Për shkak të përhapjes së madhe dhe shumë të shpejtë të koronavirusit, Shoqata e Udhëtimit në SHBA, shprehet se numri i vizitorëve që do të hyjnë në këtë shtet gjatë periudhës shkurt-prill 2020, do të shënojë një rënie me 6 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo do të jetë rënia më e lartë gjatë një tremujori në Amerikë dhe njëkohësisht edhe më e madhja që nga kriza financiare globale e viteve 2007-‘08.
“Situata ka krijuar pasiguri dhe padyshim do të ketë ndikim jo vetëm në uljen e numrit të vizirtorëve që vijnë nga Kina apo edhe nga shtete të tjera, por edhe në biznesin vendas”, tha Roger Dow, CEO-ja i Shoqatës së Udhëtimit.
Vitin e kaluar, numri i vizitorëve që hynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i sollën ekonomisë amerikane rreth 256 miliardë dollarë amerikanë. Prandaj, reduktim me 6 për qind si pasojë e shqetësimeve në lidhje me koronavirursin do t’i kushtojë shumë, hotelerisë, makinave me qira, agjencive të ndryshme të udhëtimeve, restoranteve, etj.
Sipas Shoqatës së Udhëtimit në SHBA, efektet negative të kësaj situate në shtetin amerikan do të përditësohen në vazhdim, si pasojë e përhapjes së koronavirusit.
“Një prej masave më të mëdha që po merret në drejtim të koronavirusit është që të mos udhëtojmë drejt vendeve që janë cilësuar si të rrezikshme, dhe deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar për shtetin amerikan në këtë drejtim”, tha z. Dow.