shpërthimi i koronavirusit e detyroi të rishikojë planet dhe të projektojë një deficit prej 25 miliardë kuna dhe një tkurrje ekonomike prej 9.4%.
Muajin e kaluar, Maric tha se qeveria ka siguruar pjesën më të madhe të nevojave të saj për financim për vitin 2020, në shumën prej 63.4 miliardë kuna. Ai njoftoi se kabineti planifikon të rishikojë parashikimet makroekonomike në fund të gushtit ose fillim të shtatorit.
Gjithashtu në korrik, banka qendrore e vendit tha se ekonomia e brendshme mund të tkurret me 9.7% këtë vit, e goditur nga pandemia e koronavirusit dhe të ardhurat e ulëta të turizmit.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Europian rishikoi parashikimin për performancën ekonomike të Kroacisë këtë vit, duke pritur një rënie prej 10.8% të prodhimit ekonomik, më të thellë se rënia prej 9.1% që parashikoi në maj. Për vitin 2021, Komisioni pret një zgjerim prej 7.5%.